Liderët e botës vijnë me nji mesazh të fortë për terroristët

Mbanë bota asht bashkue me Spanjën në momentet e vështira që vendi po kalon mbas sulmeve që tronditën Barcelonën e Cambrilsin.

Presidenti i Catalonisë, Carles Puigdemont, ka dënue aktin terrorist të marrë përsipër nga Shteti Islamik.

Demokracia dhe vlerat e mbrendshme të vendit simbas tij, qëndrojnë gjithnji mbi dhunën terroriste.

Në të njajtat tone ka folë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Terrorizmi mund të shkaktojë orë tmerrësisht të trishta mbi neve, ashtu siç ndodhi në Spanjë, por kurrë nuk mund të na mposhtë”, u shpreh Merkel ndërkohë që shprehu ngushëllimet e kombit gjerman ndaj atij spanjoll.

Edhe kandidati për kancelar Martin Schulz bani thirrje që shoqnia t’i thotë njizani terrorizmit se nuk ka me fitue.

Si Schulz ashtu edhe Merkel kanë pezullue aktivitetet e tyne elektorale si nji shejë solidariteti me Spanjën.

Ndërkohë në Francë, dritat e Kullës Eiffel u shuen në homazh të viktimave nga sulmi në Barcelonë.

Vendi asht trondit nga ngjarja, mbasi 26 qytetarë francezë janë konfirmue të plagosun nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane.

Edhe Shtetet e Bashkueme kanë dënue sulmin terrorist në Barcelonë.

Përmes nji postimi në Twitter, Presidenti Donald Trump ka premtue me ba gjithçka që asht e nevojshme për me ndihmue, mesazh i rikonfirmuem nga Zv/presidenti Mike Pence, i cili e konsideroi sulmin si kasaphanën ma të fundit.

Kulla ikonë e World Trade Center në New York ndezi dritat për me shpreh solidaritetin me Spanjën. /oranews.tv