Lista Serbe kallxon se çka ka me ba n’institucionet e Kosovës

Tue qenë fituese, në raport me subjektet tjera politike nga komuniteti serb, Lista Serbe, e cila pretendon se i ka fitue 9 ulëse në Kuvendin e Kosovës, i ka dërgue mesazhe Qeverisë së ardhshme të Kosovës, se asnji ndryshim kushtetues nuk ka me mujt m’u ba pa harmonizimet me këtë subjekt politik.

Nga gjashtë subjektet politike serbe, sa kanë garue në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lista Serbe, besohet se ka fitue 9, kurse Partia e Pamvarun Liberale nji ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantueme në Kuvend si dhe dy poste ministrore dhe disa poste nënministrore në Qeveri.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, gati se të gjitha këto pozita, pritet me i marrë Lista Serbe, e cila deklarohet se Presidenti dhe Kryeministri i tyne ndodhen në Beograd.

Kurse në Prishtinë, ndonëse marrin pjesë në institucione, këtë, simbas kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simic, e bajnë për me i mbrojt interesat e komunitetit serb.

Simbas tij, Lista Serbe ka me pasë 9 vende në Kuvend, por atyne ka me ju bashkue edhe përfaqësuesi i goranëve, kështu që në tanësi kanë me ba nji Grup parlamentar prej 10 deputetëve.

Sidoqoftë, Lista Serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pamvarësisht se cili bllok politik nga forcat politike shqiptare ka me formue Qeverinë e ardhshme, pritet me qenë pjesë e Qeverisë, sikurse edhe pakicat tjera joserbe.