Myslimanë e katolikë luten në Kishë: ‘Jemi vllazën, duhet dialog mes feve’

Katolikë e myslimanë së bashku, për me i thanë jo terrorizmit e për me u lutë për paqen. Mbas ngjarjes në Francë që i kushtoi jetën nji prifti, komuniteti islamik italian ka pranue ftesën e imamëve francezë për me marrë pjesë në meshat e së Dielles në mbarë vendin.

Siç raportojnë mediat italiane, mbi 15 mijë vetë kanë marrë pjesë në lutjet e kësaj të Dielle, ku myslimanë e katolikë banë apel për ma shumë dialog mes feve.

“Dialogu jonë me vllaznit katolikë ka me vazhdue, por prej sot ka me qenë edhe ma intensiv. Ka nevojë për konfirmimin e vlerave tona të përbashkëta që janë paqja, solidariteti dhe dashnia e respekti për Zotin tonë të përbashkët”- tha Abdullah Cozzolino, Sekretar i Përgjithshëm i Kofederatës Islamike italiane, tue folë në Kishën San Gennaro në Napoli.

Ndërkaq, nji dënim i ashpër i terrorizmit erdhi nga Imami Ahmed El Balazi në Brescia.

“Këta njerëz ndyjnë fenë tonë dhe asht e shëmtueme që shumë njerëz i konsiderojnë të gjithë myslimanët terroristë. Feja asht diçka tjetër, e tjetër asht sjellja e disa myslimanëve që nuk na përfaqësojnë”- tha ai.