NATO përgatitet për luftë me Rusinë

monica
Monica Perosino*

 

Në shtete baltike, Skandinavi në gjithë Europën Lindore, çështja nuk është më nëse do të ketë apo jo luftë me Rusinë, por kur.

Që nga ndërhyrja e saj në Ukrainë dy vjet më parë, Moska nuk ka humbur asnjë mudësi të provokojë fqinjët e saj dhe të përshkallëzojë tensionet. Ajo e ka shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të NATO-s dhe grumbulloi trupat në kufirin perëndimor të saj. Rusia gjithashtu ka thelluar fushatën kibernetike duke intensifikuar hakimin, propagandën dhe aktivitetet disinformuese. Vetë Estonia pësoi një rritje 200 për qind të sulmeve të tilla.

“Ne jemi në luftë, një luftë hibride, hapi i fundit para se të nisë zjarri armëve,” tha një zyrtar i lartë në bazën e NATO-s në Szczecin në Poloninë perëndimore. “Por ne jemi gati.”

Në samitin e NATO-s në Uells më 2014, aleanca nisi të mbyllte hendekun e madh mes kohës së ngadalshme të reagimit të saj – rreth 30 ditë për të mobilizuar forcat – dhe aftësisë së Rusisë për të organizuar me lehtësi një sulm. Një raport i botuar në shkurt të këtij viti nga korporata RAND, një think tank për sigurinë, i alarmoi zyrtarët e NATO-s duke theksuar që Moska mund të kapë shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë vetëm për 60 orë.

Vetëm tani NATO e kupton sa urgjente është ky kërcënim i freskuar nga Rusia. Presidenti polak Andrzej Duda kohët e fundit inauguroi ndërtimin e një baze mbrojtëse raketore amerikane në veri të qytetit Redzikowo, dhe një tjetër bazë është në ndërtim në Deveselu në Rumaninë jugore.

Më pak se dy muaj para samitit të NATO-s këtë vit në Varshavë, ministri polak i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz u përpoq të kalonte përfundimisht fokusin e aleancës te kufiri rus. Për atë, prania e raketave balistike Iskander në Kaliningrad, enklava ruse mes Polonisë dhe shteteve baltike, nuk është e rastësishme. “Moska mund të shkatërrojë Lituaninë në çast, por mund të qëllojë dhe Berlinin,” tha ai.

Ministri polak i Jashtëm Witold Waszczykowski e shprehu qartë kohët e fundit: “Ne pamë ç’ndodhi në Çeçeni, Gjeorgji dhe Ukrainë, prandaj çfarë presim më?”

Sipas një analisti në bazën ushtarake polake, rreziku që paraqesin raketat Iskander është i dyfishtë: “Ato janë raketa me rreze të shkurtër dhe janë të vështira për t’i pikasur, por njëkohësisht mund të arrijnë gjysmën e Evropës.”

Kërkesa e vendeve anëtare nga Evropa Lindore për të vendosur në mënyrë të përhershme trupat e NATO-s në kufirin me Rusinë do t’i përkeqësonte dhe më shumë marrëdhëniet e acaruara me Rusinë.

Macierewicz dhe homologët e tij lokalë mendojë se një lëvizje e tillë mund të ndihmonte për frenimin e sulmeve ruse.

Qëndresë përballë Moskës

NATO po ndërton një arkitekturë mbrojtëse me komandë zinxhir specifike dhe me një kohë reagimi të shpejtë për t’iu kundërpërgjigjur një pushtimi të mundshëm rus.

“NATO dhe shtetet anëtare të saj po shtojnë numrin e ushtrimeve ushtarake dhe misione kontrolli ajror, por koha e reagimit është kyç në rast agresioni,” tha një shef taktike në qendrën e NATO-s në Poloni. “Para Ukrainës, koha jonë e reagimit ishte 30 ditë, por tani është 48 orë dhe ne krijuam njësi forcash integrimi të reja për të reaguar më shpejt dhe sprapsur çdo sulm.”

Nëse trupat ruse do të kalonin kufirin sot, 900 ushtarë të NATO-s dhe 400 tanke do të vendoseshin brenda dy ditëve, të cilëve brenda dy ditëve do t’u bashkoheshin 5600 trupa.

“S’kam parë kurrë kaq shumë stërvitje ushtarake ruse dhe provokime në të njëjtën kohë. Ata synojnë të testojnë gatishmërinë tonë,” tha një burim. “Kjo është një luftë jo konvencionale që kërkon të përçajë dhe destabilizojë, por misioni ynë është t’i tregojmë Putinit që jemi gati të veprojmë, dhe jemi.”

Në bazën e forcave ajrore polake në Lask, streha e 16 nga 40 avionët F-16, pilotët shpesh ndeshin kolegët rusë që fluturojnë ilegalisht në hapësirën polake. “Patëm 18 përballje në dy javë, e fundit ishte një avion Sukhoi Su-27,” tha një pilot. “Piloti rus më buzëqeshi nga kabina dhe anoi avionin për të më treguar sasinë e bombave që kishte ngarkuar, dhe kishte shumë.”

Përveç qiellit, ka dhe fronte të tjera të kësaj lufte hibride mes Rusisë dhe Perëndimit. Në Qendrën e Trainimit të Forcave të Përbashkëta në qytetin verior polak Bydgoszcz, ushtarët nga 20 vende stërviten duke përdorur simulues, përfshi video games që shiten në treg, për të njohur “shenjat” e mundshme të ushtarëve armiq të fshehur, përfshi theksin gjuhësor të huaj dhe veshjen.

“Kjo është një luftë hibride që bëhet me propagandë dhe manipulim të opinionit publik. Është luftë informacioni dhe kibernetike,” thotë një zyrtar në Qendër. “Strategjia e Moskës është të përçajë NATO-n me provokime të vazhdueshme duke infiltruar dhe manipuluar rusët etnikë në Evropë dhe duke shkaktuar çrregullime për të treguar që BE  dhe NATO nuk janë as të bashkuara as efiçente.”

Në bazat e NATO-s në Poloni dhe Evropën Lindore, ushtarët dhe zyrtarët po stërviten në artin e luftës kibernetike dhe anti-propagandës.

“Lufta hibride nuk është veç ushtarë që pozojnë si burra të vegjël veshur me jeshile në Krime, është dhe profile të rremë në Facebook dhe gazeta fiktive në gazetë që shpërndajnë përmbajtje të rreme që më vonë merret nga botime të besueshme,” tha një zyrtar në Qendër. “Dhe në një luftë hibride, fjalët mund të rezultojnë vërtet shumë të rrezikshme.”

*Opinioniste La Stampa