Ndërron jetë grueja ma e moçme n’botë

Njeriu ma i moçëm në botë ndërroi jetë në Nju Jork në moshën 116-vjeçare. E lindun në Alabama në Korrik të vitit 1899, Susannah Mushatt Jones ishte gjithashtu, edhe amerikanja e fundit e lindun në shekullin e 19-të.

Jeta e saj preku tre shekuj, ajo pa dy Luftna Botnore dhe 20 Presidentë amerikanë. Tash, titulli i njeriut ma të moçëm në botë merret nga italianja Emma Morano, e cila asht, njeriu i vetëm në botë që ka lindun në shekullin e 19, ma saktë në Nandor të vitit 1899.

Amerikanja Jones ishte nji prej 11 fëmive. Si nji prej dy njerëzve të vetëm në botë të lindun në shekullin e 19, ajo përjetoi ma shumë histori se kushdo tjetër. Ajo lindi para vdekjes së Mbretneshës Victoria në Britani apo para se vëllezërit Wright me ba fluturimin e parë.

Susannah Jones thoshte gjithnji se, arsyet që jetoi për me festue ditëlindjen e 116, ishin gjumi i mirë dhe qëndrimi larg duhanit apo alkoolit. Në nji intervistë me gazetën “Time” vitin e shkuem, ajo tha se hante proshutë dhe voje çdo ditë.