Në Rekën e Epërme, në gjurmët e patriotit Josif Bageri

Prof.as. dr. Genc Luarasi

Në grykën e Parkut Kombëtar të Dibrës, fshati Nistrovë është i fshehur nga drurët shekullorë ku dëgjohet gurgullima e Përroit të Bukovarit, degë e Radikes, buzë të cilit në Rekën e Epërme fshati në fjalë njihet i regjistruar 400 vjet më parë në regjistrat kadastrale të Perandorisë Osmane, i banuar me të krishterë shqiptarë, të cilët edhe nën pushtimin osman nuk e ndryshuan fenë për arsye të vendndodhjes së tyre dhe të karakterit malësor.

Fshati me pamjen nga perëndimi sheh Radikën, që kohët e fundit është bërë e njohur për një polemikë lidhur me devijimin e lumit me të njëjtin emër. Mbrapa ngrihet Mali i Kabashit, në perëndim mali i madhërishëm i Korabit, në jug Guri i Zi, ndërsa në lindje mali i Verdunit. Jetën në atë zonë e jep lumi i njohur i Radikes gjatë rrjedhjes të të cilit banorët zbresin në qytetin e Dibrës.

Nuk ka shqiptar, qoftë edhe me një arsim tetëvjeçar, jo më të tjerët me nivel më të lartë kulturor, të mos kenë dëgjuar dhe lexuar emrin e Josif Bagerit të renditur përkrahë rilindësve të tjerë të shquar. Figura simpatike e luftëtarit Josif Bageri, këtij luftëtari me shpirt kryengritës, është përjetësuar në historinë zyrtare të Shqipërisë, në kujtesën e popullit të krahinës së Dibrës dhe të Rekës, në një monografi të studiuesit Ruzhdi Mata, por edhe në simbolet përkujtimorë, siç është sot busti i tij që gjendet në lulishten në qendër të qytetit të Dibrës në Maqedoni krahas heronjve të tjerë të bashkuar për çështjen shqiptare, shtatores së Skënderbeut, të Said Najdenit në Dibër të Madhe. Busti i tij është vendosur në një pozicion me vështruar nga treva e të parëve dhe pasardhësve të tij.

Megjithëse një kohë e ngarkuar me halle dhe probleme që ka krijuar politika e mbrapshtë shqiptare, me përplasje dhe hallakatje të përditshme, me padrejtësi në gjyqe për prona, për punë, me luftë për jetesë dhe mbijetesë, përsëri gjen shpirtra të ndjeshëm, për të vënë një lule, për të ndezur një qiri, për të thënë dy fjalë në varret dhe simbolet e të parëve tanë, që dhanë jetën për këtë vend, për këtë të ardhme, që sido e kritikueshme, është e bukur. Pa të shkuar nuk ka të ardhme. Është dritëshkurtër ai që mendon të kundërtën. Është njëlloj sikur të kesh hipur në pemë dhe të injorosh shkallët nga ke hipur. Ç’bëhet, po të t’i heqin ato?…

Se e mendoi kështu, ndaj dhe Elida Jorgoni, kryetare e shoqatës “Foleja kombëtare shqiptare”, krahas shumë veprimtarive të tjera, organizoi edhe “ekspeditën” për të rizbuluar edhe një herë gjurmët e patriotit rilindës Josif Bageri në trevat ku ai kishte lindur dhe kishte vepruar, në Dibër të Madhe, por edhe për ta përkujtuar atë dhe veprën e tij atdhetare.

Dhe për këtë ajo zgjodhi pranverën, si një stinë e bukur, por edhe produktive, ku të jepet mundësia të realizosh objektivat dhe qëllimet e një “projekti”, po ta quajmë kështu. Me besën dhe përkrahjen e patriotëve dibranë të përtej kufirit, aktivistja Jorgoni, në atdhetare e thekur e ditëve tona kishte studiuar dhe planifikuar çdo gjë deri në detaje. Ekspedita përbëhej nga intelektualë të shkollave universitare. Nisja u bë nga Tirana, në Elbasan, me një ndalesë kafe mëngjesi tek “Peshkatari”, buzë Shkumbinit në Librazhd. Aty grupi u njoh me itinerarin e lëvizjeve në shtetin fqinj.

Pasi u kalua Qafë-Thana, nën diellin një agimi të bukur maji udhëtimi disi aventuresk vazhdoi drejt Dibrës së Madhe, siç jemi mësuar ta thërrasim. Rruga nga Struga në Dibër të madhe është një rrugë e bukur panoramike nga ku shihet pasqyra e madhe e lumit që del nga liqeni i Ohrit dhe që ushqen dy hidrocentrale të harmonizuar bukur me natyrën, pa shkaktuar sforcime në rrjedhën e fuqishme të ujërave të tij. Pas një ore udhëtimi ku gjatë gjithë rrugës sheh “ndërtime miqësore” të harmonizuara me natyrën të vilave të dibranëve të përtej kufirit, të cilët një pjesë të familjeve të tyre të mëdha i kanë në shtete të mëdhenj si në SHBA, Kanada, Angli e gjetkë, por që me kulturën e tyre dhe kursimet i japin një ton ndihmës pjesës autoktone që banon në atë hapësirë shqiptare të Maqedonisë.

Sistemi i lëvizjes së grupit në këtë zonë është i marketuar me informacione njohëse të vendbanimeve, aktiviteteve të tyre përgjatë rrugës drejt veriut, kryeqendrës së Dibrës. Sigurisht me riorganizimet administrative dhe bashkëjetesës me popullatën sllave tanimë niveli administrativ është zvogëluar dhe Komuna e Dibrës, siç emërtohet nuk ka me atë nivel e forcë ekonomiko-sociale të mëparshme, megjithatë kudo vihet re dora e një populli qe e do vendbanimin e hershëm të tij, rregull në ndërtime social-kulturore dhe industriale.

Pas gati një ore udhëtim grupi hyn në qendrën e Komunës. Pritja nga ana e stafit të komunës dhe kryetarit të saj ishte vëllazërore dhe informuese nga të dy anët. I njoftuar qysh disa ditë me parë për këtë veprimtari, kryetari i Komunës në zyrën e tij, sipas traditës bëri një prezantim njohës me qytetin, mësoi më shumë për planet, dëshirat dhe lëvizjet e grupit, por edhe mundësitë për realizimin e tyre.

Në sy na ra organizimi skrupuloz i pushtetit lokal që gjithë vizita të vijonte harmonikisht. Për këtë ishte organizuar pjesë të stafit të komunës për të na qëndruar afër e dhe për t’u ndjerë si në shtëpinë tonë. Kjo u vu re me shpërndarjen e punonjësve për të organizuar këtë vizitë njohëse historikë në qendër dhe ditën e dytë në djepin e Rekës së Epërme në vendbanimin e personazhit tonë që grupi shkencor kishte ndërmarr këtë udhëtim. Pasi u rehatuam dhe kryem një pushim freskues, pasdite u drejtuam në pjesën historike të qytetit, atje ku lartësohen kujtimoret e heronjve shqiptarë: të Skënderbeut, Said Najdenit dhe Bagerit “rebel”.

E kudogjendura znj. Elida Jorgoni, mëkuese e figurave të rilindjes sonë kombëtare të dy shekujve të kaluara dhe disa nga grupi, të shoqëruar edhe nga banorë të interesuar dibranë, bënë nderimet e rastit me flamur kombëtar dhe tufa lulesh pranë busteve dhe përmendoreve. Në fakt qyteti ishte në një ditë festive, pasi arritja e jonë përkoi edhe me ditën e 1 Majit, ditë e shtunë dhe të nesërmen binte e diel.

Ne darkë pas një freskimi dhe ushqimi karakteristik grupi tërhoq në dhomat e hotelit për t’u përgatitur për të nesërmen turistiko-historike udhëtimin në Parkun Kombëtar të Mavrovos.

Të nesërmen grupi, i shoqëruar nga mikpritësit e Komunës së Dibrës, u nis në Nistrovë, deri tek varret e të parëve të Josif Bagerit. Një pjesë e asaj rruge të përpjetë, të lodhshme grupi i vogël prej 13 intelektualësh të organizuar nga e papërtuara, e bënë më këmbë për të vënë lule në varret e familjarëve të Josifit.

Udhëtimi malor ishte mbresëlënës me freskinë e ujit të Radikës gurgulluese, ku jo një herë kujtonim ato tubime që u organizuan në Tiranë për mbrojtjen e saj nga përdorimi pavend i ujërave për qëllime energjetike.

Arritja e jonë në afërsi të fshatit dhe kishës kishte simboliken e vet. Meqenëse nuk shkuam dot në kishë, Elida bëri surprizën, të cilën me sa duket e kishte menduar më parë: aty në varreza organizoi një meshë sipas zakoneve te shqiptareve te besimeve fetare te krishtere dhe myslimane me hallvë dhe grurë. Pas kësaj u vendosen shenjat tona kombëtare flamurët, u bënë fotografi të pjesëmarrësve duke kujtuar jo vetëm heronjtë tanë rilindës, por të të terë trevë së Dibrës së Madhe.

Duke kryer ritet përkatëse, siç e kërkon kujtesa patriotike e fetare e trevave tona dhe me një lehtësim në shpirt grupi u rikthye në Shqipëri, me shpresën se ndonjë ekspeditë shkencore do të kërkojë të gjejë në Kosovë eshtrat e këtij rilindësi “rebel”, shembull i shpresës të kohës së re me heronj të rinj aq të domosdoshëm për një Shqipëri demokratike me rrënje ilire dhe pellazge.

Kthimi ishte përsëri një kënaqësi, pasi detyrën e kishim kryer pothuaj plotësisht, dhe pasi lamë pas bukuritë e rralla të Parkut Kombëtar i shtrirë në pjesën perëndimore së bashku me miq shkencëtarë nga Gostivari të Maqedonisë fqinje, u nisem drejt Shqipërisë, të ngarkuar me mbresa dhe emocione, por edhe me shpresën që një ekspeditë më rezultative do të ndërmarrë grupi për zbulimin e varrit Josif Bagerit në Kosovë.

Është një domosdoshmëri të evokohen të gjitha vlerat shekullore të një populli të lashtë, ndryshe nuk mund të arrihet një zhvillim dhe ekzistencë kombëtare e një kombi. Është detyrë parësore e secilës qeveri, siç është puna e individëve të shoqërizuar që krijojnë të mira materiale për sot dhe nesër, ndryshe një komb nuk meriton të ekzistojë.

Ekspedita shkencore e organizuar nga shoqata “Foleja kombëtare shqiptare” ishte një veprimtari mbresëlënëse, një mësim për të njohur dhe evidentuar vlerat atdhetare, për të cilat sikur po e ndjejmë përherë e më shumë nevojën. Për arritjen e objektivit, nuk duhet lënë pa përmendur dhe pa përgëzuar këtu mikpritjen dibrane dhe ndihmën e emigranteve dibranë në SHBA.
Josif Bageri, rilindësi “rebel”

Shume patriotë janë përpjekur me të dhëna të tërthorta të përcaktojnë vitin e lindjes, të vdekjes si dhe vendin ku ka vdekur Atdhetari shquar Josif Bageri. Sipas disave, rezulton se ai ka lindur në vitin 1868, ndërsa për vdekjen, e veja e tij, Vasilika, ka dhënë datën 15 prill të vitit 1916, të cilën ia ka transmetuar djalit të saj të fundit, Aleksandër Josif Jovan Bageri.

Jetën Josifi e filloi në fshat, duke ruajtur bagëtitë dhe herë-herë zbriste në Dibër, ku gjyshi i tij punonte nallban. Në këto lëvizje poshtë e lartë, duke u rritur djaloshi i ri me zgjuarsi mendon për të ardhmen. Kështu një ditë zbriti për të kërkuar punë në Dibër. E nisi si shegert këpucar, më pas shkoi në Tetovë dhe Gostivar në profesionin e këpucarit që e shoqëroi tërë jetën. Në këtë kohë në përpjekje për një jetë normale, ai njihet në moshën 16-17 vjeç me shoqen e ardhshme të jetës Vasilikën nga Prilepi, e cila iu bë krah i fortë në të mirë dhe vështirësi, duke i falur radhazi 9 fëmijë, shumë prej të cilëve nuk e jetuan jetën e tyre me ato kushte të vështira ekonomike, por këto nuk e përkulën çiftin për t’u bërë ballë vështirësive. Ata morën rrugën e kurbetit, me stacion të parë Bullgarinë dhe pikërisht në Sofje, e cila po mblidhte forca krahu, pasi në atë periudhë ishte shpallur autonome. Në Sofje ishte edhe një mase e madhe shqiptarësh nga viset e jugut të Shqipërisë, Korça, Kolonja, Përmeti, Gjirokastra, Elbasani, por ndër ta kishte edhe shumë dibrane dhe krutanë.

E solli fati që të vendosej me këta shqiptare në kafenenë “Albania” dhe dyqanin ushqimor të patriotit boboshtar, Dhimitër Nikolla Mole. Atje çdo natë mblidheshin dhe shkëmbenin hallet e jetës së tyre zanatçinj, punëtore ndërtimi etj. Në vitin 1895, vijnë në Sofje Koste Jani Trebicka dhe Kristo Papastefan Luarasi, të cilët bashkë me Dhimitër Molen filluan t’u mësojnë të rinjve shqip dhe t’u japin atyre libra.

Shpejt, shqiptarët organizohen në shoqërinë arsimore dhe kulturore me emrin simbolik “Dëshira”, ku Josifi i ri filloi të spikaste jo vetëm si aktivist e veprimtar, por edhe si krijues me vjershat e tij. Në këtë kohë ai filloi t’u afrohet socialistëve bullgarë, duke mbrojtur dhe përfaqësuar shtresën e zanatçinjve, si këpucar, gurgdhendës, muratorë, të cilët, duke qenë se ruanin zanatin dhe veglat e tyre për mbijetese, kishin krijuar një organizate të quajtur Mason, e cila kishte adoptuar edhe statutin e saj dhe karakterizohej nga një hije sekreti dhe fshehtësie profesionale. Kalimi me masonët solli një qëndrim largues nga shoqëria “Dëshira” të Josifit, ai tentoi të krijonte një shoqëri të re, “Bashkimi”.

Në fund të vitit 1899, Josifi shkon për një vizitë në Stamboll që të njihet me vjershëtorin tonë të madh, Naim Frashëri, ku biseda me të i dha shtysë veprimtarisë së tij të mëtejshme, por vdekja e mikut të ri në vitin 1900 e vrau shumë. Vetë ai e përshkruan takimin me të madhin Naim Frashëri ne Stamboll: “Në vitin 1898 më 12 të vjeshtës parë, patmë fatin e mirë të ndeshemi me shpirtndriturin e pa harruar kurrë, Naim Bej Frashërin, cili n’at kohë ishte shumë i sëmun, po na priti si fëmin’ e vet dhe u muerrëm vesh fort shum’ mirë tuj u marr vetëm për çështjen kombëtare d.m.th. kuvendi ynë ishte vetëm për çështje kombëtare. Kuvendimi me këtë korife ishte i gjatë pavarësisht gjendjes së tij të renduar shëndetësore”.

Pas vdekjes së Naim Frashërit, largohet nga shoqëria dhe udhëton në Sërbi dhe Kosovë. Duke udhëtuar në Peje, shpreh idenë e bashkimit të dy trevave shqiptare, si dhe hapjen e shkollave shqipe si shprehje më e lartë e shqiptarizmit kundër Turqisë. Gjate vizitës ne Kosove ai shpërndan gazetën “Drita” të Shahin Kolonjës dhe Kristo Luarasit. Atje takohet me Bajram Currin.

Një shtytje për bashkim luftarak ishte njohja në Sofje me Çerçiz dhe Bajo Topullin, Mihal Gramenon, të cilët pasi bënin ndonjë aksion kundër turqve, kurdoherë e gjenin të hapur derën e shtëpisë se Kristo Luarasit me mirëpritjen e Poliksenit, së shoqes së tij.

Në vitin 1907 lidhet me Hil Mosin dhe kërkon të organizojë një shoqëri të quajtur “Afron dita”. Qëndrimi ndaj Turqve të Rinj me fytyra te reja, por ideologji të vjetëër në vitin 1908 bën që ai të rikthehet në Rekën e tij, ku nisi të organizonte arsimin.

Gjatë dy vjetëve 1909 – 1911 ai nxori gazetën “Shqypeja e Shqypnisë” që ishte një organ politik, i cili mbahej me ndihmat bujare të shqiptareve dhe shpërndahej falas ndër shqiptarët e vobektë. Pavarësisht se e kanë luftuar, duke e quajtur pro-bullgare, ajo ishte një nga gazetat me progresive të kohës. Kjo gazetë përbën së bashku me përmbledhjen “Kopshti Malësor” veprën e plotë të krijimtarisë së tij.

Figura e tij me një fizik të mprehtë, të hollë, mbahet mend nga anëtarët e shoqërisë “Dëshira”. Ai karakterizohej nga ata si një patriot i flaktë që merrej me politike, që udhëtonte dendur në mes të Stambollit, e Bukureshtit duke shpërndare libra duke hyre fshehurazi edhe në Shqipëri për punë patriotike. Jetonte me familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët, djalë dhe vajze, në një lagje periferike të Sofjes, të quajtur Banishora, në rrugën Bratja Milladinovi (Vellezerit Milladinov) plot me kopshte dhe shtëpi të rralla. Shumë shqiptarë porosisnin tek ai këpucët. Edhe personalitete bullgare të kohës, si poeti proletar Dimitër Poljanovi, e vlerësonte si një shqiptar të madh, burrë shumë të zgjuar.

Ne 1912 pas Shpalljes se Pavarësisë ai vjen në Shqipëri pikërisht në kohën e Ismail Qemalit dhe të Princ Viedit. Një kritikë të fuqishme ai i bën Esat Pashës, intrigave të tij. Në vitin 1916, ndërmerr një udhëtim heroik në kundërshtim me lutjet e familjes së tij, duke rrugëtuar më këmbë, pasi nuk kishte mjete financiare. Ky ishte rrugëtimi i tij i fundit. Mbylli sytë i sfilitur dhe i vetmuar në prill të vitit 1916 në spitalin e Prishtinës, ndërkohë që një mirëdashës i mbylli sytë dhe i grumbulloi librat që kishte me vete. U varros në Kishën Ortodokse të Prishtinës, ku thuhet se gjendet edhe vendvarrimi i tij(?!…)