Pamja e ‘kaosit’ në Shtëpinë e Bardhë: Ishin 6 dhe mbetën 2! (foto)

Në nji fotografi të Zyrës Ovale të datës 28 Kallnor gjendet Presidenti i SHBA’ve Donald Trump me ish-këshilltarët.

CNN shkruen se fotografia “paraqet kaos” në Shtëpinë e Bardhë.

Në fotografinë e bame në ditët e para mbas ardhjes së Trump në pushtet, shihet Presidenti tue bisedue në telefon me kolegun e tij rus Vladimir Putin.

Rreth Trumpit ndodhet shefi i personelit Reince Priebus, strategu kryesor Steve Bannon, zadhanësi Sean Spicer dhe këshilltari për siguri nacionale Michael Flynn.

Aty asht edhe Zavendëspresidenti i SHBA’ve, Mike Pence.

Vetëm 202 ditë ma vonë, dy persona nga fotografia janë ende në Shtëpinë e Bardhë – Trump dhe Pence.

Fillimisht u shkarkue Flynn më 13 Fror, mbas konfirmimit se kishte pas kontakte me ambasadorin rus para se të merrte zyrtarisht detyrën.

Mbrenda disa ditësh, në Korrik u larguen edhe Spicer dhe Pribus.

I pari u largue me dëshirën e tij, ndërsa i dyti u shkarkue.

Bannon ndërkaq u shkarkue më 18 Gusht.

CNN shkruen se në kohën e tranzicionit detyra e drejtorit për komunikim ju ofrue Jason Millerit, i cili pranoi detyrën dhe më vonë e refuzoi me arsyetimin se dëshiron me kalue kohën me familjen.

Në këtë post erdhi Mike Debke. Por, edhe ai u tërhoq mbas vetëm tre muejsh.

Shumë detyra deri në atë kohë i mori Spicer, i cili punoi deri në fund të Korrikut, kur në vend të drejtorit për komunikim erdhi Anthony Scaramucci.

Por, edhe ky e përfundoi karrierën mbas dhetë ditësh dhe tash në këtë pozitë përkohësisht asht 28-vjeçarja Hope Hicks.

“Mos iu besoni lajmeve të rreme. Shtëpia e Bardhë asht krejt në rregull. Kam trashëgue kaos dhe tash dua me rregullue”, kishte shkrue Trump në Twitter, më 18 Fror.

CNN shkruen se fotografia asht dëshmi se Presidenti nuk kishte të drejtë.