Panairi i Librit në Prishtinë vjen me shumë risi

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka me organizue panairin e 18’të të librit, i cili ka me u mbajt nga 7 deri më 12 Qershor n’ambientet e Pallatit të Rinisë.

Ky panair, do të ketë nji varg aktivitetesh të cilat perkojnë me përvjetorë të personaliteteve letrare shqiptare dhe botnore si: 450-vjetori i lindjes së Pjetër Budit, 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit, 400-vjetori i vdekjes së Servantesit, 150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës, 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit, 100-vjetori i lindjes së Mbretneshës Geraldinë, 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit, 100-vjetori i lindjes së Esad Mekulit, 90-vjetori i lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, 80-vjetori i lindjes së Rexhep Qosjes, 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit.

Shoqata e Botuesve të Kosovës, për këtë vit ka parapa informimin e përditshëm të vizitorëve, mediave, botuesve me informatorin e shtypun dhe digjital, përmes faqes www.panairilibrit.com.

Në kuadër të Panairit të Librit, SHBK ka paraparë darkë solemne më 9 Qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, simbas vlerësimit të jurisë speciale, librat ma të mirë në: Prozë, Poezi, Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, Përkthim letrar, Projektin kapital, si dhe shpallet:
Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), Shkrimtari i vitit (letërsi e huej), stenda ma e vizitueme.

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquem shqiptarë dhe të huej.

Ceremonia e hapjes ka me u ba më 7 Qershor, n’orën 18:00 në Pallatin e Rinisë, ndërsa do të mbyllet më 12 Qershor, n’orën 18:00.

Panairi do të jetë i hapun për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00, ku hymja do të jetë falas për krejt të interesuemit.

Në Panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipnia, Maqedonia dhe Diaspora, ku do të prezentohen rreth 1,200 tituj të ri, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit do të jetë rreth 4.500.

Panairin pritet me vizitue rreth 38.000 vizitorë: studentë, nxanës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shqueme nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.