Paralajmëron BE: Ballkani mbetet rruga kryesore për terroristët

Raporti vjetor i Bashkimit Europian për Situatën e Terrorizmit dhe Trendin e tij, i botuem më 15 Qershor, tha se terroristët vazhdojnë me shkue në konfliktin në Siri nga Ballkani, që mbetet nji rrugë hymëse dhe dalëse për zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Raporti i 15 Qershorit nga EUROPOL’i thotë se konflikti në Siri ka pas nji rezonancë të fortë në Kosovën dhe Shqipninë me shumicë myslimane, si dhe në Bosne, Maqedoni dhe Serbi.

“Në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ideologjia radikale islamike e promovueme nga predikuesit radikalë apo liderët e disa grupeve salafiste që sfidon dominimin tradicional të islamit të moderuem në rajon ka fitue terren të konsiderueshëm”, thuhet në të.

“Bosna, i ashtuquejtuni rajoni i Sanxhakut [mes Serbisë dhe Malit të Zi], territoret shqipfolëse në Serbi dhe Maqedonia, Kosova dhe Shqipnia janë konsiderue deri së fundmi si pikat kryesore të radikalizimit, rekrutimit dhe lehtësimit të veprimtarive të luftarëve të huej terroristë drejt Sirisë”, shtoi raporti.

Ai thotë se rajoni asht ba nji rrugë e rrahun e hymjes dhe daljes nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

EUROPOL’i paralajmëron se eksperiencat e fitueme në luftim e të kthyemit në Ballkanin Perëndimor mund të jenë kërcënim i madh për sigurinë e rajonit.

BIRN’i raportoi në Mars 2016 se shumë shtetas nga Ballkani – përfshi të dyshuem si luftarë – janë kthy në atdhe.

Të gjitha shtetet në rajon i konsiderojnë të kthyerit si kërcënim të mundshëm të sigurisë dhe kanë ndryshue ligjin për me lejue ndjekjen penale e të dyshuarve që kanë luftue ose kanë nxit të tjerët me luftue ilegalisht në konflikte të hueja.

Raporti megjithatë thotë se nuk ka arsye për frigë për kampe trajnimi për luftarët në Ballkan.