Profil i Ramush Haradinajt, komandanti i UÇK’s që u ba dy herë Kryeministër

Ramush Haradinaj ka marrë për herë të dytë postin e kryeministrit të Kosovës.

Ish-komandant i naltë i ish-UÇK’s dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, ka udhëheq me Qeverinë e Kosovës tre muej, në kohën kur kishte lidh koalicionin me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderin shumëvjeçar të Kosovës, Presidentin tashma të ndjerë Ibrahim Rugova.

 

Lexoni tekstin e plotë

 

Por, pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, Ramush Haradinaj, pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës, ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte.

Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.

Me t’u kthyer në Kosovë, Haradinaj iu bashkua nismës së partive politike, PDK-së së drejtuar nga Kadri Veseli dhe partisë Nisma të drejtuar nga Fatmir Limaj, për rrëzimin e Qeverisë me në krye Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas rrëzimit të kësaj Qeverie, Kosova shkoi në zgjedhje. Kurse Ramush Haradinaj mori besimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës, si kandidat i përbashkët për kryeministër.

Zgjedhjet u mbajtën më 11 qershor, por ky koalicion, i quajtur PAN, nuk arriti të ketë shumicën parlamentare për formimin e institucioneve të reja. Andaj, më 5 shtator, Haradinaj, Veseli dhe Limaj, arritën marrëveshje me Behgjet Pacollin, liderin e Aleancës Kosova e Re dhe së bashku me pakicat krijuan një shumicë që sot numëron mbi 61 vota në Kuvend.

Më 7 shtator, kjo shumicë parlamentare zgjodhi fillimisht Kadri Veselin në postin e kryetarit të Kuvendit. Kurse më 09 shtator, Ramush Haradinajn, kryeministër. /lajmi.net

Shperndaje në: