Prokurori i Shtetit hap landë për 7 persona për dallavere në votim

Për zgjedhjet e parakohshme nacionale që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka ba të gjitha pregaditjet e nevojshme për me realizue mbrojtjen e votës.

Siç njofton ky institucion, gjatë ditës së sotme, deri n’orën 15.00, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës janë disa raste të iniciueme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Deri tash kemi pranue disa informata, prej të cilave janë hap 5 landë, kundër 7 personave.

 

Prej tyne:

·         Në Prishtinë kemi 1 rast kundër 1 personi, për të cilin është bërë kërkesë për paraburgim për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës;

·         Në Pejë kemi 1 rast kundër 1 personit, i cili është në ndalim, për veprën penale, Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK;

·         Në Gjilan kemi 1 rast kundër 1 personi i cili gjendet në ndalim, për veprën penale, Deklarim i rrejshëm, nga neni 391 i KPRK-së, ndërlidhur me veprat kundër së drejtës së votimit;

·         Në Gjakovë nuk kemi ndonjë rast të evidentuar;

·         Në Prizren kemi 1 rast kundër 3 personave, të cilët janë duke u intervistuar për veprën penale, Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, nga neni 211 i KPRK-së;

·         Në Mitrovicë nuk kemi ndonjë rast të evidentuar;

·         Në Ferizaj kemi 1 rast kundër 1 personi, i cili është në ndalim, për veprën penale  Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK.

 

Rreth 100 prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, po veprojnë me urgjencë në secilin rast që po paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.  

 

Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.