Qe defteri osman që mshef rininë e Skënderbeut

Kur e preki për herë të parë dokumentin e arkivës osmane “Defteri i Sanxhakut Shqiptar” që datonte në vitet 1431-1432, Prof. Dr. Ferit Duka, historiani osmanolog, nuk ishte fort i sigurt se kishte nisë nji udhëtim që s’ka mbarue ende në “errësirën” e shekujve osmanë, pak të njohun dhe ndonjiherë edhe të keqkuptuem.

Në atë defter janë gjurmët e nji tjetër defteri mbi familjen e Kastriotëve, për të cilin profesori vazhdon me qenë në kërkim, mbasi siç thotë ai, kishte me qenë nji dokument që kishte me zbardhë rininë e hershme të Skënderbeut.

Megjithëse fati i tij si osmanolog ishte vendosë shumë kohë ma parë, që kur ai ishte student i vitit të parë i Historisë dhe e caktuen në grupin e mësimit të turqishtes, ky moment e ka nxitë historianin që me ja kushtue jetën në vazhdim, deshifrimit të defterëve, si nji hetues që futet në “Pallatin e Andrrave”.

“Defteri Osman i Sanxhakut Shqiptar asht dokumenti ma i vjetër për periudhën osmane të historisë shqiptare i zbuluem deri tash në arkivat e Perandorisë Osmane. Këtë dokument me vlera të pallogaritshme e kishte publikue shumë kohë ma parë osmanisti turk me famë botnore Halil Inalcik dhe unë isha njohurn me të që në Shqipni, por për mue asht i paharrueshëm momenti kur shkela për herë të parë në Arkivin Osman të Stambollit dhe i shtyem nga kureshtja e madhe për me kontaktue vetë me defterin në fjalë, nisa menjiherë kërkimet për të. Mirëpo, me të njajtët kallxues arkivorë në katalogun përkatës më rezultonte të ishte “Defteri i Vlorës”. Ndala frymën dhe thashë me vete: e bana nji zbulim të ri në moshë ende të re, gjeta nji defter po kaq të hershëm për Vlorën! Mirëpo, entuziazmi nuk zgjati shumë. Kur më erdhi porosia pashë se nën atë emërtim të gabuem që kishte vnue arkivisti, ishte Defteri i Sanxhakut Shqiptar dhe jo ai i Vlorës”, kallxon Duka.

ferit-duka

Ky dokument vazhdon me qenë nji burim nxitje për me shkue ma tej, në gjurmët e panjohuna të rinisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.

“Në këtë defter ka nji referim te nji tjetër dokument i hershëm i quejtun “defteri i tokave të Gjonit” (asht fjala për Gjon Kastriotin, baben e Skënderbeut), i cili duhet me qenë nji “çelës magjik” për me i zbardhë enigmat që ende vazhdojnë me mbulue rininë e heroit tonë kombëtar. Kërkimet tona të deritashme për të mjerisht nuk kanë pasë sukses, por jemi të bindun që nëse nji ditë zbulohet, ka me pasë përgjigje të sakta e të plota për pyetjet: a shkoi apo jo Skënderbeu në Edrene, në se shkoi, kur? etj.” -thekson ai.

Defteri2