Qe qysh po bahet beteja propagandistike ruse në Ballkan!

Mediat shtetnore ruse si Sputnjik dhe RT po zgjanojnë ndikimin në pjesët e banueme me serbë në Ballkan, shkruen agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Parlamenti Europian muejin e kaluem ka miratue nji rezolutë kundër “luftës dezinformative dhe propagandistike ruse” dhe ka kerkue nga Komisioni Europian me ndermarrë kundërmasa.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA shkruen se Moska prej vitesh po zhvillon nji fushatë mediale në Ballkan.

Ndonëse gati krejt vendet e rajonit ose janë anëtare të BE’s ose kandidate për anëtarësim, Greqia, Maqedonia, Bullgaria apo Serbia kultivojnë kontakte tradicionalisht miqësore ndaj Rusisë, “vendit ma të madh të botës”.

Bazë e kësaj miqësie asht konfesioni i përbashkët ortodoks apo përkatësia në familjen e madhe të popujve sllavë.

“Mjete qendrore në këtë betejë propagandistike ruse janë agjencia e lajmeve Sputnjik, e cila emiton lajme edhe në serbisht, si dhe televizioni RT (ma herët Russia Today).

E mbasi shërbimet ofrohen falas dhe arkat e mediave po zbrazen gjithnji e ma shumë, materialet e Sputnjikut po hasin në jehonë të madhe.

Simbas DPA’s krahas Rusisë edhe Turqia po angazhohet në fushën mediale në Ballkan.

Agjencisë së lajmeve Anadolu po i hapen dyert para së gjithash në vendet me popullsi myslimane si Bosne apo Kosovë.

Kjo agjenci shtetnore, nënvizon DPA, ka arritë që me plasue në mediat e Ballkanit interpretimin zyrtar të përpjekjes për grusht- shteti në Turqi.

Por propaganda ruse shkon ma tutje. Raportet nga Moska ribotohen apo ritransmetohen edhe kur kanë të bajnë me tema të politikës së mbrendshme.

Në raporte vazhdimisht potencohet se armët ruse janë ma efektive se ato të NATO’s, se Moska, për dallim nga Perëndimi ngurrues, gjithkund në botë po zgjidh kriza, se Putini vepron me vendosmëni, se Rusia na qenka garantuese e të drejtës ndërkombëtare.

DPA shkruen se për me ba fushatë kundër rezolutës së fundit të Parlamentit Europian Sputnjik intervistoi Liljana Smajlovic’in, shefe e Shoqatës së Gazetarëve Serbë.

Ajo e quejti rezolutën “deshmi të histerisë së Luftës së Ftoftë” dhe plotësisht të parëndësishme, shkruen syni.net

Sputnjik i jep hapësinë edhe Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnës, i cili thotë se «për dallim nga BBC dhe CNN, të cilat tanë ditën e lume e mallkojnë popullin» Sputnjik dhe RT si shërbime globale kanë deshmue se munden me raportue me kohë dhe objektivisht.