Qeveria dënon djegien e veturave, kërkon nga subjektet dhe individët me heq dorë nga dhuna

Qeveria e Kosovës e ka dënue djegien e veturave zyrtare mbramë në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Në reagimin e Qeverisë thuhet se sulmet e nji nate ma parë janë të drejtueme kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Qeveria i ban thirrje tana subjekteve dhe individëve, të cilët munden me qenë të implikuen në këto akte, me heq dorë nga dhuna.

Reagimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër djegien një natë më parë të disa veturave zyrtare, në disa qytete të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, këto akte kriminale, në dukje të koordinuara, i konsideron sulme të drejtuara kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve legale dhe legjitime të tij, veprime kundër stabilitetit dhe progresit të Kosovës në proceset zhvillimore e eurointegruese.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin këto ngjarje kriminale dhe të vënë para drejtësisë kryesit e tyre.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të cilët mund të jenë të implikuar në këto akte, që të heqin dorë nga rruga e dhunës dhe përpjekjet për realizim të synimeve politike përmes metodave anarkiste antishtetërore.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për angazhim maksimal në avancimin e zhvillimit ekonomik e social, për integrime euroatlantike dhe për ndërtimin e shtetit ligjor në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.