Qeveria e Malit të Zi për Demarkacionin: Kështu kemi me veprue

Gazeta Express ka komunikue me Zyrën e Kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markovic, m’i këkue përgjigje se qysh kanë me veprue mbasi Kryeministri Haradinaj shkarkoi Komisionin me emnue nji komision të ri, me të cilin synohet me u përmirësue versioni që e ka nënshkrue qeveria e kalueme në Vjenë.

Në vazhdim shkrimi nga Express:

Nga zyra e kryeministri të Malit të Zi, në adresë të gazetës kanë dërguar një intervistë të kryediplomatit malez Sërgjan Darmanoviq, i cili në mënyrë të detajuar ka folur rreth kësaj çështjeje në Televizionin malazez.

Darmanoviq ka thënë se Mali i Zi nuk do ta ndryshojë qëndrimin për demarkacionin pasi e ka miratuar marrëveshjen e arritur me Kosovën.

Ai ka theksuar megjithatë se pala malazeze, do të jetë e hapur për bisedime me miqtë dhe partnerët kosovarë.

Por, a do të pranojë Mali I Zi të hyjë në një proces të ri me Kosovën pasi Kosova ta ketë funksional Komisionin e ri.

“Mund të bisedojmë, por ne e kemi marrë vendimin”, ka thënë ai.

Dy ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli në Nju-Jork ka takuar homologun e tij Darmanoviq dhe pas takimit ka paralajmëruar një vizitë në Mal të Zi. Në këtë vizitë, me gjasë, pala kosovare për herë të parë do ta njoftojë Malin e Zi se çfarë qëllimesh ka kryeministri Ramush Haradinaj, se çfarë do të veprojë me komisionin e ri…

Gazeta Express e sjell të shkurtuar këtë intervistë.

Pyetje: A do të vështirësohet çështja e demarkacionit edhe më tej…?

Darmanoviq: Jo, kjo çështje nuk po bëhet më e vështirë për Malin e Zi, për faktin që Mali i Zi këtë çështje e ka zgjidhur. Ne kemi hyrë në një proces serioz të demarkimit me Kosovën dhe nënshkrimi i marrëveshjes ishte bërë në kuadër të Procesit të Berlinit , që ishte rezultat i punës së komisioneve ndërkombëtare dhe për të cilin u pajtuan pala malazeze dhe ajo kosovare. Mali i Zi, disa muaj më vonë, më 2015, e ratifikoi marrëveshjen në mirëbesim dhe për ne ky proces ka mbaruar. Sa i përket palës kosovare, ne kemi pasur të gjitha garancitë se do të vijë deri te ratifikimi. Megjithatë politika, në vende të ndryshme ka pikëpamje të ndryshme… dhe erdhi deri te konflikit në skenën e brendshme politike të Kosovës për këtë dhe kjo u trajtua edhe gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë. Disa parti kanë vlerësuar se marrëveshja nuk është e mirë dhe erdhëm deri aty që Kosova nuk e ratifikoi, njëra nga këto parti që ka kundërshtuar, është partia e tashmë kryeministrit z.Haradinaj. Ne kemi treguar, dhe nuk kemi dashur që këtë temë ta nxjerrim në plan të parë që t’u bëjmë presion miqve dhe partnerëve tanë në Kosovë dhe nuk do ta bëjmë as në të ardhmen, por thjesht besojmë në kapacitetet demokratike të institucioneve të Kosovës dhe Parlamentit, që këtë çështje ta zgjidhin në të ardhmen. Në fund të fundit duhet ta shohim se çka nënkupton ndryshimi i Komisionit për demarkacion, ndryshimi I komisionit nuk do të thotë se do të ndryshojë qëndrimi e ndoshta komisioni i ri do të vijë në përfundim se e gjithë kjo rreth demarkacionit është krejtësisht në rregull. Sido që të jetë Mali i Zi në këtë çështje nuk mund të bëjë më shumë, por nuk mendojmë se duhet t’i ndryshojmë raportet tona me Kosovën për shkak të kësaj dhe besojmë se do të zgjidhet në mënyre adekuate.

Pyetje: A është kjo marketing politik i Haradinajt?

Darmanoviq: Nuk është doemos marketing politik, zgjedhjet kanë mbaruar, në fund të fundit Kryeministri i ri ndoshta e ka ndërmend ta thotë se atë që e ka thënë gjatë fushatës është serioze dhe t’i bindë të gjithë ata që e kanë votuar dhe të tjerët në publik. Dhe ndoshta edhe nuk përjashtohet si mundësi se ai edhe beson në këtë që marrëveshja nuk është e mirë, megjithatë kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të ratifikohet. Ne nuk mund të ndikojmë për ratifikimin në Kosovë, Kosova si shtet nuk do të thotë ta miratojë shumë shpejt, mund të presë të verifikojë faktet. Por, thjesht ne këtu nuk mund të bëjmë shumë, marrëveshja nuk do të hyjë në fuqi nëse nuk miratohet nga njëri shtet, ndoshta e gjithë kjo do të zgjidhet në një kohë tjetër.

Pyetje: Themelimi i komisionit të ri… a do të marrë pjesë Mali i zi në bisedime?

Darmanoviq: Unë tashmë e thashë se marrëveshja e arritur në Vjenë është ratifikuar në Parlamentin tonë, pra ia kemi dhënë vulën, çfarëdo veprimi do të thotë shfuqizim i atij ligji. Mundësia që të ndodhë kjo është kurrfarë…

Pyetje: Pra kurrfarë bisedimesh me Kosovën?

Darmanoviq: Ne do të kemi kontakte gjatë gjithë kohës me miqtë tanë kosovarë nga Qeveria e re, me Presidentin e Kosovës, në shumë konferenca, bilateralisht, por ne nuk kemi asnjë lajm tjetër rreth kësaj, përveç që për ne kjo është çështje e përfunduar. Deklaratat e SHBA dhe BE kanë qenë të qarta se përfundimi i procesit të demarkacionit është kusht edhe në integrimet evropiane, pra ne mendojmë se kjo është çështje e brendshme në Kosovë dhe ne nuk duhet të përzihemi.

Pyetje: Pra nuk do të pranoni bisedime

Darmanoviq: Mund të bisedojmë me Kosovën, por vendimet i kemi marrë./Gazeta Express/