Qysh funksiononte “ISIS- Shqipnia”, 4 në pranga, mes tyne nji mjek

Katër persona, mes tyne edhe nji mjek u arrestuen nga policia shqiptare nën akuzën e terrorizmit. Ka qenë nji hetim disamujor, ku janë përfshi jo veç policitë e rajonit, por edhe agjencitë ligjzbatuese europiane që ka çue në pranga katër shtetas në Shqipni dhe disa të tjerë në Kosovë.

Arrestimi i tyne u ba gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa policia e publikoi ma vonë lajmin e arrestimit të tyne, mbasi përfundoi i tanë akcioni në rajon.

Të arrestuemit ishin pjesë e nji rrjeti të gjanë në Kosovë, Shqipni dhe Maqedoni dhe ndihmonin në rekrutimin e të rijve për me ju bashkue terroristëve të ISIS’it.

Hetimi i kësaj çashtje mbetet sekret për shkak të natyrës së saj dhe policia publikoi vetëm inicialet e të arrestuemvve. Policia mendon se ka të tjerë të përfshimë, ndërkaq mban të shoqnuem ma shumë se 16 persona, pesë shtetas të huej dhe 11 shqiptarë. I tanë ky grup mendohet se ka dijeni në lidhje me rekrutimet.

Operacioni rajonal antiterror nisi në Kosovë dhe mandej vala e arrestimeve ndjeki të njajtën linjë që përdorin edhe vetë terroristët për me ju bashkue ISIS’it.

Policia tha se ka prova të mjaftueshme që katër të arrestuemit në vend, dy me banim në Shkodër dhe dy me banim në Dibër, merrnin financime nga biznismenë për me i bashkue të rijtë me ISIS.

Ata ndihmonin gjatë udhëtimit të tyne deri në Siri luftarët që shkonin për me ju bashkue kësaj organizate.

Akuza që u ngrit mbi ta asht ajo e “Veprave me qëllime terroriste”, “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”, “Organizimi për pjesëmarrje në luftime luftarake në nji shtet të huej”.

Të arrestuemit janë:

Xh. F, 34 vjeç, lindun e banues në Vranjt, Dibër
B. P, 30 vjeç, lindun në Tiranë, banues në Shkodër
E.F, 30 vjeç, lindun e banues në Shkodër
M. H, 46 vjeç, lindun në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë.