Ra ky futboll e u pame!

Kosovo-Football-Team-300x225500

Albin Mehmeti

 

Ra ky futboll e u pamë! Tema më e debatuar në ditët e fundit është vendimi i futbollistëve kosovarë që të luajnë për kombëtaren e Kosovës. Vendimet e këtyre futbollistëve padyshim se ishin të mirëpritura dhe të domosdoshme për zhvillimin e futbollit kosovar, i cili është në hapat e para të ekzistencës në arenën ndërkombëtare. Krahas gëzimit, dolën në shesh “apostujt” e patriotizmit, të cilët e konsiderojnë vetën si komision i dekorimit të njerëzve në tradhtarë e patriotë. Parim themeltar i demokracisë është liria individuale, ku njeriu e ka të drejtën të zgjedh atë që e mendon se është më e mira për të. Mohimi i këtij parimi, na dërgon në Mesjetë, atëherë kur liria e mendimit ishte e ndaluar, dhe mendimi individual duhet të ishte në korniza të asaj çfarë të lejohet nga shoqëria, apo siç thotë edhe Erich Fromm “njeriu mesjetar nuk ishte i lirë as edhe të vishej siç dëshironte, ose të hante atë që i pëlqente.” Fyerjet, sharjet e etiketimet raciste nga më të rëndet, shkel edhe parimin e tolerancës me të cilin trumbetojmë për çdo ditë. Krenohemi për tolerancë, kurse në anën tjetër nuk pranojmë dhe s’e respektojmë vendimin e tjetrit. Trumbetojmë ditë e natë se e duam njëri tjetrit, kurse në anën tjetër ofendojmë e shajmë njëri-tjetrit. Të urtit tanë dikur e thanë një fjalë “ra ky mort e u pamë”, atëherë kur vetëm fatkeqësitë i bashkonin, kurse rastet e fundit, na mundësuan t’i hapim sytë se tek ne dashuria, respekti e toleranca janë vetëm mite. Shpresojmë që “ra ky futboll e u pamë”, do të jetë maksimë që do ua hapë sytë nacionalistëve, që të shikojnë kah e ardhmja e të zgjohen përfundimisht nga gjumi dhe ëndrrat e së kaluarës që i kanë kapluar.

(Opinion i derguem ne Facebook’un zyrtar te Rrokum TV)