Rama zbaton urdhnat e Erdoganit – heq simbolet turke nga shkollat e Gulen! (dokument)

Qeveria shqiptare nis zbatimin e urdhnit për heqjen e simboleve turke nga shkollat “Gylen”

Më 13 Maj 2015, nga sheshi i Namazgjasë ku ndodhej për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit presidenti turk Erdogan ka leshue alarmin: nxirrni jashtë Shqipnisë Lëvizjen Gulen, të cilën Erdogan e sheh tash edhe si organizatore të grushtit të deshtuem të shtetit të 15 Korrikut 2016.

Në Maj të vitit të kaluem Gulen akuzohej se kishte ngrit nji strukturë paralele.

Këto akuza nuk ngjitën në komunitetin nderkombëtar, sikundër dyshime ka edhe se grushti i shtetit ka qenë vetëm nji sajesë e presidentit autokrat të Turqisë.

I vetmi që reagoi ndaj kerkesës së Erdogan me ba në Tiranë ishte deputeti Ben Blushi.

Nji ditë ma vonë ai i kërkoi parlamentit që të mos e linte në heshtje kerkesën:
Për interesat e tij apo jo, Erdogan nuk e ka lanë vetëm te deklaratat e luftës kundër Gulen në Shqipni.

Lapsi.al disponon nji kerkesë të ambasadës turke drejtue Ministrisë së Jashtme për me heq simbolet dhe flamurin turk nga krejt institucionet arsimore jopublike në Shqipni.

Shkresa i asht kalue Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe ajo ju ka shpërnda në formë urdhni krejt insitucioneve jopublike në Shqipni.

Në shkresën e firmosun nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca, thuhet:

“Në ministrinë e arsimit dhe Sportit është paraqitur shkresa me nr 11395 prot. datë 29.09.2016 e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kërkesën e ambasadës turke në Tiranë për të ndaluar përdorimin e mërtimeve “turke” dhe simboleve Kombëtare të Republikës së Turqisë, përfshirë flamurin turk, në godinat e institucioneve arsimore jopublike.

Bazuar në nenin 34 të ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, institucionet e arsimit të lartë kanë emrin zyrtar dhe stemën, të cilat përcaktohen në vendimin e hapjes së institucionit.

Për sa më sipër kërkojmë respektimin e dispozitës së mësipërme lgijore, për përdorimin e mërtimeve zyrtarë të stemës, që u janë miratuar në aktin e ahpjes së institucionit”.
“Perandoria” Gulen në Shqipni perfshinë disa kolegje dhe universitete. Ajo që bje në sy në shkresën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit asht fakti sesi ajo ju kerkon shkollave jopublike të arsimit të naltë zbatimin e ligjit të arsimit të naltë në Shqipni bazue në kerkesën e nji ambasade të huej.

Në vend që t’ju kerkoi thjesht me mbajtë vetëm simbolet që kanë të përcaktueme në ligj, u shkruen se asht e detyrueme me ba këtë sepse e ka kërkue “ambasada turke”, tue tregue kështu atë lloj vasaliteti për të cilin Blushi u binte kambanave të alarmit në parlament kur Erdogani kerkoi luftë ndaj investimeve të Gulen në Shqipni, të cilat, në kohën kur kanë nisë, kanë pasë edhe bekimin e Erdogan dhe të ambasadës turke.

Mjaft institucione arsimore jopublike në Shqipni mbajnë flamuj e simbole të vendeve të ndryshme, perfshi flamurin grek, atë të Bashkimit Europian apo të Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Por kërkesa e ambasadës turke duket se ka për qëllim që shkollat e Gulen në Shqipni të mos identifikohen si përfaqësuese të Turqisë.

Lapsi.al ka me sjellë edhe nji shkresë tjetër që ambasada turke i ka dërguar Ministrisë së Brendshme, me anë të së cilës e vë në dijeni për disa përfaqësues të lëvizjes Gulen nëpër institucionet shqiptare.

 

2-lapsiiiii