Raporti amerikan për Shqipninë e vitit 1954: Janë zhdukë 16 mijë shqiptarë, mes tyne ministra e deputetë (dokument)

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit në Shqipni i ka kërkue ambasadës amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkueme në Shqipni raportet që kanë mujt me qenë të pregaditun mbi kampet e punës së detyrueme në Shqipni gjatë diktaturës komuniste.

Ditën e djeshme, stafi i ambasadës së SHBA ka dërgue nji raport special që në vitin 1954 SHBA hartonte për situatën në Shqipni.

Raporti mban numrin 13 dhe datën 30 Dhetor 1954. Duket të ketë qenë i gjatë, megjithatë për tri faqet e vendosuna në dispozicion, Autoriteti thotë se “Ambasada na dërgoi këtë raport të pregaditun nga qeveria e USA në vitin 1954, ku përfshihet edhe puna e detyrueme dhe gjendja nëpër kampe. Kërkimi i tyne vazhdon”.

Në dokumentin që botoi sot “Gazeta Shqiptare” fotografohet situata në kampe, në luftën e klasave, dënimin e shqiptarëve, jetën si skllavën, varfnia, burgjet, dënimet e kundërshtarëve dhe nji informacion mbi politikën e jashtme të Shqipnisë.

PJESË TË RAPORTIT

Pjesa e raportit nis me një informacion mbi besimin dhe klerin. “Marrëdhëniet e Vatikanit me kishat kalojnë vetëm përmes qeverisë. Kisha katolike në Shqipëri i nënshtrohet ligjit kanonik vetëm nëse dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me ligjet e Republikës së Popullit Shqiptar, rendit publik dhe zakoneve të mira”, thotë raporti amerikan. Vihet në dukje se priftërinjtë po trajnohen në seminare “të krijuara e të administruara” me aprovimin e qeverisë.

“Agresioni kundër kishave nuk do të ishte ligjëruar nëse komunistët nuk do të kishin eliminuar anëtarët më të spikatur të klerit. Të tria besimet kanë pasur viktimat e tyre, por më shumë kanë qenë katolikë. Në mënyrë që t’i mbajnë kishat nën kontroll, qeveria komuniste e Shqipërisë ka vënë në krye të tyre klerikë, të cilët janë të gatshëm të jenë vegla e saj. Disa prej tyre janë komunistë”, thotë raporti special i qeverisë amerikane.

PUNA E DETYRUAR

Puna e detyruar ka qenë gjerësisht e përhapur që kur regjimi komunist mori kontrollit në vitin 1944 shkruan raporti. “Ka një numër ligjesh e rregulloresh që janë vënë në zbatim, që ligjërojnë punën e detyruar, ndërsa Kodi i ri Penal Shqiptar, i bazuar në Kodin Penal Sovjetik, përmban dispozita të përpunuara për “punën korrektuese” (një eufemizëm për punën e detyruar) dhe dërgimin e qytetarëve në kampet e përqendrimit e punës. Edhe fëmijët që kanë arritur moshën 12-vjeçare janë të përshtatshëm të dënohen në kampet e punës “korrektuese” për krime kundra shtetit”.

PROPAGANDA

Një pasqyrë përmbledhëse bëhet nga qeveria amerikane më 1954 edhe për propagandën. Vihet në dukje se shtypi dhe çdo media tjetër janë propagandë nën kontrollin tërësor të qeverisë. “Asnjë media e pavarur ose opozitare e asnjë burim tjetër informacioni nuk ka nën qeverinë aktuale. Të gjitha gazetat, periodikët dhe librat botohen ose direkt ose indirekt nga Partia Komuniste ose organizatat e saj, ose nga qeveria, ushtria a institucione të tjera. Një numër i madh të ashtuquajturash gazeta (buletine) shtypen në fshatra, zyra, shkolla e kudo ku ka njerëz që punojnë a jetojnë së bashku. Në fund të vitit 1953, 41 gazeta dhe periodikë janë botuar dhe shpërndarë në 2 milionë kopje në muaj. Sa për kontrast, më 1950 ishin 21 gazeta dhe periodikë që botoheshin në Shqipëri me një qarkullim mujor prej 225 mijë kopjesh. Të gjitha makineritë e përdorura për shtypje botimesh zotërohen nga qeveria. Katër vite pas ardhjes së komunistëve në pushtet të gjitha shtëpitë botuese u bashkuan në një të njohur me emrin “Shtëpia Botuese Naim Frashëri”, të cilës i është dhënë e drejta e çdo publikimi në vend.