Promovohet ribotimi i librit ‘Gjurmët LONG PLAY’ i Migjen Kelmendit

Sonte asht ba promovimi i ribotimit të librit ‘Gjurmët LONG PLAY’, me autor vokalistin e këtij grupi, Migjen Kelmendi.

Në nji ngjarje të organizueme posaçërisht për këtë promovim, Kelmendi tha që libri asht ribotim i origjinalit nga viti 2001, për shkak se ka pas nji zbrazëtinë në periudhën midis viteve të 90’ta deri tash, të asaj që përfaqësonte muzika dhe jeta në Prishtinën e kohës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

“Kur ishim në Tiranë në koncert, publiku na falënderohej neve, në vend se na t’ju falenderoheshim per prezencen e tyne ne koncertin “Gjurmët”… dhe arsyeja pse publiku na falenderonte ishte se kanget e grupit e kujtonin kohën e artë, kohen e asaj rilindje shqiptare në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, ku si pjesë e saj lindi edhe rocku”, tha autori Migjen Kelmendi gjatë promovimit.

Tutje, ai tha që në këtë libër asht mundue me ba nji rikapitullim të historikut të ndërtimit të muzikës rock në Prishtinën e asaj kohe, ‘për nji Prishtinë që s’asht as e Shpendit e as e Lirakut’.

“Libri asht i shtrejtë pak, sepse vjen me nji botim ‘çallëm’. Ribotimi m’bani me i shkrue disa fjalë, dhe ju ftoj ta lexoni dhe ta kuptoni nji pjesë të historisë dhe krijimtarisë kosovare për rock’un”, tha Kelmendi gjatë promovimit.

Të pranishëm në ngjarjen ku u promovue ky ribotim ishin njerëz nga bota e muzikës rock, nga politika e kultura në përgjithësi.

Ndër pjesëmarrësit ishte edhe gitaristi ma i famshëm i asaj kohe, Nexhat Macula.

Ribotimi u mundësue me ndihmën gjeneroze të Fondacionit “Un e du Kosovën”, si botim i Java Multimedia Production.

Libri asht shtyp në Vjenë të Austrisë dhe vjen me nji standard të naltë të botimit hard-cover, me shumë fotografi me ngjyra e bardh e zi.

Parathaniet për ribotimin e librit “Gjurmët Long Play” i kanë shkrue Chris Keulemans (shkrimtar dhe ish drejtor i Qendrës Kulturore “De Balie”, në Amsterdam, Shkelzen Maliqi (filozof) dhe Ragip Luta (ish gazetar i seksionit shqip BBC).

 

Shperndaje në: