Samiti i NATO’s në Tiranë, Rama: Ballkani në hartën e sigurisë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën e Komitetit të NATO’s që po mbahet këtë të Shtunë në Tiranë, ka deklarue se Shqipnia ka me rritë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe ka me shtue shpenzimet ushtarake.

“Ne jemi bashkuar në angazhimet e Aleancës në një nivel mbiprofesional. Misionet e Shqipërisë në NATO nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë nuk ka qenë e lehtë për shkak të resurseve të kufizuara të vendit, por prania jonë do të fuqizohet me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, ashtu sikurse FA tona do të jenë prezent në çdo front ku do të thirren. Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për angazhimet e NATO-s”, ka deklarue Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka nënvizue se nji tjetër përgjegjësi për Shqipninë, si vend anëtar i NATO’s, asht që Ballkani m’u shndrrue në nji rajon të paqes dhe stabilitetit.

Me hyrjen e Malit të Zi në NATO, që Shqipëria e ka mbështetur fuqishëm, Aleanca jonë përveç se Atlantike u bë edhe “Adriatike”. Deti Adriatik është shndërruar në një det të brendshëm për Aleancën, duke i dhënë asaj kontrollin në një aset maritim shumë të rëndësishëm”, ka thanë Rama, raporton Tch.

Megjithatë, ka vijue ai, hartës së NATO’s i mungojnë Bosna, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, të cilat simbas Kryeministrit kanë me kompletue organigramën e sigurisë europiane.

“Kjo zonë, ende e papërfshirë në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një territor ku aktorë të tretët shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim. Shqipëria ka një interes, por dhe përgjegjësi që kjo pjesë organike e rajonit të shndërrohet në faktor të prosperitetit të tij. Si vend i NATO-s ne jemi përpjekur dhe kemi arritur jo pak në një proces që vazhdon”, ka pohue Rama.

Mbështetja e disa proceseve, tue fillue nga konsolidimi i demokracisë së re në Kosovë, inkurajimi i politikave dhe faktorëve euro-atlantikë në Maqedoni dhe normalizimi i marrëdhanieve me Serbinë janë disa nga drejtimet kryesore ku asht përqëndrue politika e jashtme e Shqipnisë, ka saktësue ma tej Rama.

“Së fundmi Serbia ka dhanë disa sinjale për nji qasje të re politike ndaj NATO’s dhe BE’s. Megjithatë, kambëngulja e serbëve për nji formulë tjetër sigurie, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, e ndërlikon perspektivën e nji arkitekture të qartë e të qëndrueshme”, ka thanë Rama.

Shperndaje në: