SHBA, Anglia e Franca nga OKB kërkojnë pranimin e Kosovës në Interpol

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkueme ka diskutue sot raportin 3-mujor të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon për Kosovën.

Në emën Kosovës foli ambasadorja jonë në SHBA, Vlora Çitaku, e cila mbas krenarisë për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, kritikoi destruktivitetin e Serbisë në raport me Kosovën, e sidomos për çashtjen e të pagjetunve të luftës.

Mirëpo ministri i Jashtëm i Serbise, Ivica Dacic ia hodhin fajin Kosovës për mosrespektimin e Marrëveshjeve të Brukselit.

Në këto deklarata, ai kishte edhe mbështetjen e ambasadorëve të Rusisë, Kinës, Egjiptit, Spanjës etj, të cilët ishin për vazhdimin e misionit të UNMIK, tue’ thanë se rezoluta 1244 e OKB duhet me mbetë në fuqi.

Por ambasadori britanik tha se mbas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, si dhe lëvizjes së lirë, Këshilli i Sigurimit po i mban mbledhjet në nji vakuum ligjor, sepse pamvaresia e Kosovës tashma asht konfirmue ndërkombëtarisht.

Në mesin e folësve të shumtë, edhe ambasadori amerikan në OKB, kërkoi reduktimin e misionit UNMIK në Kosovë.

Tue falenderue Kosovën për kontributin në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit, ai kërkoi që vendi jonë mos me u krahasue me ISIS, sepse kjo asht joproduktive.

Ambasadori kërkoi edhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol, derisa përmendi anëtarësimin e vendit tonë në UEFA dhe FIFA, si dhe shpalljen kampione të Majlinda Kelmendit.

Të njajtën kërkesë për pranimin e Kosovës në Interpol, bashkë me mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe në OSBE, e dha edhe ambasadori i Francës, i cili, sikurse të gjithë parafolësit, kërkuen zbatimin e marrëveshjeve të arrituna në Bruksel, si dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ambasadori francez kërkoi gjithashtu rafitikimin sa ma shpejt të marrëveshjes me Qeverinë e Holandës, për themelimin e Gjykatës Speciale, tu’ e quejtë këtë si provë se Kosova asht e vendosun për sundimin e ligjit.