Shejtnimi i Nanë Terezës: Vatikani shpall programin e festimeve

Edhe për pak ditë Nënë Tereza do të jetë shenjte! Shenjtja e parë shqiptare, Shenjte universale e kohëve moderne, që kremtohet në mbarë botën, ku vijon të jetojë në Krishtin e gjallë, në simotrat e, sidomos në të varfërit e saj!

Radio Vatikani njofton se “vlojnë përgatitjet, e jo në një fshat, qytet a komb, por kudo ngrihet një strehë e të mjerëve, vepër e Nënë Terezës. E, sidomos, thënë simbolikisht, në “tri vendlindjet e saj”: në Selinë e Shenjtë, vendlindje e shpirtit; në Indi, vendlindje e misionit; në Shkup, Tiranë, Prizren, Gjakovë, në të gjitha trojet shqiptare: vendlindje e korpit e gurrë e gjakut.

Kremtimet në Vatikan e në Romë janë të shumta, qe programi ne origjinal:
KATEKIZMI I PAPËS FRANÇESKU
në orën 8.30 përgatitja – në orën 10.00 fillimi i katekizmit në Sheshin e Shën Pjetrit
Hyhet me biletë

Më pas, ORATORI “MOTHER” i Marcello Bronzetti, me korin dhe orkestrën Fideles et Amati, ora 17.00, në Bazilikën e Shën Andrea della Valle. Mesha Shenjte, në orën 19.00, e, në përfundim të Meshës, nderimi i relikeve të së Lumes Tereza e Kalkutës

Të diel, 4 shtator
LITURGJIA SOLEMNE EUKARISTIKE E SHENJTËRIMIT TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS.
Ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit
E nevojshme, bileta e hyrjes, falas, por që duhet pasur në dorë.
Lutja e Engjëllit të Tënzot e Papës Françesku
Ora 12.00, Sheshi i Shën Pjetrit

E hënë, 5 shtator
FESTA E PARË E SHËN TEREZËS SË KALKUTËS
Mesha e falënderimit, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, me pjesëmarrjen e korit të Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina
Ora 10.00, Bazilika e Shën Pjetrit

Pasdite
NDERIMI I RELIKEVE TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS
Ora 16.0- 18.00 – Bazilika e Shën Gjonit në Lateran
Kremtimet në Vatikan e në Romë do të vijojnë deri më 8 shtator. Shtegtarët do të mund të orientohen përmes programeve përkatëse…

Dita e shenjtërimit
Por të rikthehemi tek Dita e shenjtërimit: mijëra e mijëra motra, veshur me sarin bardh e blu dhe një turmë vigane besimtarësh, ardhur nga të katër anët e botës, ndërmjet të cilëve, shumë, shumë shqiptarë, do ta mbushë përplot Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, që do të jetojë, kështu, një nga ditët më të paharrueshme të Jubileut të Mëshirës e të gjitha viteve të fundit të jetës së tij shumëshekullore.

Murgesha imcake, Gruaja shtatvogël, që zgjodhi Indinë për t’u shërbyer të fundmëve, do të bëhet vërtet shtatmadhe, duke u lartuar në nderimet e elterit e duke i treguar mbarë botës sa të vërteta janë fjalët e Krishtit: “Të fundmit, do të jenë të parët!”.

Natyrisht që rreth Sheshit të Bazilikës vatikanase po punohet intensivisht që tani, për t’u krijuar siguri të plotë të gjithë atyre, që do të kenë fatin të jenë të pranishëm, ndërmjet të cilëve, mbretër, presidentë, kryeministra e personalitete të tjera kishtare e civile, nga të katër anët e botës.

Kuptohet se ngjarjes së madhe të 4 shtatorit do t’i paraprijnë një mori veprimtarish, kudo shkeli këmba e mbathur me sandale të ngrëna nga rruga e gjatë e Nënës së të varfërve e, doemos, në Vatikan: meshë, katekizëm, lutje, ekspozita me reliket e Shenjtores, koncerte…

Kremtime në Indi
India do ta kremtojë Shenjtërimin e Nënë Terezës me një sërë veprimtarish, ndërmjet të cilave Festivali i Filmit e do të jetë e pranishme në Vatikan me një delegacion të rangut të lartë, ashtu si Shkupi, Tirana e Prishtina. Pa kujtuar, këtu delegacionet, kryesuar nga autoritetet më të larta shtetërore e kishtare të vendeve të tjera të botës.

Në Dioqezat e Shqipërisë
Po kjo atmosferë, në Dioqezat e Shqipërisë, ku do të organizohen veprimtari me të varfërit, do të shfaqet Muzikali i Nënë Terezës, do të mbahen konferenca shkencore, ndërsa po dalin botime të ndryshme, si figure të Nënë Terezës, fletëpalosje për familjet, poster, figure, doracaku për nëntëditëshin, në vijim etj; do të ndiqen edhe dëshmi të motrave të Nënë Terezës në Katedrale apo në famulli, sipas kërkesës.

Ekspozita për Nënë Terezën, do të hapet në datat e mëposhtme:
Datë 22 gusht – 11 shtator, në Sapë
Datë 12 shtator – 18 shtator, në Lezhë
Datë 19 shtator – 25 shtator, në Rrëshen
Datë 26 shtator – 3 tetor, në Shkodër
Datë 3 tetor – 19 tetor, në Tiranë

Datë 20 tetor – 28 tetor, në Administaturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut.
Më 10 shtator do të kremtohet një Meshë falënderimi, në nivel kombëtar, në Katedralen e Sapës në orën 10:00 (po në këtë datë mund të kremtohet dhe në Katedralen e Prishtinës).

Më 11 shtator, e dielë, meshë falënderimi në çdo famulli, ndërsa një delegacion do të shkojë në Shkup.
Më 4 shtator, Ipeshkvia e Shkupit do të organizojë kremtimin me temë: “Ditët e hirësisë së Nënë Terezës”, që do të vijojë nga 5 deri më 11 shtator, për të përfunduar me kremtimin artistik, atje ku pa dritën së pari, ku ishte shtëpia e saj e lindjes, që do të shpallet vend i shenjtë.
Kisha katolike në Kosovë organizon, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Adresa: Piazale San Paolo, 1,00146 Roma, Italy:
Koncert i madh
“HIMN PËR NËNË TEREZËN”
Shtegtarët nga Kosova do të nisen drejt Romës me rrugën Prishtinë-Durrës-Bari-Romë. Ndërsa shqiptarët e diasporës po organizohen nga misionet shqiptare katolike e do të nisen sipas programeve të tyre të veçanta, për t’u bashkuar “në një komb” të vetëm, në Vatikan.

Të gjithë ata, që dëshirojnë të shtegtojnë në Vatikan, duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen në Koncert e në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Luten të gjitha grupet e shtegtarëve, që kanë siguruar biletat e pjesëmarrjes në Meshën e shenjtërimit, të jenë të diel, në orën 07.00, në krye të Via della Conciliazione, në drejtim të Sheshit të Shën Pjetrit, që të mund të shtegtojnë bashkë.

E luten edhe të konfirmojnë pjesëmarrjen në Meshë! Meshë që e larton në elter Shqiptaren e Madhe, atë që, e penguar, e keqinterpretuar, e pakuptuar, u pushtua plotësisht nga dashuria e Krishtit për çdo njeri. Ishte prani që transmetonte, e transmeton, frymën e Ungjillit në mbarë botën, frymë ndryshimi, përtëritjeje, risie! Frymë mëshire.