Shqipnia e mrekullueshme e Edith Durham: Fotot e rralla

Mary Edith Durham (1863-1944) vinte nga nji familje e madhe dhe e pasun nga veriu i Londrës. Ishte ma e madhja prej tre vllaznëve dhe gjashtë motrave, të cilët ishin kryesisht të suksesshëm në karrierat e tyne përkatëse në mjekësi, inxhinieri dhe administratën publike. Edith, të cilën në familjen e saj e thirrnin me nofkën mashkullore Dickie, ndoqi Bedford College në Londër (1878-1882) dhe mandej studioi pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretnore të Arteve.

Në verën e vitit 1908 Edith bani nji udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruem në librin e saj ma të njohun High Albania, Londër 1909, ribotim 2015, shqip, Shqipnia e Epërme, Tiranë 2012. Edhe sot e kësaj dite shumë lexues janë të mendimit se ky asht libri ma i kandshëm në gjuhën angleze i shkruem ndonjihere për Shqipninë.

Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në Gusht të atij viti, Edith Durham bleu nji aparat të vogël fotografik të markës Kodak Brownie. Me sa doket, atë aparat e ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan. Gjithsej, tash disponojmë 450 fotografi të saj nga Ballkani. Ato ruhen kryesisht në Institutin Mbretnor Antropologjik (Royal Anthropological Institute) në Londër, në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pitt Rivers në Oksford.

al3-1 al4-1 al5-1 al7-1 al8-1 al9-1 al11-1 al13-1 al31-1