Shqiptarja mban fjalimin kryesor në Festën Kombëtare të Zvicrës

Nazmije Ismaili nuk asht emën i panjohun në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ajo njihet si kandidate në zgjedhjet në nivel lokal, kantonal dhe nacional nga Partia Liberale e Zvicrës (FDP/PLR).

Në komunën ku ajo jeton, asht shumë aktive në degën e kësaj partie dhe më gjanë. Si rezultat i angazhimit të saj, Nazmijes i ka takue nderimi i veçantë që të mbajë nji fjalim në manifestimin me rastin e festës nacionale të Zvicrës, 1 Gushtit, në Amriswil.

“Ajo e përdor podiumin si orë alarmi”, asht titulli i artikullit që gazeta “Thurgauer Zeitung” ja kushton politikanes së re shqiptaro-zvicerane.

Kur në solemnitetin e festës nacionale që mbahet në Amriswil, Nazmije Ismaili ka me u paraqitë para publikut, asaj ka me ju plotësue nji dëshirë. Politikania liberale me rrajë shqiptare ka me folë lidhun me vlerat tipike zvicrane, lidhjen e saj me Thurgaun dhe të ardhmen e të rijve.

Këto vlera ajo i ka ma afër zemrës. Për to, ajo ka me apelojë që me pasë angazhim ma të madh politik.