Shqiptarja rrëfen tmerrin e tërmeteve n’Itali: ‘Mendova se kemi me vdekë’, banorët tuten me i lanë shtëpitë se mos i vjedhin

Irma asht nji shqiptare që jeton prej vitesh në Itali bashkë me burrin dhe 3 djemtë, 18, 13 dhe 5 vjeç.

Tërmetet që dridhën sërish Italinë dhe sollën terror e tutë për banorët, tronditën jo pak edhe familjen e saj që jeton 50-60 km larg epiqendrës. Në nji rrëfim për “BalkanWeb”, Irma kallxon minutat e para të tmerrit, kur fëmitë e saj vrapuen kambëzbathun me tanë shiun rrebesh dhe dolën jashtë shtëpisë, ndërsa ajo vetë u bllokue mbrenda.

“Ishin 2 minutat ma të gjata të jetës sime, mendova se kemi me vdekë”, thotë ajo. Bashkëshorti i saj prej mbramjes së djeshme ndihmon në qendrat e pritjes që janë ngritë nga Mbrojtja civile.

– Irma kur ndodhi tërmeti i parë dje ku ishit dhe çka keni ba? 

Tërmeti i parë ndodhi në orën 19:11, kohë darke dhe shumica e njerëzve ndodheshin në shtëpi. Unë isha në dhomën time dhe po pregaditja çantën për me shkue në punë dhe 2 fëmitë e vegjël ishin në sallon, por me derën e jashtme hapun se po folnin me shokun e tyne.

Ndigjova nji zhurmë sikur kalon treni kur e ke afër dhe bërtita sa kisha fuqi “jashtë­ jashtë “dhe mu mbyll dera e dhomës e mundohesha me çelë. I piskata djalit që asht 13 vjeç dhe të voglit, Gabri, Romeo e qaja tue bërtitë. Ishin 2 minutat ma të gjata të jetës sime dhe për nji moment mendova se kemi me vdekë

Kur mbaroi dridhja mu hap dera dhe vrapova drejt sallonit te fëmitë, po ata falë Zotit kishin dalë dhe më thirrnin nga jashtë të traumatizuem, zbathun, në shiun që binte me kofe, jo me pika. Mandej erdhi burri me vrap, ndërsa djali ishte në qendër.

U bllokuen linjat e telefonit dhe nuk komunikoje me askend, falë Facebook­ut lidhëm e bamë grup në Mesenger. Dolëm krejt përjashta. Paniku në maksimum, alarmet e kerrit dhe të bankave u aktivizuen.