Sot Nobeli, “Tages Anzeiger” ka perzgjedhë tre kandidatë, ku asht Kadare!

Krejt adhuruesit e letërsisë sot presin me padurim lajmin nga Stokholmi se kush ka me marrë çmimin Nobel për Letërsi.

Si çdo vit edhe sivjet përmendet shkrimtari amerikan Philip Roth, i cili prej vitesh injorohet nga Akademia Suedeze.

Ndoshta për Roth asht vonë, shkruen redaktori i letërsisë i gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, Martin Ebel.

Andaj ai për tri vitet e ardhshme – 2016, 2017, 2018 – ka përzgjedh tre kandidatë.

Kandidati i parë asht Milan Kundera.

Me romanet e tij “Shakaja”, “Lehtësia e padurueshme e të qenit” dhe të tjerë ky autor çek ka krijue nji vepër me romane që nuk mund të krahasohet me asgja në kohën tonë, shkruen Ebel.

Ai lavdon lehtësinë serioze, melankolinë gazmore, dendësinë e lehtë, bisedat e mrekullueshme filozofike dhe balancën muzikale të temave dhe motiveve të Kunderës.

“Librat e Kunderës, të cilat ndërlidhin rrëfimin dhe refleksionin, transportojnë mendjen e ndritun të iluminizmit francez në epokën e tij, të karakterizueme nga komunizmi shtetnor, pastaj nga bota e mediave dhe e konsumit e Perëndimit”.

Kandidati i dytë që meriton Nobelin për Letërsi, simbas Ebel, asht Ismail Kadare.

“Shkrimtari ma i madh i Shqipnisë ka kalue nëpër përvoja edhe ma intensive me sundimin totalitar: ai jetoi nën regjimin e Enver Hoxhës, i cili herë e përkrahu (sepse në romanin e tij “Dimri i madh” u shfaq si figurë historike), herë e shtypi (me ndalim publikimi, punë të detyrueshme në fshat).

Që librat e tij të botoheshin Kadare i vendosi ato shpeshherë në nji të kalueme përrallore osmane.

Me romanin “Pasardhësi” Kadare ma vonë dhe krejt hapun ka rrëfy se si ideologjia dhe sundimi i dhunshëm nguliten në shtjellimet e skajshme të trunit dhe shpirtit; edhe të sundimtarëve.

Në mënyrë të saktë psikologjike dhe me imazhe të fuqishme romanet e Kadaresë e transportojnë realitetin absurd në surrealizëm dhe mit.

Përndryshe në hapësinën gjermanofolëse atë dikur e pati ba të njohun shtëpia botuese Amman Verlag e Zürichut”, nënvizon Ebel, i cili në Zvicër, Gjermani dhe Austri konsiderohet si njani prej kritikëve ma të njohun letrarë.

Kandidati i tretë Yan Lianke asht ma pak i njohun nga tre emnat e përzgjedhun.

Mbas Mo Yanit të afërt me qeverinë kineze (i cili fitoi Nobelin më 2012) Lianke do të ishte nji autor kritik dhe po aq i mirë.

Lianke shkruen për ato tema, të cilat historiografia zyrtare i hesht: skandalet dhe katastrofat e historisë së re kineze.

Romani i tij mbi vitet e urisë 1958-1962, i cili sapo ka dalë në anglisht (The Four Books) asht i ndaluem në atdheun e tij.

Romani i tij madhështor “Puthjet e Leninit” asht lejue me u  botue dhe mund të shijohet edhe në gjermanisht, shkruen Ebel.

Ky roman tregon mikrokozmosin e nji fshati provincial, ku fushatat politike shkatërrojnë vendin dhe njerëzit dhe ku në “Kinën e re” etja për gllabërim asht parësore. Mapo.al