Tenori Saimir Pirgu merr “Çelsin e Tiranës”

Tenori me famë botnore, Saimir Pirgu, asht nderu sot nga Bashkia e Tiranës me simbolin “Çelsi i Qytetit”.
Ai asht prit në nji takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili i ka dorëzu edhe simbolin e qytetit, në shej mirënjohje për kontributin që artisti me famë botnore ka dhanë në promovimin e vlerave tona kombëtare dhe në mënyrë të veçantë për përzgjedhjen e Tiranës si nji nga stacionet e turrit të tij botnor, i cili kalon përmes qyteteve ma të mëdhaja të artit dhe kulturës në botë.

Tokio, Firence, Moskë, Vienë, Berlin, Paris dhe New York. Ai shoqnohej në këtë takim edhe nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni.

Gjatë ceremonisë kryebashkiaku Veliaj falenderoi artistin për koncertin e shumëpritun që ka me mbajt ditën e Shtunë në Tiranë, mbas suksesit në kryeqytetet e kulturës botnore, me albumin “Il mio Canto”, ndërsa theksoi se Pirgu asht kthye në krenari për kombin shqiptar.

“Nuk besoj se ka kompliment ma të madh se Çelsi i Qytetit që kompenson aspiratën e nji femie që shikon nji histori suksesi të realizueme me shumë punë, pa njohje, farefis, politikë, por me zanin dhe përkushtimin maksimal”, tha Veliaj.