Thaçi ju thotë amerikanëve: Transformimi i FSK’s asht i pandalshëm (foto)

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka prit në takim nji delegacion të Shtetit të Iowa’s në SHBA, të udhëhequn nga Sekretari për Bujqësi, Bill Northey, bashkë me gjeneralmajorin Timothy Orr prej Gardës Kombëtare Amerikane të Iowas.

Presidenti Thaçi theksoi se vizitat e ndërsjella janë shumë të randësishme për me avancue bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat.

“Raportet tona me SHBA’n përjetësisht do të jenë të veçanta. Bashkëpunimi jonë me Iowa asht vetëm reflektim i këtyne raporteve. Ky bashkëpunim asht tue forcue shtetin tonë”, ka theksue Presidenti Thaçi.

 Në këtë takim asht folë edhe për bashkëpunimin ndërmjet Gardës Kombëtare Amerikane të Iowas dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thanë se transformimi i FSK’s n’Ushtri asht e drejtë kushtetuese e Kosovës, tue ritheksue se askush nuk mundet me vendos veto dhe se ky transformim asht i pandalshëm.

“Kemi me levizë në mënyrë të koordinueme në transformimin e FSK’s”, ka shtue ai.

Gjeneralmajori Timothy Orr ka thanë se partneriteti ndërmjet gardës dhe FSK’s asht shumë i fuqishëm dhe ka me vazhdue me trajnime dhe programe të ndryshme mbështetëse për FSK’n.

Me delegacionin e Iowas, Presidenti Thaçi ka bisedue edhe për shkëmbimet në fushën e arsimit, bujqësisë dhe fushave të tjera.

Ai ka falënderue Sekretarin për Bujqësi, Bill Northey, si dhe anëtarët e tjerë të grupit për mbështetjen që Iowa i ka dhanë Kosovës në fushën e bujqësisë.

Presidenti ka thanë se edhe studentët që kanë përfundue dhe janë tue vazhdue studimet në universitetet e Iowas do të kthehen për të mbështetun zhvillimin e Kosovës.

Ai ka mirëprit edhe idenë e delegacionit për me hapë nji Zyre të Iowas në Kosovë, e cila kishte me lehtësue edhe ma shumë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.