E Diell, 11 Dhetor 2016

Thaçi per kishen në kampusin e UP: E turpshme protesta e studentëve, kisha nuk guxon me u cenue

thaci-roll

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reague ndaj protestës së studentëve, para objektit të Kishës Ortodokse Serbe që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

“Është e papranueshme dhe e turpshme protesta e sotme para objektit të Kishës Ortodokse Serbe në Prishtinë dhe është e dënueshme dhuna që është manifestuar aty.

Pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, ne nuk guxojmë të lejojmë që të cenohen këto objekte, veçanërisht kur ato i përkasin komuniteteve fetare.

Çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që vazhdojmë t’i kultivojmë dhe me të cilët mburremi të gjithë.

Çdo kontest duhet të zgjidhet në mënyrë ligjore, me dialog ndërmjet palëve. E jo me veprime të njëanshme që nxisin urrejtje dhe dhunë” (sic.), ka shkrue Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Reagimi i Presidentit vjen mbasi katër organizata studentore i kane organizue studentët për me kundërshtue funksionalizimin e kësaj kishe, përmes nji aksioni simbolik. Kur studentët deshtën me vendos nji pankartë para kishës, ndodhi nji përleshje me Policinë.