Thaçi takoi Tusk’in, sonte në New York pritet nga Trump

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, ka nis sot takimet në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kreu i shtetit, i shoqnuem nga Zavendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, u takue me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Presidenti Thaçi diskutoi me Presidentin Tusk për rrugëtimin europian të Kosovës dhe e falënderoi për mbështetjen e dhanë në këtë drejtim.

Ai ka thanë se Kosova mbetet e përkushtueme për t’ardhmen e saj europiane.

“Kemi ba hapa të randësishëm në rrugëtimin tonë drejt familjes së madhe europiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian duhet m’u përshpejtue me veprime konkrete. Asht jetike për shtetin tonë dhe mbanë rajonin që BE të mbetet e angazhueme në Ballkanin Perëndimor”, ka thanë Presidenti Thaçi gjatë takimit.

Me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkueme të Amerikës, Donald Trump, dhe Zojës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, Presidenti Thaçi dhe Zoja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, sonte kanë m’u pritë nga çifti presidencial Trump.

Gjatë vizitës pesëditore në New York, Presidenti Thaçi ka me zhvillue takime të shumta bilaterale me lider të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka me marrë pjesë edhe në takimin e liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Naltë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federica Mogherini.

 

Shperndaje në: