Vdes dijetari i madh i Islamit, shqiptari Shuajb Arnauti

Sot, në moshën 88 vjeçare ka ndërrue jetë, Shuajb (Muharrem) Arnauti. Arnauti lindi në qytetin e Damaskut të Sirisë në vitin 1928.

Në familjen e tij, tradita shqiptare dhe kultura islame ishin gjithnji të pranishme. Familja e Shuajbit shpërngulet nga Shkodra më 1926 dhe vendoset në Siri.

Ai mësoi nga baba dijet elementare të Islamit. Qysh i vogël mësoi përmendësh shumë pjesë nga Kur’ani, ndërsa dëshira për m’u thellue edhe ma tepër në sekretet e librit hyjnor e bani atë që qysh nga mosha 17 vjeçare me ju përkushtue mësimit të gjuhës arabe dhe gramatikës së saj.

Numri i librave që ka punue vetë e me bashkëautorë, ose ka qenë mbikëqyrës i tyne, arrin në mbi njiqind e gjashtëdhetë vëllime, në të cilat përfshihen libra në shkencat e hadithit (fjalet dhe veprat e Profetit Muhammed), fikhut (shkenca e dispozitave islame), tefsirit (komentimi i Kur’anit), akides (shkenca e besimit), libra të përkthyeme, etj.

Shuajb Arnauti, edhe pse i lindun jashtë atdheut, e folte rrjedhshëm gjuhën shqipe. Kur përmendej Shqipnia ai thoshte: “Gjaku më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, dhe se vet emni dhe nofka ime dëshmon se jam shqiptar”.