Ymeri arsyeton ‘votën kundër Merkelit’, sulmon ashpër Haradinajn

visarymeriii
Visar Ymeri, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thanë se Lëvizja Vetëvendosje e konsideron Gjermaninë si partnere në marrëdhaniet mes dy shteteve.
Kështu u sqarue ai mbas deklaratës së mbramshme të Vetëvendosjes, ku sugjeruen mërgimtarët se për kënd me votue në zgjedhjet e së Diellës.

Por deklaratën e tyne sot e ka përdor, Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës.

 

Ma poshtë asht reagimi i Vetëvendosjes, për Haradinajn dhe rastin e zgjedhjeve në Gjermani

 

Sa më lartë që hypin në pushtet, aq më poshtë bien për nga vlerat e morali politikanë si Ramush Haradinaj, që ndjekin shembullin e modelit politik të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ulja ndodh para ngritjes në pushtet, dhe kjo ulje shkon më tej drejt tatëpjetës kur ata vinë në pushtet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nxorri mbrëmë një deklaratë para zgjedhjeve në Gjermani ku kritikon ksenofobinë dhe politikat diskriminuese të ekstremit të djathtë në Gjermani të përfaqësuar nga AFD, parti kjo që nuk ka asnjë lidhje me partinë CDU të drejtuar nga Angela Merkel, që Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron si partenere në marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Ne i kemi bërë thirrje mërgatës shqiptare të angazhohet në zgjedhjet në Gjermani duke kryer detyrën e tyrë si qytetarë, si dhe e kemi ftuar mërgatën të lexojë programet politike të partive që garojnë në këto zgjedhje, duke shpjeguar gjithashtu, që disa prej pikave tona programore përputhen me programin politik të Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), e cila i përket të njëjtit spektër politik si Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Ramush Haradinaj e ka përdorur sot deklaratën tonë për të aluduar, përmes një manipulimi, se paska patur lëvizje që e kanë përkrahur Millosheviqin, e që ka lëvizje që kanë hyrë në borxh në adresa të gabuara, e jo me ata që kanë rrugëtuar me Kosovën. Është e rëndësishme që këto sulme të ulta Ramush Haradinaj t’i shpjegojë jo vetëm për publikun e gjerë shqiptar por edhe për partnerët tanë gjermanë. Për kë e ka fjalën Ramush Haradinaj? A e ka harruar Ramush Haradinaj se në periudhën 1998-2002, pra pikërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s, qeveria e Gjermanisë drejtohej nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) me në krye kancelarin Gerhard Shroeder? A po e quan Ramush Haradinaj SPD-në dhe kancelarin Shroeder përkrahës të Millosheviqit? Edhe në Britani kryeministër ishte Tony Blair, nga Partia Laburiste. Edhe ky subjekt socialdemokrat. Edhe ky na paska qenë përkrahës i Millosheviqit? Sipas Ramushit duket se po.

Është për keqardhje që një varfëri kaq pikëlluese intelektuale vjen pikërisht nga një kryeministër i cili të tjerëve iu propozon të bejnë më shumë shkollë!

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të punojë nga afër me cilëndo qeveri që formohet në Gjermani pas këtyre zgjedhjeve duke respektuar vullnetin e popullit gjerman. Por ne nuk tërhiqemi nga kritika jonë ndaj retorikave ksenofobe të AFD-së dhe rrëzikut që ato bartin për të gjithë BE-në, dhe ky qëndrim i yni përputhet edhe me qëndrimin e partisë CDU të Angela Merkelit dhe të SPD-së, të cilat kanë qenë në koalicion me njera-tjetrën. Ndërkohë që ne jemi të qartë dhe koherent me qëndrimet tona mbi partnerët e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u bërë bashkë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në njërën anë, dhe me Listën “Srpska” dhe Vuçiqin në anën tjetër, në ambicien e tij të verbër për pushtet, po rrëshqet gjithmonë e më shpejtë në tatëpjetë.

Shperndaje në: