Zv.presidenti Amerikan Pence vjen në Mal të Zi, takon liderët e Ballkanit

Zavendëspresidenti Amerikan Mike Pence ka me vizitue Malin e Zi mes 30 Korrikut dhe 2 Gushtit, ku ka me takue kryetarët e Kroacisë, Shqipnisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnes.

Shtëpia e Bardhë ka njoftue se Zavendëspresidenti Amerikan Mike Pence ka me vizitue Malin e Zi, ku ka m’u takue me kryetarin e këtij vendi Filip Vujanovic’in dhe me kryeministrin Dushko Markovic.

Pence asht zyrtari ma i naltë i adminsitratës së presidentit Donald Trump që viziton Ballkanin, shkruen dialogplus.

Gjatë qëndrimit në Mal të Zi Zavendëspresidenti Pence ka me marrë pjesë në samitin e shteteve të Ballkanit perëndimor në kuadër të Kartës së Adriatikut.

Në Mal të Zi Pence ka m’u takue me kryetarët e Kroacisë, Shqipnisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnes.

Gjatë vizitës treditore Pence ka me vizitue edhe Estoninë dhe Gjeorgjinë.

Asht parapa edhe nji takim me lideret e tri shteteve baltike.

Në Gjeorgji Pence ka me vizitue edhe nji manovër të përbashkët të ushtarëve amerikanë dhe gjeorgjianë.

Vizita e Pence në Ballkan, në vendet baltike dhe në Gjeorgji mund të jetë edhe sinjal ndaj Rusisë, e cila dyshohet se në mënyra të ndryshme po përpiqet me shtue ndikimin destruktiv nga Baltiku në Ballkan.

Në Vjeshtë të vitit të kaluem nji grup rusësh dhe serbësh, me gjasë të lidhun me shërbimin sekret të Kremlinit, tentuen nji grusht shteti në Malin e Zi me qëllim të pengimit të zgjedhjeve parlamentare dhe anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Ndërkohë ky vend asht anëtarësue në NATO, e cila kështu ka fut nën kontroll edhe cepin e fundit të Adriatikut.