40 vjet nga ekzekutimi i poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi (dokument)

Kastriot Dervishi

 

 

Më 17 korrik 1977 mbushen 40 vjet nga ekzekutimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturialo-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës.

VilsonBlloshmi-GencLeka

-Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.
-Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.

Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.

Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.

Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim.

U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.

Bashkëlidhur urdhri i ekzekutimit

19894832_1393874957327002_2284442723421550426_n