50-vjetori i Revolucionit Kultural Kinez – Model i Çmendurisë Komuniste

sami_repishti-500x354

 

Sami Repishti

 

Më 16 maj 2016, u mbush ën plot 50 vjet nga dita kur vendi i udhëheqësit komunist kinez Mao Tse Tung, shef i pakontestueshëm i Revolucionit Komunist Kinez, ideolog dhe maniak për pushtet absolut, shënoi fillimin e nji faze të re të zhvillimit komunist në Kinë me dhunë ekstreme Rezultatet e kësaj lëvizjeje masive në Kinën miliard-plus qytetarësh të robënuem nga nji regjim shtypës e terrorist kanë qenë katastrofale.

Teorikisht, synimi i “Revolucionit të Madh Kultural Kinez” terminolgji që përdoret në shtyp dhe mjetet të informacionit ka qenë “purifikimi i revolucionit” nga sabotatorët dhe apostatet, ose “me zbulue përfaqësueset e borgjezisë që kanë hy tinëzisht në Parti (kineze) në Qeveri, në Ushtri dhe në sferat e ndryshme të kulturës”, simbas burimeve kineze të atyne viteve. Qëllimi? “Me hedhë jashtë të gjithë dhe për këtë duhet punue ‘me teleskopin dhe mikroskopin e mendimit të Mao Tse Tungut’”.

cultural rev 3

* * *

Dhe ashtu u veprue! Në vitin 1979, tre vjet ma vonë, rezultatet janë akoma të panjohuna plotësisht. Edhe sot, autoritetet komuniste kineze nuk lejojnë kërkime, hetime dhe botime të plota të atyne ditëve fatkeqe për popullin kinez. Edhe sot, nji ndërmarrje e këtillë ka mbetë në duert e studiuesve “të jashtëm”, kryesisht amerikanë. Shtypi i vendit tonë ka shkrue mjaft artikuj e botue mjaft studime, që tregojnë me hollësi ngjarjet tragjike të “Revolucionit Kulturor” dhe shpeshherë në hollësi që tejkalojnë aftësitë tona me kuptue arsyetimin zyrtar. Nji çmenduri! Raportohet se afër 100 milionë kinezë kanë vuejtë nga uria e përditshme në fshatet kineze e qytete.
Rreth 27 milionë kinezë kanë humbë jetën në këtë lëvizje, që në esencë ka qenë më të vërtetë nji çmenduri me përpjesëtimet e nji holokausti. Pikënisja e “Revolucionit Kulturor” ka qenë lufta kundër influencave të “ideve të hueja”, të vërteta ose të kurdisuna nga propaganda zyratare, ndoshta për arsye të sundimit anglez mbi disa pjesë të territorit kinez në shekullin 19. Për kurdisje mjaftonte vetëm nji denoncim, ose nji akuzë nga cilido, për çdo arsye qoftë, akuza të pakontrollueme, por të mirëprituna nga aparati shtypës i “shtetit proletar”. Shqiptarët e njohin mirë këtë atmosferë të mbyllun dhe të frikshme të terrorit të kuq në vendin tonë. Kështu, bibliotekat me libra në gjuhë të hueja kryesore u shkatërruen krejtësisht. Anglishtja e para u ba objekti i sulmeve dhe shkaktoi nji atmosferë armiqësore që përfundoi me djegien e Ambasadës Angleze në Pekin. Kur Mbretënia e Bashkueme mbylli Ambasadën Kineze në Londër si kundërmasë, televizioni britanik dhe ndërkombëtar riprodhuen për shikueset botënore skenat sa primitive, aq edhe kërcënuese të personelit të Ambasadës që demonstrojshin para ndërtesës me librin e kuq të Maos në dorë si “padrejtësi imperialiste!”.

blogger-image--399917029
Në Kinë, qytetarët e edukuem me arsim të naltë u banë objekti kryesor i sulmeve. Intelektuali Xi Zhongun, babai i Presidentit të sotëm Xi Jingpeng, u kap në zyrë, u zvarrit me forcë përjashta para masave histerike që kërkojshin ndëshkimin e tij dhe u dënue, në mes tjerash, sepse gjatë nji vizite zyrtare në Gjermaninë Lindore, ai kishte shikue me dylbi Berlinin Perëndimor…! Kaq primitive dhe gjakatare kanë qenë skenat e “Revolucionit Kulturor”, saqë edhe sot Kina vuen efektet e tij në psiken e popullit kinez. Pa dyshim ky ashtë nji subjekt i vështirë me u trajtue dhe pa dyshim edhe me u përcaktue e dënue. Gjithçka ka qenë jashtë përmasave njerëzore, gjithçka nji akt çmendure ideologjike, masive.
Sot Partia komuniste kineze ndalon rreptësisht debatet e lira, pesëdhjetë vjet ma vonë, nga frika e nji riekzaminimi të ngjarjeve dhe zbulimi i së vërtetës nga dëshmitarë okularë të lëvizjes, si dhe zbulimit të së vërtetës nga dëshmitarë okularë. Revista kineze “Global Times” njoftonte lexueset e saj se ka “grupe të vogla” që “kërkojnë me krijue “nji atmosferë keqkuptimi të revolucionit kulturor si nji etapë krejtë- sisht kaotike”, që në të vërtetë ka qenë. (Shqipëria nën terrorin e kuq e njeh mirë këtë atmosferë, sidomos gjatë viteve të kolektivizimit me dhunë të bujqësisë, dhe ma vonë, mbas viti 1967 me iniciativat spontane të grupeve rinore “për demaskimin e elementit reaksionar të shoqënisë shqiptare, dhe sidomos me sulmet kundër “fesë” e klerikëve reaksionarë të besimeve të ndryshme, me theks në klerin e Kishës Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Rreth 2080 faltore të prishuna; kisha e xhami të kthyeme në stalla bagëtish ose arena sportive…, si dhe fetare të vrame!).

 

1966-persecution-cultural-revolution

* * *

Për konfirmim të kësaj çmendurie, revista e masipërme i kujton popullit kinez se “diskutimet mbi Revolucionin Kulturor Kinez duhet të fillojnë e të zhvillohen simbas parimeve politike të përcaktueme nga Partia”. “Global Times” ashtë revistë e Partisë. Njikohësisht, këto vitet e fundit, ka pasë raste kur e vërteta ka dalë në shesh… Në janar 2010, grupe studentësh universitarë kërkuen botënisht falje nga profesorët që ata kishin torturue dyzetë vjet ma parë, dhe për vuejtjet e shkaktueme gjatë ditëve të Revolucionit kulturor të viteve 1966-‘71, kur profesorët rraheshin egërsisht si “borgjezë”.
Për këto gjeste pendimet ishin të rralla, e studiueset perëndimore nuk e kuptojshin përse kinezët e gjejnë të vështirë me folë për Revolucionin Kulturor, nji eveniment historik që ka lanë gjurmë të thella në psiken e tyne. Arsyeja që jepet, ashtë: kinezët e shohin atë periudhë të ngjarjeve të komplikueme. Shumë prej tyne kanë qenë fajtorë e viktima njikohësisht, nji sentiment i fortë, por jo i çfaqun,(që ndeshim edhe sot në Shqipëri). Z.Bou Pu, botues librash nga Pekini e tashti banues në Hong-Kong, spjegon: “Çdonjeni nga ne ka qenë nji viktimë. Po t’i shikosh, ju pyetni veten: Ç’dreq pune ke ba ti në atë kohë?. Ka qenë gjithmonë ‘nji tjetër‘, faji i nji tjetri, jo i yti? Nuk mund të akuzohet Mao Tse Tungu për të gjitha. Ai ashtë përgjegjësi kryesor, pa dyshim, ai ashtë personi kryesor, por për arritjen në atë nivel shkatërrimi social, duhet nji brezni e tanë të mendohet për atë që ka ngja!”, shkruente studiuesi Eric Onos në revistën “The New Yorker” (maj,2016).
Unë mendoj se para nji situate të këtillë, të ngjashme edhe në Shqipëri, breznia që “bashkëpunoi” në aksion ose në heshtje, me regjimin e terrorit të kuq në atë vend, duhet të reflektojë mbi peshën e përgjegjësisë që mbahet mbi kurriz, sepse efekti i damit të shkaktuem prej tyne vazhdon të torturojë shoqëninë tonë shqiptare. Ndërgjegjet e flliquna nga e keqja komuniste në Shqipëri duhen pastrue!
Sot, Kina ashtë angazhue në nji tjetër “revolucion politiko-ekonomik”, kësaj radhe ashtë spastrimi i shtetit dhe shoqënisë kineze nga korrupsioni dhe krimi i organizuem, si dhe “nga zanet disidente që refuzojnë nënshtrimin”. Kjo ashtë shqetësuese, sepse kemi përjetue eksperiencën e revoltës studentore të Tien An Men Square dhe shtypjen e saj. Megjithatë, lëvizja e re nuk ka karakteristikat e “Revolucionit Kulturor” të viteve 1966-’71, as në sasi, as në cilësi të persekutimeve të së kaluemes. Sot, Presidenti i Kinës ashtë djali i nji ish-të persekutuemi, dhe ish-i persekutuemi Deng nderohet si organizator i kursit të daljes nga çmenduria mao-siane. Ky ndryshim ashtë garanci se e kaluemja nuk mund të kthehet. Ashtë nji pamundësi praktike. Me gjithë prirjet për nji lloj “vetëizolimi”, Kina e ka kuptue damin e pareparueshëm që përballon nga nji orientim i këtillë. Sot, besohet se afër 280.000 studentë kinezë janë të regjistruem në universitetet amerikane, pa numrue vendet tjera.
Shumica e tyne kthehet në vendin e tyne ky gjejnë hapësirë për punësim dhe sukses në nji vend që i pret mirë dhe që ka ba hapa të mëdha përpara. Në vjeshtën e këtij viti, Harvard University do të botojë nji tekst historie: “Partnerë të Ndryshëm: Reformatorë kinezë, ekonomistë perëndimorë dhe Ngritja e Kinës Globale” e përgatitun nga nji student i dalluem, Julian Gewrtz. Aty spjegohen faktet se si udhëheqja e intelektualëve kinezë mendojnë së bashku me përballue rrezikun e ramjes ekonomike nga nji revolucioni kulturor, dhe ndihma që kërkohet nga jashtë për rindërtimin e ekonomisë eficiente. Të mos harrojmë se këtu bahet fjalë për ushqimin ditor të 1.4 miliardë qytetarëve…!
Nga viti 1976, deri në vitin 1993, në nji seri shkëmbimesh, konferencash dhe bashkëpunimit intelektual perëndimor kanë punue jo me ndryshue Kinën, por me ndihmue kinezët të ndryshojnë veten, tue dhanë kështu nji kontribut për ngritjen e Kinës si nji fuqi ekonomike globale. “Udhëheqësit kryesorë” ishin në krye të këtij procesi, shkruen autori; ata kërkuen idetë tona perëndimore kishin nevojë për idetë tona perëndimore, por nuk i kopjuen ata verbënisht. Ata u treguen të hapun për influencat e ardhuna nga Perëndimi dhe u influencuen thellësisht prej tyne. Autori deklaron: “Historia nuk duhet harrue… Dhe, në këtë moment kur ekonomia e Kinës dhe shoqënia kineze po bajnë hapat e parë për hapje ma të madhe ndaj Perëndimit dhe bashkëpunimit me të, në vend që të kthehen në nji izolim intelektual, e në nji atmosferë mosbesimi ndërkombëtar, që duket se e tërheq, ashtë rruga ma e mirë që duhet ndjekë me pengue nji katastrofe të re…!”.

mzd11

* * *

Në vitin 1973, edhe vetë Mao Tse Tungu e kuptoi dështimin e Revolucioni Kinez që shpresohej se do të transformonte Kinën në nji “parajsë tokësore”. Prandej vendosi me ftue për nji vizitë Presidentin R.Nixon, të Shteteve të Bashkueme dhe me fillue nji kurs të ri zhvillim ekonomik. Nga kjo vizitë spektakolare dolën vendimet e marruna për daljen nga izolimi ekonomik e forcimi i potencialit ekonomik kinez drejt themelimit të nji shteti global, që dëshmojmë na sot, me rezultat ngritjen e standardit të jetesës për nji të pestën e popullsisë së globit tokësor.

* * *

Tragjedia komuniste shqiptare, gjatë atyne viteve, u thellue pikërisht kur u prishën marrëdhanjet me Kinën, u dënue kursi kinez si “tradhti e parimeve marksiste-leniniste” dhe u vendos “me ngrënë bar” por jo të tradhtojmë komunizmin…, megjithëse ishte “komunizmi” ai që na tradhtoi. Me kursin politik, ekonomik dhe kulturor të vendit, shoqënia shqiptare ra në nivele të afërta me ata të urisë masive, mbrapambetjes dhe degjenerimit nga ish-udhëheqësit komunistë shqiptarë, elemente fanatike pa tru, injorante deri në dhimbje, njerëz pa perspektive të mbështetun në ushtrimin e dhunës ekstreme, mbi nji popullsi me të ardhuna minimale e mungesa shërbimesh shëndetësore në nivel primitiv. Të gjitha këto nga nji shtet i paaftë me nxjerrë konkluzione nga zhvillimet në botën për rreth dhe i destinuem me jetue nji vorfëni të përhershme…!