A asht Majlinda e zezë apo e bardhë?!

majlindaaks

Petrit Musolli

 

Majlinda Kelmendi, ndoshta, mundet me qenë shembulli ma spjegues, e trishtues njikohësisht! Shembull i realitetit tonë kontradiktor, prodhue nga njerëz të hutuem.

Majlinda u rendit dhe, na renditi edhe ne, në mesin e shoqnive krenare, dhuruese të kulturës botnore sportive! Por, na, të kurthyem mbrenda kontradiktave e të zhytyn thellë në hutinë tonë kulturore, shoqnore e shtetnore – para se me urue e me festue suksesin e saj – donim me ja gjetë vendin njiherë ma s’pari! Ku duhet me vendosë Majlindën? Kush ishte Majlinda? Çka ishte Majlinda?… Çka përfaqësonte Majlinda?!

Suksesi i saj, u ba viktimë e hutisë sonë!

Te hutuemit ishin te bindun se Majlinda nuk e kishte përfundue punën e saj me suksesin e artë që arriti! Sepse, ajo nuk kishte përfaqësue nji kulturë e shoqni të identifikueme e as te identifikueshme! Si Shqipnia!

Ende pa shkelë mirë në Kosovë, ajo u detyrue me u end nëpër të gjitha përfaqësitë e te hutuemve, për me i sigurue se i ka përfaqësue të gjithë të hutuemit. Ose, se nuk e kishte rrezikue ate që ata donin që ajo të përfaqësonte.

Ndoshta, njisoj siç e kishte hutue e trishtue Hitlerin medalja e amerikanit me ngjyrë (Jesse Owens) në olimpiadë – për natyrën e kombit amerikan. Nëse Amerika (deri në atë kohë) nuk ka reprezentue nji komb të ndërtuem mbi etninë, mbi racën – Po!

Na, sot, ende pa shkelë mirë në Kosovë, Majlindës i kërkuem me deklarue – racën! Sepse, raca e saj, ka me përcaktue kulturën përfaqësuese. E të hutuemit tanë, ende e kanë zor me dallue se a asht Majlinda e zezë apo e bardhë!

Ashtu, ndoshta, si Hitleri që e kishte zor me kuptue, jo a asht i zi apo i bardhë Owens, ai e kishte zor me kuptue se a asht Amerika e zezë apo e bardhë!

Mbas 80 vjete, neve na gjen e njajta dilemë. Për neve, sot, kultura asht ba dilemë racore! A e paskan shqiptarët nji kulturë unike e universale ariane (në kuptimin metaforik)? Majlinda e jonë, a e ka reprezentue e prarue këtë kulturë unike e universale, apo e ka tradhëtue racën e vet?! Asnjiherë pa dyshue se kjo “racë kulturore” (simbas kësaj logjike) a asht vetëm nji fiksion i nji përfaqësimi fantazmagorik, ashtu sikurse fiksimi i Hitlerit mbi unikaten e universalen e gjenetikës së racës.

Kosova, thjesht, ka formësue e zhvillue nji kulturë të veten në suaza kohe e rrethana të caktueme. Të ndryshme prej Jugosllavie dhe, të ndryshme prej Shqipnie. E ndikueme nga Jugosllavia, e ndikueme nga Shqipnia. Kosova ka krijue nji kulturë ma liberale. Nji kulturë në llojin e vet dhe, pa paragjykime kulturash.

Keqkuptimi esencial nis pikërisht këtu. Prandaj, edhe sot, nji shqiptar i Shqipnisë, e ka vështirë me kuptue nëse kultura e shqiptarëve të Kosovës anon ma shumë kah ajo jugosllave apo shqiptare (e Shqipnisë)! Të fiksuem mbas “racës gjenetike kulturore”.

Atëherë, kultura e Kosovës u dashka pra me i takue nji “race kulturore”. E si nji kulturë e ngjizun dhe e e formueme mbrenda nji diversiteti kulturash, e ban kulturën e Kosoves pa “identitet racor”!

Prandaj, presioni që i bahet sot shqiptarëve të Kosovës nga shqiptarët e Shqipnisë asht i arsyetuem pikërisht mbi këtë menyrë të gjykuemit. Ata nuk munden me u zhvillue t’pamvarun kulturalisht. Duhet m’i takue nji “race kulturore”. Prandaj, sot, çdo shqiptar i Kosovës që mundohet me i takue e me përfaqësue kulturën e vet, quhet “tradhtar”. “Tradhtar i racës kulturore – shqiptare”! Sepse, kultura shqiptare ka nji “racë” dhe nji pronar të “racës kulturore” – Republikën e Shqipnisë.

Nëse Shqipnia e sotme zyrtare, kulturore, kishte me pas sinqerisht ndërtimin e nji kulture të përbashkët mbi benificionet e diversitetit tonë kulturor (që u krijue si pasojë e kohës e rrethanave), kishte me kërkue pikë së pari – rishikimin e standardit gjuhësor. Sepse, thjesht, së pari duhet të bashkohemi mbrenda standardizimit dhe planifikimit te hapsines sone komunikuese. Mirëpo, Shqipnia asnjiherë s’e ka pasë sinqerisht.

Ajo që Shqipnia kërkon prej neve, asht me u pajtue dhe me pranue se jemi subkulturë e kulturës dominante të Shqipnisë! Me fajin e interpretimit të shumë ‘intelektualëve’ tanë, Shqipnia, edhe sot, asht e bindun se Kosova ka qenë vetëm nji ‘subkulturë’ e Jugosllavisë dhe se përtej nji fataliteti e determinimi si ‘subkulturë’, nuk mundet me u zhvillue ma tej. Prandaj, nervozizmi i tyne akumulohet çdo ditë, tue pa se Kosova nuk pranon t’i nënshtrohet kulturës dominante të saj. Dhe, argumenti banal i tyne asht se Shqipnia ka qenë shtet dhe, automatikisht, ka reprezentue gjithçka shqiptare, ani pse ata e kanë pasë deri në ekstrem të kufizuem zhvillimin kulturor lirshëm mbrenda vetes, dallue, në nji masë të madhe, prej Kosovës.

Insistimi se kultura e shqiptarëve ka një “racë” gjenetike (të pastër), që e përfaqëson Republika e Shqipnisë dhe, kulturat që janë produkt i diversiteteve kulturore nuk përfaqësojnë identitet kulturor – e ka fut Kosovën në këtë huti përceptimesh e keqkuptimesh. Sepse, përbamja e Kosovës asht multikulturore. Kjo sot ka nxitë dyshime mbrenda tana kulturave përfaqësuese të Kosovës nëse vërtetë janë vetëm subkultura të disa kulturave tjera dominante!

Ka nxitë dyshime edhe mbrenda vetë kulturës shqiptare të Kosovës. Ajo që, të paktën shqiptarët e Kosovës, e kanë konsiderue si kulturë sublime të veten, ka qenë pikërisht hapja dhe liberalizimi ndaj kulturave tjera që e kanë ushqye. Kjo ka qenë dominanca e kultures kosovare.

Insistimi ne idenë me i dhanë “racë ariane” nji kulture, e ka zhytë në këtë konflikt, jo vetëm kulturash, por edhe konceptesh – Kosovën. Sepse, të gjitha ato komunitete që e kanë ndie vetën komod mbrenda kulturës së vet dhe janë ndie të papërjashtuem mbrenda nji kupolle kulturore, ose sistemi vlerash të përbashkëta, asht rrezikue pikërisht me idenë se kulturës duhet me i dhanë “racë”! Dhe, kur kjo “racë kulturore” insistohet me u krijue mbrenda nji komuniteti kulturor, natyrisht që ka me nxitë konfliktin mes tyne. Natyrisht, që ajo shoqni ka me u shpërba demografikisht e gjeografikisht – nëpër komunitete kulturore.

Ata që ndiejnë se koncepti erdoganist asht “raca kulturore” e tyne. Ata që ndiejnë se koncepti konservativ i besimit të tyne asht “raca” e tyne. Ata që besojnë se koncepti areligjioz asht “raca” e tyne. Ata që besojnë se etnia asht “raca” e tyne. Ata që besojnë se ngjyra asht “raca” e tyne…

Ajo që Shqipnia sot po i kërkon Kosovës asht me u çnatyralizue e spastrue në laboratorin e saj kulturor nga tana efektet natyrore,  – që kanë mujt me afektue gjatë formësimit e zhvillimit të saj. Dhe, këte nuk e bajnë me argumente kulturore. Por, me kërcënime patriotike/nacionaliste. Si retorika sulmuese për “tradhtar të Kombit”!

E kanë krijue qëllimisht e përsosmënisht droen e paqenë, se kultura që po krijohet në Kosovë bie ndesh me kombin. Me kombin që e përfaqëson dhe ligjëron Republika e Shqipnisë. Sepse, kultura nuk përfaqëson nji komb, por kombi nji kulturë.

Prandaj, sa ka shkelë në Kosovë, Majlinda u detyrue me spjegue “racen kulturore” te veten. Prandaj, sot, janë “tradhtarë” ftubollistat tanë që zgjedhin me luejt për Kosovën, sepse nuk kanë marrë, ose kanë injorue lejen e “kombit kulturë-përfaqësues”.

Simbas Shqipnisë, shqiptarët e Kosovës nuk kanë kulturë përfaqësuese, sepse kombi përfaqëson kulturën, e përfaqësues të kombit janë ata!

Për me i takue nji kombi, shqiptarët e Kosovës duhet me ju nënshtrue testeve laboratorike të “kulturës laboratorike” të shtetit shqiptar, Republikës së Shqipnisë.

Ndoshta, droja se mund të mbesim pa komb, sepse çelësat e kombit i ka Shqipnia, me përvojën e randë (jo të vonshme) të rrezikimit të egzistencës fizike (nën parullën “me Shqipninë jemi shtatë milionë”), na ka shty me marrë këtë rrugë të gabueme… e cila, pos dilemave, nuk po na çon askund. Sepse, dilemat kanë lindë edhe mbrenda vet etnitetit shqiptar të Kosovës. Dhe, si po dëshmohet çdo ditë, ata po vendosin me i mbrojtë kulturat e veta…

(Autori ka qene redaktor i Gazetes Java dhe ish redaktor ne RTK)