Ajde Kato, Ajde Fato … me Bismilah’

fatime-fetai

 

shaqirislami

Shaqir Islami

Duke vëzhguar sferën publike habitem me amullinë që e mbisundon këtë kazan të demokracisë. Sidomos, më ka lënë përshtypje, krijimi i disa binarëve mendimesh (opinionesh) të shtrembëruara në komunikimin politik të përditshëm. Dikush tall k… me ne! Skenën politike e zotërojnë rryma mendimesh kundër interesit tonë publik. Dilema qëndron pezull se, cila qendër e interesit krijon binarë mendimesh të shtrembëruara dhe çoroditëse!

Për ta vërtetuar tezën time, e nis me veprimtarinë e Prokurores Speciale Publike (PSP). E përkrah fuqimisht këtë institucion, ndërsa nuk vërej një çik entuziazmi tek publiku shqiptarë! Ky mosbesim dhe kjo apati politike që na mbisundon, flet se jemi një shoqëri në depresion. Nuk di pse, mu kujtua kënga popullore nga ish Jugosllavia “Ajde Kato, ajde zllato ….”

Sjellja dhe komunikimi ynë politik, sa të habit aq edhe çoroditë! Të gjitha diskriminimet, dilemat, ankesat, mospajtimet, protestat, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, tashmë njëzet e pesë vite të bëra nga institucionet e shtetit, të gjitha njollat mund t’i zbardhë PSP’ja; është e vetmja që do jep informacione të sakta. Qysh me themelimin e PSP’së kam menduar se qytetarët shqiptarë do të jenë leva kryesore që do ta mbështesin dhe do ta mbrojnë integritetin e saj me çdo kusht. Këtë veprim e kam pritur nga qarku akademik, nga sfera publike dhe sidomos nga shoqëria civile. Jo more! Natyrisht se nuk pritet nga pashallëku i zullumqarëve ta përkrah organin që do ta hetojë zullumin e bërë nga zullumqarët. Ngathtësia, ngurrimi dhe heshtja jonë janë shenja paralize mendore dhe emocionale. Përshtypja e përgjithshme është se shqiptarët janë rreshtuar në anën e zullumqarëve.

Kata dhe Fata do t’i zbardhin të gjitha manipulimet e opinionit publik, mund t’i zbardhin zhvatjet e votave, rastet flagrante të ‘Sopotit’, të ‘Smillkovcit’, të ‘Brodecit’, …. d.m.th mund t’i zbardhin të gjitha ‘operacionet psikologjike’ të inskenuara nga shërbimet sekrete ku shqiptarët janë shfrytëzuar ‘dash për kurban’. Ndonëse më thelbësorja është se si ushqehet me këmbëngulje armiqësia midis popujve maqedonas dhe shqiptarë. Kjo është dukuria shkatërrimtare e demokracisë në vendin tonë. Kush dhe si ushqehet urrejtja midis nesh.

Prandaj, e nisa titullin “Ajde Kato, Ajde Fato …”, sepse vepra e tyre është dhe duhet të jetë gurrë-themeli për ndërtimin e një shoqërie të mirëfilltë demokratike, ku do sundojë ligji, rendi, barazia qytetare, shanset e barabarta për punë, edukim dhe sipërmarrje të barabartë, zhvillim kulturorë, … pra, për një jetë ballë-lartë për çdo qytetarë të vendit tonë. Vepra e tyre do nis ta shthur lëmshin e keqpërdorimit dhe rrënimit të shtyllave të demokracisë. Ta them troç, PSP’ja është dhuratë dhe bekim i vet Zotit për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet ta mbrojmë dhe ta përkrahim këtë institucion shtet-bërës.

E, nëse patriotëve dhe nacionalistëve të mëdhenj u vjen nge ta përkrahin Katon, bujrum, ajde ta mbështesim Faton. A nuk është mbare kjo luftëtare e guximshme (që kryen punë burrash) të lihet e vetmuar në betejën e saj për sundimin e drejtësisë në vend? Do vijë një ditë, kur të gjithë ne do ta kruajmë kokën për ndjekjen e rrymës së mendimit (opinionit) çoroditës. Sërish, do jetë shumë vonë.