Alo, Zaev…

 

shaqirislami

Shaqir Islami

 

Çfarë do të thotë kjo sjellje arrogante dhe aq e guximshme e këtij Zaevit?

Kanë të drejtë që hidhërohen politikanët e mëdhenj dhe liderët shqiptarë me liderin e LSDM’së, se do ta kthejë jetën në Maqedoni. Pa kujt i intereson jeta këtu, kur Helex’i, Dijazepami dhe Leksilijumi janë badihava. Askush nuk ka të drejtë të përzihet nga jashtë në vathën tonë. Ne jemi shqiptarë dhe do vdesim për shqiptari, për flamurin, për kombin, për traditat tona, për plisin, për çiftelinë, dhe për komandant Alinë, … e sidomos, për gjuhën tonë. Ne kemi qenë, jemi dhe do jemi patriotë dhe nacionalistë, bile, të gatshëm ta rrokim pushkën dhe topin, sepse vetëm liderët dhe politikanët shqiptarë e kanë të drejtën t’i mashtrojnë, t’i gënjejnë, t’u bëjnë zullum, t’i varfërojnë, të kryejnë pastrim etnik nëpër fshatra dhe qytete; dhe nuk lejohet askush tjetër nga jashtë të përzihet në hesapet tona të brendshme, askush nuk guxon t’i bëjë shqiptarët qytetarë të barabartë dhe të lumtur. Ata janë të dëgjueshëm dhe të dobishëm vetëm si qytetarë të rendit të dytë dhe inferior, ky është qëllimi dhe fryti i ‘politikave’ dhe ‘përkushtimeve të mundimshme’ të klasës-patriotike-atdhetare- politike të shqiptarëve, dhe askush nuk ka të drejtë t’i zgjojë nga alivanosja dhe depresioni i thellë, ku i kanë fut ‘politikanët e mëdhenj’, të cilët merren me NATO’n, BE’në, me vlerat euroatlantike dhe me politikën globale.

Gjuha shqipe për ne është e shenjtë, dhe ne do e mbrojmë me gjak, ndërsa fare nuk ka lidhje se jetojmë nën hijen e malit Sharr dhe nuk kemi ujë për të pirë, dhe kjo për klasën tonë politike, aspak nuk është mbare; nuk ka lidhje fare se na ik rinia dhe të moshuarit për kafshatën e bukës, boshatisen fshatra dhe qytete për shkak të papunësisë marramendëse dhe kjo, siç thotë Alia me bandën e vet, nuk është pastrim etnik dhe se të gjitha këto do t’i rregullojë NATO dhe BE, (atëherë kur do bëhemi pjesë e tyre!) dhe ne akoma i besojmë, se një ditë do rregullohet jeta e shqiptarëve në Maqedoni…
Por çfarë k… ke ti Zaev me Shqiptarët, pse na e trazon apatinë dhe letargjinë tonë, pse na e merr argumentin politik ? A e bën këtë, vetëm të na bësh xheloz (?)… a e ke për nime? Mos na e merr gjuhën, mund të marrësh çka të duash tjetër, por gjuhën mos na e prek … se gjuha është e shenjtë për ne shqiptarët dhe veçmas për liderët tanë. Prandaj, me të nuk mund të merret askush tjetër, e sidomos, sllavo-maqedonasi nga Strumica!
Politikanët tanë, menjëherë shfaqin xhelozi, kur preket gjuha. Pa, këto njëzet e gjashtë vite politikë-bërje, klasa jonë politike ka mund të ekzistojë dhe ta ushtrojë politikën vetëm me gjuhën. Dhe në saje të saj, e kanë zhvilluar zanatin fitimprurës të politikës shqiptare në Maqedoni, që njihet bythë-lëpirja politike; si zanat ndoshta pak është i ngeshëm por është lukrativ, vetëm përmes saj paritë në pushtet arrijnë të marrin tendera të dorës së dytë, sa për t’i kënaqur apetitet e partisë në ‘bashkëqeverisjen’ e shtetit. Aq mund të mbërrihet me këtë zanat, sepse Alia tashmë pesëmbëdhjetë vite qahet se nuk ka kuadro të aftë, dhe prandaj, nuk mund t’i realizojë idealet e veta të ideologjisë marksiste-leniniste. Ujku qimen e ndërron, ama huqet jo – ashtu thotë populli.

Alo, Zaev…merr çka të duash, vetëm gjuhën mos ua merr politikanëve tanë, sepse e kanë të vetmin organ për ta fituar bukën e gojës. Pa gjuhë, assesi nuk mund ta ushtrojnë zanatin e përsosur të bythë-lëpirjes politike. Pa zanat nuk ka tendera, nuk ka myfte. Prandaj, janë xheloz, jo për diçka tjetër!