Angela Merkel sot asht ‘lidere e botes se lire”. Amerika ka deshtue me Trump!

angela_merkel_2008
timothy-garton-ash-l
Timothy Garton Ash

 

Në Rusinë e Vladimir Putin ne shohim se kemi diçka shumë të afërt me fashizmin. Turqia e Rexhep Tajip Erdogan është duke kaluar me shpejtësi vijën mes demokracisë liberale dhe fashizmit, ndërsa Hungaria e Viktor Orbán është tashmë një demokraci joliberale. Në Poloni, Francë, Holandë, Britani dhe tani së fundmi në SHBA duhet të mbrojmë vijën që ndan demokracinë liberale nga ajo joliberalja.

Në Britani kjo do të thotë të luftohet për pavarësinë e gjyqësorit, sovranitetin e parlamentit dhe forcën paanshme të BBC. Në SHBA do të bëhemi dëshmitarë të testimit të një prej sistemeve më të vjetra dhe më të forta të kontrollit të balancës së demokracisë liberale. Edhe pse Republikanët dominojnë kongresin, Trump do të bëjë emërime të rëndësishme politike në Gjykatën e Lartë pavarësisht se kjo gjë nuk do të thotë se ai do t’i ketë ata gjatë gjithë rrugës me vete.Ajo që shohim në të gjitha këta populizma nacionalistë është një ideologji e cila pretendon se shpreh vullnetin e popullit, i cili trumpetohet në të gjitha burimet e tjera të autoritetit. Udhëheqësi populist e identifikon veten, si në rastin e Marine le Pen, si “zëri i vetëm i popullit”. Fjalia e Trump “unë jam zëri juaj”, është një shprehje populiste. Po kështu na shfaqet edhe faqja e parë e “Daily Mail” e cila denoncoi, tre gjykatësit britanikë të cilët vendosën se parlamenti duhet të kishte një votim për Brexit, si “armiqtë e popullit”. Edhe kryeministri turk të cilit pasi iu tërhoq vëmendja nga BE se kishte shkelur vijën e kuqe në vendin e tij me presionin e ushtruar në media u shfajësua: “Ishin njerëzit ata të cilët vendosën këto vija të kuqe”.

Në një ekzaminim më të afërt duket se “njerëzit”, Populli (Volk) mund të jetë termi i duhur, është në fakt vetëm një pjesë e njerëzve. Trump e ilustroi në mënyrë të përkryer këtë marifet populist gjatë një fjalimi të improvizuar në një miting të fushatës. “E vetmja gjë e rëndësishme është bashkimi i popullit”, tha ai, “sepse njerëzit e tjerë nuk do të thonë asgjë”. Nuk janë thjesht të tjerë, shihni me kujdes, janë: kurdët, myslimanët, çifutët, refugjatët, emigrantët, njerëzit me ngjyrë, elitat, ekspertët, homoseksualë, sint-ët dhe romët, kozmopolitanët, metropolitanët, gjyqtarët homoseksual eurofilë.

UKIP i Nigel Farage njoftoi se Brexit ishte një fitore për njerëzit e zakonshëm, njerëzit e mirë, njerëzit e vërtetë -48% e atyre që votuan referendumin nuk u deklaruan as si të zakonshëm as si të mirë e as si të vërtetë.

A nuk na mëson diçka historia në lidhje me fenomenet që përhapen njëtrajtësisht në shumë vende, në kombe të ndryshme dhe religjione të ndryshme e megjithatë paraqesin tipare të përbashkëta? Populizmi nacionalist tani, liberalizmi i globalizuar (ose neoliberalizmi) në vitin 1990, fashizmi dhe komunizmi në 1930-1940, imperializmi në shekullin e 19. Ka dy mësime nga kjo ndoshta: se këto gjëra marrin zakonisht një kohë të caktuar për të punuar me veten, dhe e kundërta (nëse vala është e llojit që ju doni ta shihni në anën e kundërt) kërkon guxim, vendosmëri, qëndrueshmëri, zhvillimin e një gjuhe të re politike dhe përgjigjet e politikave të reja për problemet reale.

Një shembull perfekt është zhvillimi në kombinim i ekonomisë së tregut dhe shtetit social të Evropës Perëndimore pas vitit 1945. Ky model i cili pa edhe rënien e valës komuniste dhe fashiste e pa të nevojshme gjenialitetin intelektual të John Maynard Keynes, njohësin e politikave për njerëzit si William Beveridge dhe aftësive politike të njerëzve si Clement Attlee. Them “të njerëzve si” sepse emrat e tjerë mund të futen për versionet e miratuara në vendet e tjera të Evropës Perëndimore. Por sa oqeane me gjak, djersë dhe lot duhen kaluar për të arritur në një pikë të tillë.

Ndaj ne duhet të mbledhim veten për një luftë të gjatë mbase edhe një luftë mes gjeneratave. Kjo nuk është ende një botë “post liberale” por mund të ndodhë që të bëhet e tillë. Forcat mbas frontit populist janë të fuqishme, partitë tradicionale janë ndonjëherë të dobëta, valë të tilla nuk mund të kthehen mbas brenda natës.

Si fillim kemi nevojë të mbrojmë pluralizmin në vendin tonë. Ne gjithashtu duhet të kuptojmë shkaqet ekonomike sociale dhe kulturore të atyre që votuan për populistët. Jo vetëm e majta, por liberalët dhe konservatorët e moderuar duhet të kërkojnë një gjuhë të re për të apeluar, si emocionalisht edhe në thelb, për të zgjeruar atë pjesë popullsisë të elektoratit që nuk është e pakthyeshme ksenofobe, raciste dhe paragjykuese. (Të mos i quajmë ata një tufë të paaftësh do të ishte një fillim i mirë). Retorika më vete sigurisht që nuk do ta bëjë.

Cilat janë politikat e duhura? Është e vërtetë se marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe emigrantët janë duke dëmtuar punët apo janë teknologjitë ato që po e bëjnë? Nëse është kjo e fundit çfarë do të bëjmë për të?

Diku tjetër, sfida e parë është të parandalohet erozioni i elementeve ekzistuese të rendit liberal ndërkombëtar – marrëveshjet e vështira të fituara mbi ndryshimet e klimës, si dhe marrëveshjet aktuale të tregtisë së lirë. Filozofikisht, president Xi Jinping i Kinës mund të mirëpresi një “Trumpworld” të shteteve të forta por praktikisht të dy liderët duhet të pranojnë se një kthim në nacionalizëm ekonomik të viteve 1930 i barrierave tarifore 45% mbi importet kineze që është premtuar nga Trump – do të ishte katastrofike për të gjithë. Gjëja e vetme e mirë në lidhje me internacionalizmin e nacionalistëve është se në fund të fundit kjo është një kontradiktë termash.

Ne duhet të shpresojmë se janë amerikanët seriozë dhe me eksperiencë ata të cilët do të shkojnë të punojnë në administratën e re për formësimin e politikave të jashtme dhe ekonomike pavarësisht se sa i papëlqyeshëm është Trump nga ana morale. Është koha për të mbajtur hundën te “Etika e përgjegjësisë” së Max Weber. Por edhe nëse e bëjnë ka të ngjarë që kjo të jetë një presidencë shpërthyese, e çrregullt dhe e paparashikueshme.

Një barrë mjaft e rëndë bie mbi demokracitë e tjera udhëheqëse: shumë prej tyre në Europë, por gjithashtu edhe në Kanada, Australi, Japoni dhe Indi. Nëse ne në Evropë mendojnë se është e rëndësishme për shtetet baltike për t’u mbrojtur kundër çdo lloj agresioni të mundshëm nga Rusia e Putinit, atëherë duhet të punojmë me NATO-n dhe BE-në për të siguruar një gjë të tillë. Nuk mund të mbështetemi te lavdërimet e Putin për Trump.

Në qoftë se ne evropianët mendojmë se është e rëndësishme për të mbajtur gjallë demokracinë ukrainase, duhet ta shohim këtë gjë te vetja jonë. Britania ka mënjanuar veten si rezultat i versionit të vet të populizmit nacionalist, një përgjegjësi e veçantë varet tashmë nga votuesit francezë dhe gjermanë. Në qoftë se do të kemi president francez Alain Juppe dhe një ri-zgjedhje të kancelares Angela Merkel në fund të vitit të ardhshëm, Evropa mund të jetë ende në gjendje të tërheq peshën e saj.

Merkel deri tani ka dhënë përgjigjen më dinjitoze në lidhje me zgjedhjen e Trump. “Gjermania dhe Amerika”, – tha ajo, “janë të lidhura nga vlerat e demokracisë, lirisë, ligjeve dhe dinjitetit njerëzor e pavarur nga origjina, ngjyra e lëkurës, feja, orientimet seksuale apo pikëpamjeve politike. Unë i ofroj presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një bashkëpunim të ngushtë në bazë të këtyre vlerave”. Madhështore. Fraza “Lideri i botës së lirë” është aplikuar përgjithësisht për presidentin e Shteteve të Bashkuara, dhe rrallë pa ironi. Tentoj të them se tani lideri i botës së lirë është Angela Merkel.