Apel: Të restaurohet shtëpia e Fishtës

Lënia në harrese të plotë e banesës ku ka jetue kolosi  i letrave shqipe At Gjergj Fishta, e cila sot asht nji gërmadhë, ka ba që ish Përgjegjësi i Kulturës Kombëtare në Lezhë, Paulin Zefi, me jau drejtue nji apel udheheqesve te shtetit, permes nji letre te hapun.

Nëpërmjet kësaj letre, historiani Paulin Zefi u kërkon ndërhymje të menjëhershme organizmave shtetnor për me i hape rrugë projektit të restaurimit të shtëpisë së Fishtës.

fishta7

Kjo asht letra:
Letër e hapur drejtuar shkëlqesisë së tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Jam i detyruar që të kërkoj ndihmën tuaj në lidhje me një çështje delikate e cila mbart një rëndësi shumë të veçantë me përmasa mbarëkombëtare që konkretisht ka të bëjë me valorizimin e figurës emblematike të të madhit “At Gjergj Fishta” ndaj të cilit çdo shqiptar e ka si obligim moral për të kontribuar edhe duke tejkaluar mundësitë e tij.

Po ju drejtohem për ndihmë në emrin e të gjithë adhuruesve të profetit të Kombit tonë dhe gjithashtu, në emrin e çdo shqiptari të vërtetë për të cilin Shqipëria dhe shqiptarët përfaqësojnë gjithçka.

Varri i të përjetshmit “At Gjergj Fishta” brenda Kishës Françeskane rënkon krejtësisht i zbrazur nga eshtrat e tij të cilat ose janë hedhur në lumin Buna ose prehen dhunshëm diku tek selvia nr.4. pas Kishës Mortore tek varrezat e Rrmajit.

Shtëpia ku jetuar Fishta ka kaluar në mbrojtje paraprake me dt.07.05.1991 dhe është shpallur si monument-kulture i kategorisë së II-të.

Braktisja afatgjatë e kësaj shtëpie, mungesa e plotë e ndërhyrjeve restauruese për mirëmbajtjen e saj të vazhdueshme dhe shumë faktorë të tjerë, kanë shkaktuar amortizimin e saj të tejskajshëm, prandaj ka disa vite që rrezikon shembjen e saj të plotë ku gjendja fizike e këtij objekti është jashtëzakonisht alarmante.

Amortizimi i kësaj shtëpie ka ardhur si rezultat i braktisjes dhe i pamundësive financiare nga ana e pronarëve të saj, por sidomos nga neglizhenca totale e institucioneve shtetërore kompetente që nga viti 1991 e deri më sot.

Gjithsesi shpresoj dhe besoj që këto detaje të turpshme të mbeten prapa në kohë dhe nëpërmjet ndërhyrjes tuaj konkrete, duhet që të materializohet me çdo kusht një ndërhyrje sa më emergjente për konsolidimin dhe restaurimin e plotë të këtij objekti i cili përfaqëson dëshminë e vetme materiale nga jeta e të pazëvendësueshmit “At.Gjergj Fishta”.

Nëqoftëse Ministria e Kultures do të justifikohet për mungesë fondesh, dua t’ju bëj me dije se tashmë i gjithë opinioni publik shqiptar është i mirëinformuar mbi faktin se donatori nga Kosova, Sabri Maxhuni Novosella, ka rreth dy vite që po pret miratimin e lejes nga ana e IMK e MK, por deri më sot e vetmja përgjigje që ka marrë është kundërshtimi i projektit të cilin unë e kam paraqitur në rrugë zyrtare por edhe personalisht.

Përballë këtij fakti dominon heshtja e të gjitha institucioneve përkatëse dhe neglizhenca totale e cila nuk justifikohet dot, me asnjë lloj alibie të mundshme.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk duhet që të shqetësohen për këtë praktike ligjore nëse duan që të justifikohen në lidhje me pamundësinë financiare pasi nëqoftëse bëhet e mundur sa më shpejt që të finalizohet një marrëveshje për shpronësimin e pronarëve duke e vlerësuar këtë pronë në bazë të çmimeve të tregut, atëherë edhe për shumën në fjalë që do të vendoset nga IMK pas negociatave me pronarët duke e kaluar 100% si pronë shtetërore, unë ju garantoj që mundem të siguroj edhe shumën financiare respektive, falë donacioneve të sigurta që do të na grumbulloheshin falë kontributeve nga Diaspora Shqiptare në Britaninë e Madhe, SH.B.A, Itali, vendet e Benelux-it(Belgjike-Holandë-Luksemburg) etj.

Së fundmi, kanë ardhur për të më takuar disa miq shumë të nderuar, si përfaqësues të komunitetit shqiptar në Britanine e Madhe të cilët shprehin gatishmërinë e tyre të plotë dhe dëshirën e madhe për të ndihmuar financiarisht në restaurimin e këtij objekti, por gjithashtu po organizohen për të nënshkruar një peticion shumë të gjerë nëpërmjet të cilit do t’i drejtohen duke ju bërë apel dhe kërkuar ndihmë, të gjitha institucioneve më të larta të shtetit shqiptar.

Unë kërkoj nga ana juaj duke ju lutur në emrin e të gjithë Komunitetit të nderuar lezhjan dhe të gjithë adhuruesve të të madhit “At.Gjergj Fishta” që pikërisht me dt. 23-tetor-2016 e cila përkon me 145-vjetorin e lindjes së shqiptarit të madh “At.Gjergj Fishta”, të  jetë pikërisht dita e inaugurimit të përfundimit të plotë të procesit restaurues të kësaj shtëpie dhe të rikujtohet gjithmonë si një përvjetor i shënuar dhe si një ditë feste për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë”, thuhet në letrën e Paulin Zefit drejtuat krerëve më të lartë të shtetit shqiptar.