Arianit Bytyçi: A ka shpresë për arkitekturën në Kosovë?

Arianit Bytyci_foto

Arianit Bytyçi, arkitekt

 

Në atdheun tonë ku vlera e arkitekturës llogaritet me sasi (me metra katrorë) dhe jo me cilësi (me vërtetësi, origjinalitet në ide dhe në koncept), po shpërfaqen dhunshëm në plan të parë cenet e marrëzisë dhe të mëkatit të arkitektëve mediokër, duke i mbizotëruar virtytet e urtisë dhe dijes së arkitektëve të vërtetë. Marrëzia dhe mëkati po ngjizen që në lindje në arkitekturën e objekteve dhe hapësirave publike të vendit tonë, duke u shpërfaqur në shumë forma dhe duke u bërë madje edhe dukuri.

Megjithatë, a ka shpresë për arkitekturën në Kosovë!?

Në vazhdim të kësaj eseje do të tentoj që përmes trajtimit të realitetit arkitektonik të jap përgjigjen time lidhur me këtë dilemë, të cilës kam filluar t’i përgjigjem shumë kohë më parë. Por, për mbarështimin e kësaj eseje që do të tentoj t’i përgjigjet kësaj dileme, më inkurajoi edhe më shumë dilema tjetër e eseistit dhe poetit bashkëkohor, mikut tim Ismail Syla, i cili kur e promovoi enciklopedinë më të re me poezi, duke e shtjelluar idenë e bashkëjetesës së ceneve dhe virtyteve brenda qenies njerëzore, nga foltorja e amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare mu drejtua publikisht, duke më pyetur se a mund të bashkëjetojnë në një projekt arkitektonik të një objekti virtytet e urtisë-shkollës dhe lutjes-tempullit fetar bashkë me cenet e mëkatit-burgut, dhe marrëzisë-çmendisë.

 

Arkitektura e censhme

 

Marrëzia apo çmendina po shpërfaqen në projekte kampusesh universitare, ku planifikimi dhe vendosja e fakulteteve në lokacionin urban, e shkatërron hapësirën publike dhe gjelbërimin, duke krijuar identitet objektesh komerciale e jo identitet origjinal objektesh bashkëkohore universitare. Aty ku shkilen të gjitha kushtet e ndërtimit të përcaktuara nga komuna. Aty ku me këtë arkitekturë dhe urbanistikë në vend se t’u hapet, studentëve dhe profesorëve u mbyllet mendja, që është e kundërta e qëllimit të projektimit dhe ndërtimit të një kampusi universitar!

Cenet shpërfaqen edhe në projekt instituti të shëndetit publik, ku nga anëtarët e jurisë që kanë cene intelektuale dhe morale, vlerësohet dy herë radhazi si fitues projekti që e bllokon hapësirën urbane dhe zhvillimin e mëtejmë të saj, një projekt që nuk parasheh ashensor për të shkuar në hapësirë nëntokësore laboratorësh, një projekt që nuk ka dalje emergjente (evakuese) nga hapësira nëntokësore, një projekt që më shumë i ngjan një qendre regjistrimi civil të kryeqytetit tonë sesa një instituti a një laboratori bashkëkohor. Dhe, merreni me mend: një profesor universitar i makinerisë (pra që nuk është as arkitekt e as urbanist apo planifikues), i cili caktohet anëtar jurie, jep vlerësime për arkitekturën dhe planifikimin urban lidhur me këtë projekt!

Ceni i mëkatit dhe i marrëzisë dalin në sipërfaqe edhe atëherë kur terma të referencës për plane urbanistike të zonës së interesit nacional të Prekazit, hartojnë studio projektuese që në referencat e tyre nuk e kanë asnjë plan urbanistik të hartuar.

Ceni profesional i arkitektit apo planifikuesit shfaqet edhe atëherë kur i jepet mundësia të projektojë shesh kryeqyteti, një ekipi që nuk ka shëtitur më shumë se dy-tri kuazi sheshe të rajonit, e lëre më që ka projektuar ndonjë të tillë ndokund. Dhe, rezultati është: një shesh pa identitet kulturor dhe arkitektonik! Një projekt i fituar pa asnjë projekt tjetër në konkurrencë!

Marrëzia arkitektonike ekspozohet edhe në ndërtesa tempujsh fetarë në kryeqytetin tonë: aty ku ngrihen katedrale dhe projektohen xhami të kopjuara nga ato të shekujve të kaluar, duke ngulfatur shpresën e të virtytshmëve për arkitekturë bashkëkohore të tempujve fetarë dhe hapësira publike me gjelbërim përreth tyre, ku njerëzit mund të komunikojnë lirshëm dhe hapur. Lidhur me këtë dukuri, kritiku i mirënjohur i arkitekturës, Bruno Zevi merr një shembull konkret: “kur thuhet se ‘një kishë duhet të jetë gotike, sepse ai është stil fetar, ose një pallat duhet të jetë barok, sepse vetëm baroku jep përshtypjen e luksit dhe madhështisë’ kalohet nga fusha e arkitekturës te një boshllëk dhe fjalor anakronik asociacionesh arkeologjike dhe letrare dhe te një zakon konformist”.

Thyerje rregullash nga arkitektët, duke vënë në pah cenet e tyre (pra, mungesat morale dhe intelektuale) që pastaj bëhen edhe cene të njerëzve tjerë, është edhe shembulli i kompleksit të ndërtesave të Ministrisë së Arsimit dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve. Aty ku arkitektët që kanë projektuar këto 2 objekte publike, e injorojnë nga trajtimi urbanistik objektin që i ka prodhuar dhe formuar vetë ata arkitektë – Fakultetin e Arkitekturës. Këtë e bëjnë duke shkulur me rrënjë drunjtë e rrugicës që të çonte tek Fakulteti dhe duke e shkatërruar qasjen e natyrshme që i binte mes për mes 2 objekteve të reja, duke shkatërruar kështu edhe mbamendjen tonë si ish-studentë të këtij fakulteti. Në këtë aspekt, vlen të citohet edhe historiani i Arkitekturës, Vincent Scully i cili ka thënë se “arkitektura është një bashkëbisedim ndërmjet gjeneratave, përgjatë kohërave”. Prandaj, duhet rikujtuar se çdo ndërtesë apo lokacion urban ka një histori, që duhet respektuar dhe që duhet të bashkëjetojë me të tashmen dhe të ardhmen.

Mediokriteti del në sipërfaqe edhe atëherë kur shihet qartas që arkitektura e brendshme e sallës së Kuvendit të Kosovës dhe e hapësirave tjera të kuvendit, si dhe e amfiteatrit të ndërtesës së re të qeverisë, janë identikë me arkitekturën e brendshme “klasike” të hotelit pranë teatrit kombëtar, që është rinovuar dhe rindërtuar para disa vitesh. Apo, në shumë raste kjo arkitekturë e brendshme mund të ngjasojë edhe me arkitekturën e brendshme të Pallatit të Kremlinit në Moskë. Pra, këtu shihet se sa rëndësi i është dhënë arkitekturës gjatë projektimit dhe implementimit të arkitekturës së brendshme të objekteve të Kuvendit dhe të Qeverisë, sa që vendimmarrja për përcaktimin e idesë dhe konceptit të arkitekturës së brendshme të këtyre objekteve institucionale i është lënë shijes dhe përvojës aziatike të kompanisë ndërtuese, e jo që koncepti i arkitekturës s brendshme të përzgjidhet përmes ndonjë konkursi të mirëfilltë arkitekture.

Në këtë kontekst, në mënyrë të veçantë duhet potencuar edhe projektimin e foltoreve të Kuvendit dhe të amfiteatrit të ndërtesës së re të qeverisë (ish-Rilindja), ku në raste fjalimesh më shumë potencohen dekorimet jomoderne të foltoreve sesa vetë personalitetet që mbajnë fjalime nga këto foltore. Kjo është e kundërta e qasjes projektuese të sallës së Bundestagut gjerman, ku shihet qartë se është zbatuar një qasje bashkëkohore e projektimit të arkitekturës së brendshme, ku me këtë rast foltorja është aq bashkëkohore dhe fluide, sa që del në pah deputeti apo kancelarja gjermane kur ajo i drejtohet Bundestagut nga foltorja. Përderisa në sallën e Bundestagut vëhet në pah në mënyrë madhështore dhe të njejtën kohë bashkëkohore stema e shtetit gjerman!

Cenet paraqiten edhe përmes kompleksit të inferioritetit për t’u dukur sa më mbretëror dhe për të shfaqur pushtet primitiv në publik. Kjo dukuri shfaqet më së miri tek pallatet apo shtëpitë e shumë ‘magnatëve’ kosovarë. Të projektuara bazuar në kopjimin primitiv të pallateve mbretërore të shekujve të kaluar, pa asnjë ide origjinale arkitektonike të kohës, ato shpërfaqen çdo kund në mënyrë arrogante: qoftë në Alpet Shqiptare, në Gërmi apo edhe përgjatë rrugëve magjistrale në Kosovë, duke qenë jashtë çdo konteksti urbanistik, arkitektonik apo mjedisor të shekullit 21. Në këtë frymë pallatesh mbretërore, fatkeqësisht janë projektuar dhe ndërtuar edhe objekte komunash, siç është ajo në qytezën e Klinës.

Duke analizuar këtë dukuri të kopjimit të stilit antik në arkitekturë, mu kujtua shtjellimi që i bën kësaj çështjeje kritiku i arkitekturës, Bruno Zevi, i cili thekson: ”kur tradicionalistët tanë pedantë pyesin: “A është e ndaluar të bësh një shtëpi me stil antik?”, u duhet dhënë përgjigje me një kundërpyetje: “A është e mundur të shkruhet sot, në mënyrë të vetvetishme, një poezi latinisht?”. Kush ka diçka për të thënë, e shpreh thjeshtësisht në gjuhën e sotme. Kush nuk ka gjë për të thënë, mund të shpresojë t’i mashtrojë ata që ka pranë duke fshehur, nën një petk elegant erudicioni, zbrazëtinë e vet të thellë”.

Virtytet mposhten nga cenet edhe atëherë kur e sheh se institucionet përgjegjëse të planifikimit urban në nivel lokal dhe qendror lejojnë që në kryeqytet të krijohet PRISHTINA VEGAS përmes objekteve që janë kopjim primitiv i projekteve të ndërtuara në Turqi, Rusi, Kazakstan dhe në vende tjera, pa asnjë ide origjinale dhe të vërtetë? Lidhur me vërtetësinë dhe sinqeritetin në projektimin arkitektonik, Zevi pohon se në këto raste “do të kishit të drejtë të protestonit kundër falsitetit, mungesës së sinqeritetit të një arkitekti të paaftë për të konceptuar një ndërtesë përveçse në termat e paradave oborrtare. ….Prandaj, kujdes, mbi këtë terren të së vërtetës shprehëse është shumë e lehtë të rrëshqasësh në keqkuptime asociative dhe simbolike.

Cenet para virtyteve paraqiten më së miri edhe kur sheh që çdo kryeministër kosovar deri më tani emëron në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor njerëz të cilët vetëm në ditën e parë të punës së tyre në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm qeveritar fillojnë të tentojnë të njoftohen me arkitekturën, planifikimin hapësinor, mjedisin apo edhe me infrastrukturën, ekonominë, sociologjinë dhe filozofinë, fusha këto të ndërlidhura me arkitekturën dhe planifikimin. Edhe më sfiduese: në vend se të afrojnë rreth vetes profesionistë të këtyre fushave, ata emërojnë këshilltarë të tyre njerëz pa asnjë kualifikim akademik në arkitekturë, planifikim apo mjedis. E njëjta qasje kryesisht është zbatuar edhe në përzgjedhjen e drejtorëve të planifikimit urbanistik nëpër komunat e Kosovës. Ky është realiteti që dëshmon se sa respektohen vlerat e mirëfillta arkitektonike në institucionet vendimmarrëse të vendit.

Për të dëshmuar edhe më substancialisht se sa i kushtohet rëndësi informimit dhe edukimit të publikut për arkitekturën, duhet theksuar se në Televizionin Publik transmetohet vetëm një emision për arkitekturën dhe atë në terminin e mëngjesit të hershëm të së dielës, e asessi në ‘prime-time’ (termin i shkueshëm) të ndonjë prej ditëve të punës. Në anën tjetër, komuniteti i arkitektëve deri më tani nuk ka arritur të botojë as edhe një magazinë të mirëfilltë për arkitekturën dhe planifikimin.

Ceni përpara virtytit shpërfaqet edhe kur intelektuali apo shkrimtari i njëjtëson arkitektin me ndërtimtarin, duke mos e vënë në pah dallueshmërinë konceptuale të këtyre dy profesioneve, edhe pse të ndërlidhura mes vete.

Aty ku për projekt arkitektonik të ndonjë objekti publik, kompania përzgjidhet përmes tenderit me çmimin më të lirë, sikur të ishin qëllim i kontratës furnizimi me tonerë printerësh apo material zyreje.

Aty ku gjykata e tenderëve për të trajtuar në ankesë lidhur me një konkurs projektimi, si ekspert teknik angazhon ndërtimtarë e jo arkitektë. Dhe, kur ndërtimtari ekspertizën e vet e ndërton bazuar në respektimin apo jo të ‘totalit të metrave katrorë’ të objektit e jo bazuar në analizën e vendosjes së objektit në situacionin urban, analizën e funksionit dhe programit, atë estetike, mjedisore, etj.

Aty ku detyra projektuese (design brief) përmban vetëm hapësirat e shprehura në metra katrorë, duke mos përmbajtur asnjë qëllim apo objektiv për arritjen e karakterit origjinal urbanistik dhe arkitektonik të objektit apo të kompleksit të objekteve, ashtu siç prezantohen në detyrat projektuese në vendet e civilizuara. Apo edhe më skajshëm: aty ku në detyrën projektuese të përcaktohen se në cilin etazh duhet vendosur hapësirat, aty ku për shembull në ndërtesë laboratorësh kërkohet që amfiteatri të vendoset në etazhin e fundit, e jo në etazhin e përdheses ku mundësohet qasje e pavarur dhe më e lehtë.

Aty ku ndërtesa e Fakultetit të Edukimit e projektuar si të ishte bujtinë ushtarakësh, tenton ta rrënojë frymën e ansamblit të objekteve të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare dhe të Galerisë së Arteve të Kosovës.

Aty ku nuk funksionon Odë e Arkitektëve, aty ku projekton kushdo dhe si të dojë dhe nuk sanksionohet apo shpërblehet për punën që bën.

Aty ku në vend të Odës së Arkitektëve, funksionojnë Asociacione Arkitektësh, që më shumë merren me rrënimin e njëri-tjetrit, sesa me promovimin dhe mbrojtjen e vlerave arkitektonike.

Aty ku liderë të këtyre asociacioneve të cilët në rrjete sociale shesin moral për mbrojtjen e profesionit të arkitektit, vetë e rrënojnë profesionin dhe vlerat e tij në momentin kur marrin pjesë si anëtarë jurie në vlerësime projektesh të objekteve publike. Të njëjtën gjë, e bëjnë edhe disa prej profesorëve universitarë, që janë madje të specializuar për fusha të ngushta të projektimit arkitektonik. Këta profesorë marrëzisht dhe në mënyrë mëkatare vlerësojnë si fitues konkursesh arkitekture projekte palestrash sportive me kapacitet 400 ulësesh, ku është paraparë parking për vetëm 10 automjete.

Aty ku objekte shumëbanesore u lejuan nga Komuna të projektohen dhe të ndërtohen pa respektuar asnjë kriter arkitektonik-urbanistik, duke ia zënë diellin njëri-tjetrit, duke ngulfatur hapësirën publike dhe gjelbërimin, duke ua mohuar fëmijëve argëtimin dhe lojën pranë banesave, si dhe duke shkatërruar peizazhin e natyrës me “shije” estetike skandaloze (rasti i objekteve shumëbanesore të lagjeve Kalabria, Mati, Arbëria, Pejton, Dodona…).

Aty ku çmimi me të cilin investitorët paguajnë arkitektët për këso projektesh skandaloze mund të konsiderohet i lirë deri në joseriozitet, por që çmimin e vërtetë e paguajnë banorët e atyre objekteve dhe të gjithë ne që endemi andej.

Pra, këta kuazi arkitektë, modelin e të cilëve e shtjellova në këtë shkrim, duke pasur zakone të këqija dhe mungesa të mëdha intelektuale dhe profesionale, duke pasur mungesë të madhe të dijes, të vullnetit dhe të guximit, ata prodhojnë apo mundësojnë prodhimin e kuazi veprave arkitektonike, ku CENET mbizotërojnë para VIRTYTEVE.

Një koleg imi i punës shumë vite më parë, më thoshte që për këta ARKITEKTË me CENE që e shkatërruan kryeqytetin dhe vendin tonë me projektet e tyre që nuk janë as mediokre, duhet të aplikohet dënimi më i rëndë! Ish-kolegu im vdiq në rrethana ende të pasqaruara tërësisht për familjen dhe miqtë e tij, pa e përjetuar zbatimin e dënimit për shkatërruesit e ëndrrës kosovare.

 

Arkitektura e virtytshme

 

Nga ana tjetër, duhet thënë se arkitektët e mirëfilltë për të prodhuar vepra origjinale mund të thyejnë rregulla në mënyrë të guximshme. Por, janë këto thyerje rregullash të bazuara në argumente dhe në dije, janë thyerje rregullash me qëllim të vënies në pah të VIRTYTEVE para CENEVE dhe jo e kundërta.

Në projektet e tyre URTIA mbizotëron para MARRËZISË ! Ata bëjnë punë të mira, kanë cilësi të larta morale, pastërti e përsosmëri morale, ashtu siç është definomi shkencor i fjalës VIRTYT.

Në ndryshimin e kësaj gjendje që e ka përfshirë arkitekturën në Kosovë, posaçërisht arkitekturën e objekteve publike, gjëja e parë që duhet bërë është ndryshimi i qasjes institucionale dhe reformat e domosdoshme në legjislacion dhe në vendimmarrje.

Duke themeluar sa më shpejtë që të jetë e mundur Odën e Arkitektëve të Kosovës si institucioni i vetëm legjitim që e rregullon ligjërisht profesionin e arkitektit dhe duke filluar me procesin e licencimit të arkitektëve do të krijohet një bazament i fuqishëm që gjërat të shkojnë në kahjen e duhur.

Oda e Arkitektëve të Kosovës përveç licencimit të arkitektëve, duke na mbajtur përgjegjës ata të gjitha projektet të cilat nënshkruhen nga ne, duhet të organizojë edhe trajnime të vazhdueshme në fusha të ndryshme që ndërlidhen me projektimin, ndërtimin, mbikëqyrjen, revidimin e projekteve arkitektonike.

Në anën tjetër, duhet të sanksionohet në legjislacionin dytësor që për hartimin e udhëzuesit për konkurset e arkitekturës duhet të jetë përgjegjëse Oda e Arkitektëve të Kosovës. Përveç këtij udhëzuesi (manuali) të cilin institucionet publike, por edhe investitorët privatë janë të obliguar ta respektojnë gjatë organizimit të konkurseve të arkitekturës, Oda e Arkitektëve duhet të mbahet përgjegjëse edhe për aprovimin e këtyre detyrave projektuese. Kjo është një praktikë e mirë që zbatohet në përmes AIA-s në SHBA, RIBA-s në Mbretërinë e Bashkuar, përmes SIA-s në Zvicër dhe përmes asociacioneve tjera të arkitektëve në vende tjera perëndimore. Vetëm në këtë mënyrë mund të organizohen konkurse të mirëfillta të arkitekturës, bazuar në hartimin e detyrave projektuese të duhura, me qëllime dhe objektiva të qarta, si dhe me kritere të mirëfillta të vlerësimit, që duhet të përfshijnë: trajtimin e çështjeve sociale dhe kulturore; çështjeve të funksionit dhe të programit të objektit, duke përfshirë fleksibilitetin dhe materialitetin; trajtimin e estetikës apo bukurisë së objektit; pa harruar edhe trajtimin e kualitetit të objektit në raport me çështjet e ambientit, si dhe kredibilitetin e ekipit projektues dhe respektimin e buxhetit të ndërtimit. Në këtë frymë, do të duhet që në këtë udhëzues të konkurseve të arkitekturës të sanksionohet qartësisht dhe në mënyrë të detajuar edhe formimi dhe përbërja e jurisë profesionale të vlerësimit të projekteve në konkurse të arkitekturës dhe stafit tjetër mbështetës. Kredibiliteti i jurisë dhe bërja publike e anëtarëve të saj duhet të e sanksionuar në këtë udhëzues. Në këtë mënyrë do të pamundësohej që juri jokredibile të vendosnin që fitues konkursesh të arkitekturës të jenë projekte po ashtu jokredibile.

Oda e Arkitektëve të Kosovës do të duhej që krahas këtyre çështjeve të fillojë edhe me përcaktimin e standardeve dhe rregullave të projektimit për të gjitha llojet e objekteve, duke përfshirë objektet qeveritare, shkollore, universitare, kulturore, sportive, objekteve të banimit shumëbanesor, shesheve dhe parqeve, etj. Këto standarde dhe rregullore duhet të jenë obliguese për të gjithë arkitektët që projektojnë në vendin tonë.

Përveç këtyre çështjeve, Oda e Arkitektëve duke respektuar parimin e ekonomisë së tregut, duhet të përcaktojë çmimet referente për shërbimet e projektimit, duke listuar çmimet për projektimin e objekteve të karaktereve të ndryshme. Krahas kësaj qasjeje, duhet të zbatohet edhe qasja tjetër shtesë që ka pasur sukses në perëndim, ku çmimi i shërbimit të projektimit dhe mbikëqyrjes së projektit përcaktohet bazuar në një përqindje të vlerës investive të ndërtimit të objektit (që shkon nga 10 deri në 20%). Në këtë mënyrë, do të rritej përgjegjësia e arkitektëve, e projektuesve tjerë, si dhe do të rritej përgjegjësia e investitorëve dhe e institucioneve përgjegjëse. Rezultati do të ishte jashtëzakonisht i madh: do të kishim objekte të suksesshme arkitektonike.

Këto janë vetëm disa nga veprimet institucionale që duhet ndërmarrë, bashkërisht me reformat e domosdoshme në planifikim hapësinor përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit parësor dhe dytësor; pastaj reformave strukturore në ngritjen e kapaciteteve profesionale në drejtoritë e planifikimit urban dhe po ashtu në nivelin qendror. Një rëndësi të veçantë duhet dhënë edhe reformave që duhet ndërmarrë në departamentin e arkitekturës në universitetin publik (i cili duhet të pavarësohet dhe të funksionojë si fakultet në vete) dhe reformave në fakultetet private të arkitekturës, duke investuar shumë më shumë në literaturë, në profesorë më kredibilë dhe më bashkëkohorë dhe po ashtu në metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Një ide në këtë drejtim mund të jetë stimulimi i studentëve që qysh gjatë periudhës së studimeve të marrin pjesë në konkurse ndërkombëtare të arkitekturës që organizohen për studentë. Jam mëse i bindur se konkurrueshmëria e mirëfilltë ndërkombëtare do të na ndihmojë të zhvillohemi dhe të jemi në hap me zhvillimet bashkëkohore në arkitekturë.

Kritiku i arkitekturës, Paul Godberger në librin e tij “Why architecture matters?” ka potencuar se objektet përfaqësojnë qëndrime politike; ato janë ikona kulturore. Arkitektura është sigurisht simboli më i madh fizik i idesë së komunitetit, mënyra më e sigurtë për të shprehur në formë konkretë besimin tonë në nocionin e të mirës së përbashkët. Mënyra se si një komunitet ndërton, shpeshherë na tregon gjithë atë që ju nevojitet të dini për vlerat e atij komuniteti”. Përderisa ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Winston Churchill ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim se çfarë ndikimi ka arkitektura mbi karakterin njerëzor dhe veprimet e tij. Ne i ndërtojmë objektet tona, dhe më vonë ato na ndërtojnë neve. Objektet e rregullojnë drejtimin e jetëve tona”.

Prandaj, është e qartë që edhe lidershipi institucional, edhe investitorët, edhe profesionistët, edhe qytetarët duhet të vetëdijësohen për rëndësinë e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Nuk duhet të mbesim peng i mentalitetit të së kaluarës. Ne duhet të ecim përpara. Assesi nuk duhet të ngushëllohemi me faktin që arritja më e madhe e plasimit të arkitekturës kosovare në arenën ndërkombëtare të jetë realizimi i projekteve të arkitekturës së brendshme (enterierit) të disa kafe-bareve apo restoranteve në perëndim. Këto arritje janë për çdo admirim, por mendoj se duhet të synojmë dhe të arrijmë përtej brendësisë së këtyre ambienteve dhe të promovojmë koncepte dhe ide më të mëdha në arkitekturë !

Për të arritur deri atje duhet që bashkërisht të krijojmë një realitet ku duhet të ketë ndëshkim moral dhe ligjor për ata që projektojnë shkatërrueshëm (përmes revokimit të licencës), dhe shpërblim dhe promovim për ata arkitektë që projektojnë virtytshëm.

Vetëm duke u angazhuar në këtë frymë në hapësirën shqiptare do të ndodhë ngritja e vetëdijes qytetare, profesionale dhe intelektuale për arkitekturën. Në këtë mënyrë arkitektura e virtytshme do ta flakë nga hapësirat tona arkitekturën e censhme dhe do të ngjallë shpresën për arkitekturën në Kosovë.

Ngase ceni dhe virtyti, apo urtia dhe marrëzia nuk mund të mbijetojnë bashkërisht në arkitekturë!