Baton Haxhiu: Çfarë thotë sot gjuha e komandantëve të dikurshëm?

Për Rexhep Selimin dhe Ramiz Lladrovcin – për historitë e tyre të patreguara dhe imagjinare. Për fajin dhe fajësinë, për tradhtinë dhe heroizmin. Për gjuhën që s’ka kuptim në kontekstin kohor në të cilin jetojmë.
Nuk është e rëndësishme çfarë mendojnë ata – komandantët, për njëri tjetrin.
Çfarë mendojnë komandantët për ne.
Çfarë mendojmë ne për ata.
Jam i sigurt që secili prej tyre mendon se ka të drejtë kur gjykon për situata që kanë qenë të vështira dhe mospajtuese.
Por, në ekzaltimin e të rrëfyerit publik ata kanë harruar se momentet e përplasjeve dhe grindjeve gjatë luftës kanë qenë dhe do duhej të trajtoheshin si normale. Edhe format e atëhershme të veprimeve dhe rezistencës janë vështirë të debatueshme. Kanë pasur të bënin me jetë a vdekje.
Ata e kanë përfaqësuar guximin në një moment të jetës sonë.
Sot kanë vendosur t’i qesin të palarat e tyre duke folur politikisht për momentet e vështira që kanë kaluar.
Në kohën e tashme çdo histori e treguar ka një lloj tragjikomedie brenda. Sepse tregimi për një përlarje të zakonshme mes bashkëluftëtarësh në ato rrethana mund të ishte edhe qesharak, por nga kjo distancë kohore ai transformohet dhe ambalazhohet si moment tradhtie.
Ndonjëherë edhe duke fantazuar, sot secili i jep të drejtë vetes ta rrëfejë dhe ta tregojë një tregim që mund të mos e ketë realizmin e së kaluarës.
Pesha e tashme dhe e ardhme mbi gjykimin nga e kaluara, mund t’i dënojë komandantët për rrëfimet e tyre. Ata tregojnë gjëra që kurrë më nuk përkthehen me përpikëri në kohët që jetojmë. Si duket, nuk janë aq të zgjuar që ta kuptojnë këtë. Por, e lëndojnë veten me histori të pahistori dhe me fjalë që i entuziazmojnë dhe i kënaqin të gjithë ata që i kujtojnë komandantët vetëm me gabimet e bëra pas luftës.
Personalisht mund të rrëfej ngjarje të shumta gjatë luftës që i shpërfaqin disa veprime të komandantëve si kriminale. Do të dukeshin të pashije, të vrazhda, të pista dhe aspak të këndshme.
Më besoni se në kohën kur kanë ndodhur, shumica dërrmuese e tyre nuk janë dukur kështu, por të guximshme, shpresëdhënëse për lirinë dhe heroike. Ndonëse nga prizmi i sotëm ato janë qyqare dhe kriminale, pasi mungon armiku dhe lufta.
Të njëjtit që sot shajnë dhe kënaqen me përplasjet e Rexhës dhe Ramizit, asokohe flisnin për veshjet, sjelljet, mënyrën e të ecurit, si dhe për tradhtinë dhe heroizmin që ndryshonin brenda natës. Për historitë se kush ishin njerëzit, prej nga vinin, çka bënin dhe çfarë kishin bërë dikur.
Ishte ndjenjë e tmerrshme të dëgjoheshin komandantët në male kur flisnin për “poshtërsitë” tona, por me kohë isha mësuar me ta dhe nuk ndjehesha fare i çuditur për faktin se ata kishin qëndrim imagjinar për jetën në Prishtinë.
E kuptoja si ndjeheshin ata në male dhe në luftë. U thosha se ne nuk i përçmonim. Por, duke e kuptimësuar perceptimin e tyre për ne, bindesha se ata ndjeheshin të përçmuar me vetveten.
Sigurisht se për ta vjen një ditë, sikur kjo e sotmja, kur pamjaftueshmëria e të folurit për të kaluarën është provë se sa pak e rëndësishme ka qenë jeta e tyre e shkuar.
Në këtë moment, rrëfyesit e gjërave të parëndësishme të luftës së Rexhës dhe Ramizit janë sikur të sëmurit që vuajnë nga deformimi mazohist i kujtesës së tyre.
Në të vërtetë, këta njerëz mbajnë në kujtesë vetëm ndodhi që i bëjnë të pakënaqur dhe të parealizuar me veten e tyre, pasi ka diçka që nuk shkon me ato që kishin kërkuar.
Ata po sillen sikur ajo që kanë bërë dhe atë që kanë krijuar të kenë qenë të turpshme.
Rexhep Selimi, Ramiz Lladrovci dhe të gjithë ata që kanë qenë në UÇK, janë më të ndershëm – shumë më të ndershëm – sesa rrëfimet për ta dhe shumë të bëma brenda shoqërisë sonë civile para dhe gjatë luftës.
Kam dëgjuar më shumë kërkesa për linçime dhe gjuhë me ashpërsi të jashtëzakonshme nga disa civilë që ndonjëherë përkrahnin edhe likuidime, se prej atyre që kanë pasur pushkë. Sot thonë diçka tjetër, por kemi jetuar momente kur tradhtarët në jetën tonë civile kanë prodhuar më shumë tradhti se që ka pasur aso idesh në mjediset e luftës.
E keqja është se komandantët po rrëfejnë gjëra që tashmë s’kanë asnjë kuptim. Lufta në vitet e fundit të të 1990-ave po analizohet 20 vjet më vonë me një trajtim moral që i përket një shekulli tjetër.
Zhvendosja e thjeshtë e ngjarjeve nga e kaluara bën që fjalitë të marrin kuptim tjetër në kontekstin tonë.
Kështu siç kanë rrëfyer Rexhepi dhe Ramizi, dorën në zemër – shumë naivisht dhe pa përmbajtje, del se pothuajse çdo ngjarje e luftës është shumë problematike, e paqartë dhe me nuanca tradhtie.
Në të vërtetë, s’është ashtu.
“Ta nxjerri gabzherrin” është ofendim i rëndë për kohën e tashme. Por, në periudhën e luftës mospajtimet, frikërat dhe paqartësitë kanë prodhuar aq shumë fjali të tilla, saqë po të kishte hakmarrje dhe shfrenim për to e gjithë lufta do bëhej vetëm ndërmjet grupeve të UÇK-së.
Ajo që më bëri përshtypje tek gjuha e polemikës ishte mungesa e fakteve.
Radhitja e ngjarjeve ishte bërë sikur të mos kishte pasur ushtri dhe polici serbe. Sikur të mos  kishin qenë atypari tanket dhe autoblindat.
Si është e mundur që tregimet e Rexhepit dhe Ramizit të krijojnë aq shumë dyshime, mirëpo të mos e gjej asnjë fjali me momente lavdëruese për luftën dhe guximin?
Ajo që më bëri përshtypje ishte gjuha e tyre idhnake për tregimin e Komandantit.
Të jemi të qartë: ne që jemi kronistë të ngjarjeve e dimë që Rexhep Selimi ka qenë luftëtar më trim dhe më i palëkundur se shumë tjerë. Mos harroni se këta djem kanë qenë vetëm 20 e sa vjeç asokohe. Dhe ne i gjykojmë ata për moshën që kanë sot.
Për mua, Rexhep Selimi ka qenë komandant trim, por për habi, kjo lëkurë nuk po i rri tamam pas luftës.
Ai ka qenë po aq trim sa Adem Jashari në kohën kur të dy kanë jetuar në të njëjtën shtëpi. Heroizmi i Jasharajve me 5, 6 dhe7 mars 1998, Ademin e bën legjendar, kurse Kosovës ia jep dimensionin ndërkombëtar të luftës.
Të mos harrojmë se Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi kanë qenë miqtë më të mirë të luftës, por ashpërsia e përplasjes së sotme mes tyre nuk ka asnjë gjasë që t’i japë një dimension tjetër raportit të tyre në kohë të luftës.
Lufta dhe paslufta imponojnë kritere të ndryshme të analizës.
Vota e Rexhep Selimit e bëri Hashim Thaçin shef të delegacionit kosovar në Rambuje.
Paslufta i shndërroi në armiq politikë.
Prandaj, i jap të drejtë Rexhep Selimit në rrëfimin e tij për luftën. Por, jo edhe hidhërimit të tij ndaj bashkëluftëtarëve, sepse ajo pjesë nuk është e vërtetë.
Për fund ta them edhe një fakt.
Ajo që dihet, Legjenda e Jasharajve, është përtej një të vërtete për atë se kush ka qenë Komandanti i parë i UÇK-së. Flijimi i Jasharajve nuk ka lidhje me të qenurit komandant, por me heroizmin. Me një komandant që është Legjendar.
Përtej legjendave, ai është Legjendë, por jo edhe komandant i parë i UÇK-së.
Rexhep dhe Ramiz, mos e lëndoni të kaluarën për hir të së tashmes dhe të ardhmes. Sepse e kaluara iu bën heronj, kurse paslufta – e tashmja dhe e ardhmja – mund t’iu trajtojë edhe ndryshe.
Nuk është hera e parë që heronjtë ndryshojnë në varësi të periudhave.
Liria mund ta bëjë të vrazhdë atë që vjen me fuqinë e pushkës së heroit brenda lirisë së të pafuqishmëve.
P.S.
1. Një komandanti i kam shkuar në shtëpinë e tij, në zonë të luftës, sepse me revole ka pasur guximin të ma marrë veturën. Kur kam shkuar atje së bashku me një mik timin, kemi vendosur që t’ia falim. Bile, mikut tim, në një moment lirie kur ishte takuar me njerëz të uniformuar me emblemën e UÇK-së, iu është dukur pak që po ia falte veturën.
2. Dy javë pas luftës, i kam dalë përpara një komandanti tjetër që po drejtonte një “bager”, me të cilin dëshironte ta shkatërronte shtypshkronjën e gazetës “Koha Ditore”, të djegur nga forcat e Millosheviqit.
Ai synonte që atë hapësirë t’ia jepte një biznesi lokal të Prishtinës, prej të cilit kishte marrë lekë.
Dhjetëra minuta kemi qëndruar ballë për ballë: unë në tokë, ai lart në “bager”.
Në dorë e mbaja urdhrin për rrëzim të objektit që e kishte nënshkrimin e tij. I kërkoja shpjegime dhe argumentime, të cilat nuk m’i jepte – sepse s’kishte si.
Atë ditë objekti nuk u rrëzua.
Por, kjo ndodhi pas disa ditësh, sepse ashtu ishte ajo kohë pa normalitet ligjor.
Ka plot raste tjera.
Këto nuk janë rrëfime specifike të Kosovës.
Janë momente dobësish njerëzore që i ka secila luftë.
Në luftë ka heronj që mbesin heronj, por edhe të atillë që e shfrytëzojnë heroizmin për fuqi dhe pushtet ligësie në paqe.