Ben Andoni: A është vështirësuar kauza e Opozitës në Kosovë?

Prej më shumë se një viti të gjithë e dinin në Kosovë, por edhe e parandienin nga hapat e faktorit ndërkombëtar se Hashim Thaçi do të ishte president. Edhe kur ky i fundit bëri gabime fatale, si ai i pak javëve më parë kur i ofendoi protestuesit, duket se Opozita nuk diti të përftonte. Dhe, megjithë çfarë u tha kundër tij, ai është president. Nga ana e tij, z. Thaçi, një nga politikanët më të sprovuar të Kosovës, diti të shfrytëzonte të gjithë situatën për zgjedhjen e tij. Edhe pse nga koalicioni në fuqi pati shpesh individë që u shprehën hapur kundër dhe më shumë nga baza e LDK-së, duket se opozita i shmangu si faktorë dhe në vend të kësaj përdori gjuhën e të fortit. Gazi lotsjellës dhe të sharat, treguan se jo vetëm nuk bënë punë, por edhe e prishi jo pak kauzën. Për hir të së vërtetës, ato nuk ia dalin dot në Kosovë, por mund të mësohet dhe nga Shqipëria, ku ofendimi i kundërshtarit edhe pse arrin deri në shkallët më të larta, nuk po sjell rezultat. Me pak fjalë, nëse shteti është i kapur si në Kosovë, por edhe në Shqipëri, kjo lloj lufte duket e tepërt. Fjalën duhet ta ketë zgjuarsia.
Nuk ndodh kështu dhe për fat të keq është ajo që të gjithë e ndjejnë por e artikulojnë me zor: PDK-ja dhe LDK-ja e kanë pushtuar të gjithë jetën e Kosovës dhe ende e kanë të shtruar udhën për të zgjatur jetën në qeverisjen e Kosovës. Është kaq i fortë ky sens tek njerëzit, saqë të mos harrojmë se pati pak përshtypje me atë që u ndodhi deputetëve kosovarë të Opozitës, kur Thaçi u zgjodh si president. Tek e fundit, ata do jenë sërish në pushtet.
Ajo që duam të theksojmë dhe del edhe si refleksion i jetës shqiptare në përgjithësi është e thjeshtë: a ka ardhur koha të bëjmë jetë normale parlamentare?! Në këtë rast, a do mundej në radhët e LDK-së të gjendeshin njerëz të vendosur , që të mos ishin për Thaçin dhe ta pengonin kuorumin ose më e mira akoma të arrihej për një president konsensual dhe me forcat në fuqi? Cili e njeh situatën e Kosovës mund të thotë se ky është naivitet i thellë, por cili kupton lojërat e politikës e di shumë mirë se kjo ka qenë e mundur. Edhe pse kushdo e kupton se është luajtur nga krerë edhe me kartën e zgjedhjeve të parakohshme dhe deputetët e LDK-së mund të cedonin për shkak të kërcënimeve që do u bënin për mospërfshirje në listat e të ardhmes.
Deri më sot, kauzat e Opozitës së Kosovës, kanë marrë një udhë. Falë vendosmërisë së firmave popullore, Opozita diti të tregojë se Demarkacionin dhe Asosacionin t’i bëjë faktorë dhe t’i kundërshtojë institucionalisht, por e humbi betejën më të madhe të ditës, atë që lidhej me emërimin e Thaçit. Që nga ana e tij diti të mësojë nga vetë politika e Kosovës dhe gabimet e paraardhësve të tij, kur votat e partive miksoheshin, paçka se nuk i kursenin fajësimet ndaj njëra-tjetrës.
Ndaj Opozita kosovare ka ardhur koha të qartësojë kauzën e të ardhmes dhe të jetë më politike edhe pse përballë ka një qeveri krejt të shurdhët që mesa duket po e mban në fuqi vetëm mos gjetja e një udhe për ta hedhur poshtë. AAK po bën një kthesë interesante me lëshimin e mandateve. Mund të vazhdojë dhe nga të tjerët. Dhe, mbase s’është vonë, por Opozita duhet të vazhdojë atë që nisi realisht më 17 Shkurt, kundërshtimin e kulturuar të një qeverie që nuk bën më për të ardhmen e Kosovës për të mos thënë e pengon seriozisht atë. Dhe janë të gjitha mundësitë për t’a larguar institucionalisht qeverinë Mustafa… në mënyrë demokratike.