Ben Andoni: Grekët janë më humanë se ne!

Ben Andoni

 
Në Greqi as nuk mund ta mendonin se pas atij dialogu të stërgjatë me BE-në për marrjen e parave dhe masat shtrënguese do t’u vinte koha sërish të merreshin me Bashkimin Evropian. Por, jeta ka logjikë paradoksi. Dhe, kriza e refugjatëve e ka kthyer historinë e të ardhmes kontinentale krejt përmbys. Grekët nuk luten më për para por mirëkuptim dhe ndihmë për refugjatët. Mbi të gjitha për respekt. Më së shumti këtë të fundit, që i mungon Gadishullit tonë të vogël Ballkanik, mbushur me mllefe, urrejtje dhe patologji lloj-lloj. Anipse grekët s’kanë nevojë për historinë dhe as t’i japin gjë Evropës, pasi në themel të kontinentit, janë themelet demokratike, që ia kanë marrë dhe që lavdërohen; atyre sot u duhet ndihma për menaxhimin e shqetësimit botëror, lidhur me refugjatët. Që do të thotë, një familje, si ajo që pretendon BE-ja, e mban dhe e zgjidh bashkë problemin dhe nuk e delegon tek anëtarët më të varfër.
I gjithë ky realitet i trishtë, ku karvanit të refugjatëve si duket më fundi, Greqia i ka gjetur një zgjidhje. I ka futur në gjirin e vet dhe po i ndih si pakkush nga Evropa. Veprimi tjetër i respektuar ndaj saj është edhe fakti që Evropës i ka treguar realisht që të mos fshihet pas gishtit, por të marrë përgjegjësinë e politikbërjes botërore. Vetë ata, duke kujtuar dekadat e shumta kur kanë emigruar, kanë bërë thirrje publike në vend për mundësinë e strehimit; kanë hapur ishujt; vetë kryeqytetin e tyre Athinën; si edhe plot strehimoret e panumërta, që janë sajuar në kazermat e papërdorura të ushtrisë; shtëpitë; hotelet; parqet dhe shumë ndërtesa publike; duke i dalë përballë krizës dhe duke e kanalizur si duhet entuziazmin e qytetarëve të saj për ndihmë.
Ndoshta ishujt grekë, nuk do ta marrin Nobel-in sivjet, pasi ky çmim tashmë është bërë njësoj si koha shumë konjuktural, por moralisht ata e kanë merituar prej javësh për vitin 2016.
Një mësim i madh dhe për ne, shqiptarët, që tashmë fshihemi pas retorikave dhe i jemi bashkuar në kor politikës shtetërore për të mospritur refugjatë, ne bash vendi, që kemi eksportuar në këto 25 vjet, gati një të tretën e popullsisë jashtë vendit. Aqsa përcolli Greqia pas përfundimit të luftës të ashpër civile në vitin 1949, drejt Gjermanisë, SHBA-së dhe Australisë, atë që arti modern grek e ka frymëzuar vazhdimisht për veprën e vet, në të ashtëquajturën xenitia.
Kjo mund ta na bëhet mësim edhe neve, që tashmë po bëjmë çmos t’ua bëjmë jetën e vështirë refugjatëve, që i kemi mu në kufi, dhe t’u tregojmë se këtu s’mund të kalojnë. Grekët na treguan edhe ne shqiptarëve se pavarësisht stigmës sonë banale, megjithatë, janë shumë më humanë se ne në këto javë.