Bledi Kasmi: Reagimi i vonuar i Kosovës

3-vucicrama

Bledi Kasmi

 

Ka kohë që krushqit po ushqehen politikisht me Prishtinën.

Një lojë e pistë. Rama dhe Vuçiç kanë arsye që të festojnë, darkojnë dhe të këndojnë së bashku këngët e Zdravko Çoliçit në Beograd dhe Nish.

Të dy së bashku ja kanë arritur të defaktorizojnë Kosovën secili në funksion të pushtetit të vet. Rama në raport me ndonjë ndërkombëtar, ndërsa Vuçiç të forcojë pozitat me politikat e tij populiste në Beograd.

Zëdhënësja e Përfaqësues të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian përshëndeti dje dialogun mes Tiranës dhe Beogradit në një konferencë për shtyp në Bruksel. Në fakt kjo është një deklaratë qesharake. Tirana dhe Beogradi nuk kanë qenë ndonjëherë në luftë.

Dialog mes Tiranës dhe Beogradit ka pasur gjithmonë edhe kur Kosova ishte në ditët e para të luftës dhe kur vuante gjenocidin serb.

Nano shtrëngoi duart me Milosheviçin në Kretë, por ai takim nuk i shërbeu as paqes dhe as mundi të mënjanojë luftën. Ishte thjesht një takim i sponsorizuar politikisht nga Athina për të rritur kapitalet politike të Milosheviçit dhe të Nanos si faktor tek shqiptarët e Kosovës, por ai takim nuk i ndali as masakrat dhe as bombardimet e NATO-s.

Pas atij takimi, Nano nuk e pati të gjatë si Kryeministër, ndërsa Milosheviçi kishte një fund tragjik në Gjykatën e Hagës. Pyetja që shtrohet është se sa efektivë janë takime të tilla Tiranë-Beograd pa prezencën e Prishtinës kur në to diskutohet për Kosovën ?

Efekti i vetëm është show dhe përfitimet politike të momentit që mund të ketë Rama dhe Vuçiçi. Në raport me rajonin dhe problematikën mes Beogradit dhe Prishtinës takime të tilla jo vetëm që nuk i shërbejnë klimës së dialogut dhe zhvillimit ekonomik, por krijojnë barriera të reja edhe ku atje ku nuk kanë ekzistuar.

Një barrierë të tillë e ka ngritur Rama me Kosovën. Ministri i Jashtëm i Kosovës, reagoi ndaj këtij takimi, duke i bërë të qartë Ramës se ai nuk mund të flasë në emër të Kosovës në Beograd.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta kenë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA ose BE”, u shpreh Hoxhaj për mediat.

Rama nuk i ka lanë asnnjë zgjedhje tjetër Kosovës. Ajo është vonuar në reagim, por tani duket e ka kuptuar, se vijimi i suksesshëm i dialogut Prishtinë-Beograd kalon nga shpallja “non grada” e Ramës në Prishtinë.