Blendi Fevziu: A na duhej takimi Rama-Basha?

Rama-basha-takimi

 

Fevziu-blendiii

Blendi Fevziu

Takimet e liderëve politikë konkurentë, nuk janë anormalitet! Anormalitet është mungesa e tyre! Në këtë kontekst Shqipëria ka jetuar një kohë të gjatë në një gjendje anormaliteti, si në shumë gjëra të tjëra. Por nëse takimi në vetvete është normal, mbivlerësimi i tij, bindja se gjithcka zgjidhet në takime dy palëshe dhe kokë më kokë, po ashtu është një anormalitet, madje më i madh se sa i pari.
Pata këtë ndjesi të enjten në mbrëmje, kur në emisionin Opinion, dy politikanët u treguan entuziastë për takimin Rama–Basha e katër gazetarët  patën bindjen se takimi asgjë nuk mund të sjelle përtej një shou mediatik. Në fakt cfarë mund të sjellë një takim Rama– Basha?
Cila është vlera e tij dhe cfarë kanë sjellë takime të ngjashme në Shqipëri? Këto 3 pyetje që mund të analizohen thjeshtë, të cojnë në një përfundim që me gjasë nuk do jetë larg nga ai i mbrëmjes së të hënës.
E para në historinë pluraliste të Shqipërisë këto 25 vjet, takime të tilla, rrallë, por shumë rrallë kanë sjellë produkt. Nëse vecojmë Qershorin e 1991, 9 Marsin e 1997 dhe Qershorin e 2002, të cilat prodhuan Qeverinë e Stabilitetit, Qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe Presidentin konsensual Moisiu, takimet e tjera nuk kanë sjellë asgjë.
Por edhe 3 arritjet e mëparshme kanë qenë takime emergjence. Ato kanë ardhur në periudha anormale dhe rreziku. I vetmi produkt i vërtetë dhe konsensual, është zgjedhja e Presidentit Moisiu në Qershor 2002.
Takimet e tjera kanë qenë thjeshtë një bllof. E mbani mend takimin Berisha – Rama për Presidentin në 2007. U bë një telenovelë që u mbyll në mënyrën më komike të mundshme. E mbani mend takimin Berisha – Rama tek Presidenti Topi për hapjen e kutive? Po ashtu nuk solli asgjë. As takimi Berisha – Rama per Presidentin në 2012.
Sepse të gjithë takimet në fakt, nuk kishin thelb. Ishin takime të sforcuara, nën presionin e ndërkombëtarëve apo nën presionin e opinionit publik. Takimi Rama – Basha nesër është thuajse identik me takimet e dështuara të historisë sonë politike.
E dyta, takimi nuk ka asnjë axhendë konkrete. Takimi nuk mund të merret me teknikalitete, por me parimet. Por për parimin, pra për reformën janë të gjithë dakort.
Biseda do të shkojë prapë tek teknikalitetet dhe ato do vijojnë javë të tjera në komisione apo struktura që do ngrohen në këtë rast. Pra, takimi do krijojë një rreth vicioz që do kthehet prapë aty ku ka nisur, tek drafti. Atëherë cfarë do diskutojnë Basha e Rama dhe përse duhet të shihen në sy për të rënë dakort për një gjë që mund të kishin rënë që dy vjet më parë. Kjo është bisedë politike, jo takim dashurie, ku njeri mendon se sy më sy, mund t’i ndryshojë tjetrit perceptimin paraprak që ka për të.
Dhe e fundit, mbivlerësimi i takimeve të tilla, pra bindja që gjithcka zgjidhet nga liderët që ulen si Muji me Halilin në një tryezë është krejtësisht gabim. Vite më parë kur shoqëria ishte e ndarë dhe konfliktuale, takime te tilla kishin vlerën e zbutjes së konfliktualitetit dhe të krijimit të një normaliteti shoqëror.
Siç ndodhi me takimin e 23 Dhjetorit 1998 mes Berishës e Majkos apo në 16 Janar 1999 po mes të dyve. Por ishin në një tjetër kontekst. Sot, vec forcimit të kultit të liderëve ato vështirë se sjellin gjë. Sepse nuk janë takime normale, por të sforcuara. Të vendosura nën presionin e ambasadorëve apo shtypit dhe pa asnjë axhendë konkrete. Ndaj normaliteti, pra një takim mes dy liderëve politikë konkurentë, sot ngjan më shumë një anormalitet./Opinion.al/