Blendi Fevziu: Fajin e ka shoqnia jone e smute!

blendi-fevziu

Blendi Fevziu

 
Në dukje pa ngjarje dhe i fokusuar tradicionalisht tek turizmi, fillimi i Gushtit u dominua në fakt më shumë nga kronika e zezë. Jo vetëm numri i ngjarjeve, por akoma më shumë lloji i tyre, qenë tronditëse për opinionin publik. Një 65 vjecar që vret të dashurën e tij 29 vjecare dhe më pas veten; një person me probleme mendore që vret nipin e tij dhe i pret kokën; një turist që tenton të marrë peng disa persona dhe bën thirrje terroriste; një djalë që tenton të vrasë kushëririn dhe akomë më e tmerrshme një baba që përdhunon vajzën e tij 15 vjecare. Kronika e ngjarjeve mund të vijojë edhe më tej, po mjafton kjo listë në më pak se një javë për të tronditur jo pak opinionin dhe shoqërinë shqiptare. Në fakt historia nis këtu. Përtej përgjegjësisë që shteti dhe institucionet duhet të mbajnë në këto raste, përtej analizës për secilën ngjarje në vetvete, një problem të thellë po ka vetë shoqëria shqiptare. Madje një problem që po bëhet gjithnjë e më problematik dhe që nuk zgjidhet vetëm me polici. Një pjesë e krimeve janë rrjedhojë llogjike e mënyrës se si mendon dhe vepron pikërisht shoqëria.
Në rastin e biznesmenit, edhe pse fundi ishte tragjik, mënyra se si qe zhvilluar gjithë ngjarja ishte dramatike. Lidhjen e një 65 vjecari me një 29 vjecare e dinte gjithë fshati dhe zona. Famlija e burrit e pranonte për hir të mos prishjes së familjes, ndërsa familja e vajzës e pranonte sepse ndihmohej ekonomikisht. Nëse reagimi i shoqërisë do kishte qenë më normal dhe më pak oportunist, mbase ngjarja nuk do të kishte ndodhur. Madje nuk do kishte ndodhur as shëmtia e varrimit të të dyve, një spektakël makabër ku vajza u braktis në emër të moralit, ndërsa burri u trajtuar si viktimë. Po sa histori të tilla ndodhin cdo ditë në sy të shoqërisë dhe pranohen prej saj.
E ngjashme historia e djalit me probleme që vrau nipin e tij. Sipas intervistave kishte kohë që ai sillej ashpër, dhunshëm dhe që kishte dhënë shenja për këtë. Askush nuk e kishte denoncuar, në emër të ruajtjes së nderit të familjes apo të sikletit nga opinioni përreth. Duke sjellë një dramë edhe më të madhe për familjen vetë.
Po kështu ngjarja e përdhunimit të vajzës që kishte dhënë shenja edhe më parë. Dhe për të cilat, po në emër të opinionit publik dhe paragjykimit te tij, sërish nuk ishte reaguar.
Të gjitha historitë bashkë, por edhe shumë të tjera që ndodhin cdo ditë, kanë vetëm një zgjidhje bazike. Reagimin e shoqërisë dhe zhveshjen e saj nga mënyra meskine e të menduarit dhe nga paragjykimi mbi të cilin mbështetet. Nëse shoqeria nuk vepron, nëse gjithkush mban shpresë vetem tek policia, prokuroria apo gjykata, ngjarje si këto, makabre, mund të përsëriten cdo ditë.