Blendi Fevziu: Kur Presidenca ka më pak vlerë se e shkuara!

Blendi-Fevziu

Blendi Fevziu

 

 

Hashim Thaçi është betuar sot si President i Republikës së Kosovës. Ai bëhet i katërti President i vendit që kur Kosova ka shpallur Pavarësinë, pas Sejdiut që ishte në detyrë në atë kohë, Pacollit që qëndroi vetëm disa javë dhe Jahjagës që u largua sot.
Ardhja e Thaçit në krye të Presidencës nuk ishte as një anomali dhe as një gjest i papritur. Nuk ishte as një devijim nga rrjedha llogjike e gjërave siç ndodhi 5 vjet më parë me zgjedhjen e Jahjagës, që doli si emër surprizë nga zarfi që ambasadori amerikan Dell u la liderëve politikë në dorë. Zgjedhja e Thaçit ka disa mënyra se si mund të shihet dhe disa pasoja.
E para ajo është vijim llogjik i një tradite të Kosovës, sipas të cilës, President i vendit, ose Kryetar, siç e quajnë në Kosovë, është një prej politikanëve ose liderëve më të rëndësishëm politikë në vend. Në vitet pas referendumit të fillim viteve ’90, edhe pse pa njohje ndërkombëtare, President ishte Kryetari i Partisë më të madhe, Ibrahim Rugova. Po ky i fundit u bë Presidenti i parë i Kosovës së lirë, i zgjedhur demokratikisht nga një mazhorancë e dalë nga zgjedhjet e lira.
Më pas President ishte Fatir Sejdiu, por Kryetar i Partisë më të madhe në atë kohë e pas tij Bexhet Pacolli, po ashtu Kryetar i një partie që mbante në këmbë koalicionin qeverisës. Të gjithë persona me personalitet të fortë dhe Thaçi është vijim llogjik në këtë drejtim.
E dyta, zgjedhja e Thaçit, është vazhdim i një karriere normale që herët apo vonë do të çonte në këtë post. Thaçi ka qenë Kryeministër i Kosovës për dy mandate, Kryetar i një prej dy partive më të mëdha për 15 vjet me rradhë dhe më herët drejtor politik i UÇK – së. Ai ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Rambuje dhe firmosës i marrëveshjes me të njëjtin emër që i hapi rrugë pavarësisë së Kosovës.
Këtu qëndron edhe problemi i tij në raport me historinë. Zgjedhja President është një moment i rëndësishëm në karrierën e tij, por çdo moment që do vijë më pas, përfshi këtë, nuk do arrijnë kurrë peshën dhe përgjegjesinë që ai kishte kur ishte 30 vjeçar në vitin 1999. Çfarëdo vendimi që ai të marrë si Kryetar i Kosovës, nuk do ketë asnjëherë rëndësinë e atij vendimi që ai bashkë me të tjerë mori në Rambuje.
Çfarëdo vendimi që ai të lexojë me solemnitet si President, nuk do ketë peshën që pati leximi i deklaratës së Pavarësisë në Shkurt 2008.
Sado që ai të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar të Kosovës si President, asnjëherë nuk do të ketë gjithë konsensusin e shqiptarëve të Kosovës siç e pati atë moment që i kërkoi Parlamentit të shpallte pavarësinë.
Thaçi u betua sot si President në një ceremoni që i kishte munguar Kosovës, në një ceremoni ku mungonte flamuri kombëtar dhe jo figura e Skenderbeut, por ky është vetëm një moment në karrierën e tij. Një moment llogjik i saj, por që në asnjë rast nuk do të mbetet më i rëndësishmi. Sepse Thaçi i takon asaj kategorie personazhesh, që e shkuara, do t’i dominojë gjithnjë të ardhmen…