Blendi Fevziu: Mos i falni hajnat tanë!

fevzo

Blendi Fevziu

 

 

E mbushur me emra të famshëm, politikanë të fuqishëm, personazhe publikë dhe shumë mister, Panama Papers ka ngelur në Shqipëri e varur në një emër disi të harruar, por edhe enigmatik.  Atë të Ismail Mulletit. Një emër i njohur i Shqipërisë së fillim viteve ’90 – të ky i Ismail Mulletit, ose Il Mulletit, siç njihej në përditshmërinë e kryeqytetit. Banues në një nga lagjet më tipike tiranase, në rrugën e Selvisë, përballë gjimnazit “Partizani”,  ai emigroi menjëherë pas hapjes së kufijve për në një vend që u bë destinacion për shumë shqiptarë, në Hungari.
Në Budapest ai filloi të kishte edhe suksesin e parë në biznes, falë lidhjeve me komunitetin e shqiptarëve të Kosovës. U bë ndër tregtarët e parë që synoi tregun e shkretë vendas me prodhime ushqimore, por edhe elektronike. Paralel me to filloi të angazhohet me lojrat e fatit, një biznes, që disa vite më vonë vendosi ta transferojë në Shqipëri. Në Tiranë, Mulleti kishte një mbështetje të fortë dhe një rekomandues që e mbështeti në fillimet e tij, këshilltarin e Presidentit Berisha, Genc Pollo, me të cilin ishte takuar në Vienë në verën e vitit 1990.
Raporti i Pollos me Mulletin ishte shumë i afërt në fillim të viteve ’90. Diku rreth vitit 1994 Mulleti u bë një personazh i njohur në Tiranë. Sipas shtypit të kohës ai ishte partner lokal i Tirol Airlines, e cila kishte krijuar në Shqipëri kompaninë Albanian Airlines (kjo kompani ju shit më vonë kompanisë Al Karafi), ishte importues i madh në treg dhe njëkohësisht kishte ndërtuar një seri lokalesh lojrash fati që në atë kohë quheshin Admiral.
Më i njohuri prej tyre një kioskë gjigande me xhama të zinj përballë Galerisë Kombëtare të Arteve e cila ishte sipas raportimeve të shtypit, pronë e një kompanie të ngritur nga Partia Demokratike në pushtet që quhej Shqiponja.
Po në këtë kohë, Mulleti u përfshi në importin e naftës e cila ju shitej kryesisht trafikantëve të vegjël që e nxirrnin atë në ish- Jugosllavi  përmes Liqenit të Shkodrës. Mulleti përflitej për lidhje të forta politike. Veç Pollos me të cilin dukej shumë i afërt ai kishte krijuar kontakte edhe me Tritan Shehun, kryetar i PD në atë kohë.
Mulleti u bë pronar i vetëm i kompleksit Taivan, pasi bleu përqindjet që kishte në të “Shqiponja”, por disa vjet më pas, ja shiti atë një kompanie greke për afro 750 mijë dollarë.
Pas një momenti të rëndë në jetën e tij, vrasjes së vëllait, Mulleti u zhvendos në Vienë, diku rreth vitit 1997 dhe disa kohë më pas në SHBA, ku qëndroi për afro 10 vjet.
Ai nuk përmendej më tek njerëzit e pasur të Shqipërisë, së paku deri në vitin 2013, kur u shfaq së bashku me një kompani izraelite për investime në Shqipëri. Investime që sipas shtypit, përfshijnë edhe ngjyrosjen e karburanteve, me një total prej 154 milion eurosh për 10 vjet.
Publikimi i emrit të Mulletit në Panama Papers dhe vendosja e emrit të tij në sfondin e një skandali të madh financiar, ku përfshihen emrat e politikanëve të fuqishëm nga e gjithë bota ka ngjallur mjaft konfuzion në Tiranë.
Emri i tij është lidhur me pasuritë e fshehura të politikanëve ku janë përmendur edhe emra konkretë. Në fakt, media ka deklaruar se aksionerë të kompanive fantazmë nga Shqipëria janë 22 vetë. Nuk dihet nëse këta janë politikanë, biznesmenë, apo persona të njohur.
Këtu ka një problem. Kompani të tilla mund të përdoren si për operacione krejt legale, ashtu edhe për fshehje taksash, pastrim parash apo para korrupsioni. Duhet parë se në cilin kontekst përmendet emri i Mulletit.
Nëse ai ka kryer një procedurë normale off shore, pra krejt të rregullt, apo një procedurë për fshehje taksash apo pastrim parash. Siç duhet parë se çfarë do sjellë publikimi i emrave të 22 shqiptarëve që kanë aksione në këto kompani. Dihet që shumica e politikanëve i kanë regjistruar pasuritë e tyre në emra të rremë dhe emrat e vërtetë shpesh nuk i dinë as vetë studiot legale.
Po këtu nis edhe hetimi. Ndërmjetësit duhet të justifikojnë pasurinë e tyre dhe nëse nuk e bëjnë këtë atëherë duhet hetuar se paratë e kujt kanë depozituar në këto parajsa fiskale.
Shqipëria nuk mund ta kalojë këtë herë në heshtje këtë histori. Vite më parë, media ndërkombëtare raportoi për humbje të mëdha të shqiptarëve në krizën e bankave Qipriote, por askush nuk u mor seriozisht me këtë.
Ish shefi i Shërbimit, Fatos Klosi, shtoi dje se që në 2001 shërbimet partnere kishin njoftuar për pasuri të politikanëve shqiptarë të depozituara ilegalisht në Qipro. Atëherë heshtëm. 5 vjet më parë heshtëm. Këtë herë duhet të hetojmë.
Që ata që na vjedhin, ta kuptojnë që asgjë në këtë botë, nuk mund të fshihet plotësisht.